Presidenti i SHBA-së, Joe Biden merr dozën e tretë të vaksinës: Gjëja më e rëndësishme tani është…

Sep 27, 2021 | 22:05
SHPËRNDAJE

joebiden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori të hënën dozën përforcuese të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë, është të vaksinojmë më shumë njerëz”, tha Biden para se të merrte vaksinën.

Biden, 78 vjeç, e ka marrë dozën e parë të vaksinës më 21 dhjetor dhe dozën e dytë më 11 janar.

Ai tha se edhe zonja e parë, Jill, do ta marrë së shpejti dozën përforcuese.

Javën e kaluar, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA miratuan dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për amerikanët 65 vjeç e lart dhe për ata me probleme të rrezikshme shëndetësore.

Dozat shtesë duhet të jepen së paku gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.

Dozat përforcuese nuk janë miratuar ende për dy vaksinat e tjera që jepen në SHBA: Moderna dhe Johnon&Johnson.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të premten se të dhënat për dozat përforcuese të këtyre dy vaksinave do të vlerësohen “në javët e ardhshme”.

Sipas CDC-së, rreth 184 milionë amerikanë janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ose rreth 56 për qind e popullsisë.

Biden tha javën e kaluar se rreth 60 milionë njerëz në SHBA kanë të drejtë të marrin dozën përforcuese të vaksinës Pfizer./ Marrë nga REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura