Presidenti me rrogën me të lartë, më pas vjen kryeministri! PS-PD bashkojnë votat për dyfishimin e pagave të tyre. Efekti financiar, 39 miliardë lekë

May 26, 2023 | 10:25
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kuvendi miratoi dje tre projektligjet për reformën e pagave në institucionet kushtetuese dhe administratën publike.

parlamenti protesta

Me 93 vota Kuvendi kaloi ndryshimet në ligjin për “statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që rrit pagat e tyre. Miratimi i ligjit kërkonte shumicë të cilësuar 84 vota. Ligji për pagat në institucionet kushtetuese u miratua me 95 pro, 0 abstenim, 3 kundër, 5 nuk morët pjesë në votim. Ligji i votuar në parlament për rritjen e pagave ndryshon shpërblimin mujor për 130 mijë punonjës të administratës, duke vendosur në krye të hierarkisë, sipas funksioneve, presidentin e republikës, kryeministrin dhe kryetaren e kuvendit. Kreu i shtetit përfiton një rritje të konsiderueshme të pagës, nga 257 mijë lekë në 425 mijë lekë të reja. Pas tij vjen kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit, të cilëve paga u shkon nga 228 mijë lekë, në rreth 393 mijë lekë të reja.

Përfitues të konsiderueshëm janë edhe ministrat, të cilëve ligji i ri u dyfishon pagat, nga 174 mijë e 760 lekë në 318 mijë lekë të reja. Po kështu edhe deputetët të cilët propozuan përfshirjen e vetes së tyre në listën e përfituesve, dhe më pas votuan ligjin, do të kenë një pagë mujore prej 310 mijë lekë të reja, nga 156 mijë lekë që paguheshin deri tani. Paketa e miratuar sjell rritje edhe për drejtuesit e disa institucioneve, si komisioni i shërbimit civil, Autoriteti i Konkurrencës, AKEP-i, Enti Rregullator i Ujit, AMA, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, ai për mbrojtjen nga diskriminimi, etj, ku niveli i pagave vendoset në 255 mijë lekë të reja, nga 115 mijë lekë që ka qenë deri tani. Rritja vijon në gjithë piramidën e administratës shtetërore, sipas koeficienteve të vendosur në ligj, ndërkohë që përfaqësues të mazhorancës, kanë theksuar se ligji jep zgjidhje problemit historik të pagave të mësuesve dhe mjekëve.

pagat

Në fjalën e tij në seancën e djeshme plenare, Kreu i qeverisë Edi Rama argumentoi se me reformën e pagave, Shqipëria do të ngjitet në nivelin e lartë të rajonit për pagat. Në përgjigje për opozitën përmendi një shprehje të At Gjergj Fishtës.

“Të tjerat janë dokrra hini. Të njëjta dokrra që kemi dëgjuar qysh kur kemi filluar punën dhe qysh kur i kemi filluar këto përpjekje. Ne i hapim rrugë një procesi që në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sipas të gjitha gjasave me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit”, theksoi Rama.

Kryeministri artikuloi se PS-ja e kishte në plan prej kohësh këtë reformë por u pengua nga faktorë që nuk ishin parashikuar si tërmeti, pandemia dhe lufta. Sipas tij, nuk duhet të ketë debat për këtë çështje pasi thotë se qeveria po bën rritjen më të lartë historike të pagave. Për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave, argumentoi se në asnjë vend të botës nuk ka prokurorë e mësues që paguhen më shumë se ligjvënësit. Po ashtu, u ndal edhe te deputeti Dashnor Sula, i cili qëndroi në të njëjtën linjë me Jorida Tabakun e Gazment Bardhin se administrata e meriton rritjen e pagave por është e vonuar. Por Dashnor Sula shprehet se nuk e meritojnë shtesën në pagë dhe premtoi se shifrën që do të merrte ekstra do e çonte në Shoqatën e Jetimëve në Peqin.

Rama e sfidoi së bashku duke i thënë se mund të bëjnë pagë minimale të gjithë deputetët e ministrat, jo të sillen sikur duan të qajnë hallet e popullit. Ministrja Delina Ibrahimaj bëri prezantimin e reformës që thotë se i vë kapakun rritjes së pagave që do të ndikojë edhe në sektorin privat. Sipas saj, Shqipëria e përballon këtë reformë në këtë moment dhe sqaron se efekti financiar do të jetë 39 miliardë lekë.

“Reforma që sjellim sot do t’i vërë kapakun rritjes së pagave. Pjesë e paketës që prezanton parashikon indeksimin e normës së inflacionit. Kjo është një reformë që ekonomia na e mundëson. Sot kemi pagë minimale në nivelin 40 mijë lekë, në vitin 2013 ishte 22 mijë lekë. Ne kemi hapësirën për të përballuar rritjen e pagave. Synojmë të krijomë një piramidë të pagave. Ne synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave. Efekti financiar i kësaj reforme është 39 miliard lekë. Janë mbi 130 mijë punonjës të cilët do të përfitojnë nga kjo reformë”, tha Ibrahimaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura