Presidenti i Barcelonës e nis me eufori, Laporta: Përmbysim përsëri PSG-në, me Mesin fitojmë Champions-in

Mar 9, 2021 | 14:55
SHPËRNDAJE

“Nëse e kemi përmbysur një herë Parisin, mund ta bëjmë edhe për herë të dytë”. Ky ishte mesazhi i optimizmit që presidenti Joan Laporta i dha skuadrës së Barcelonës në një vizitë të shkurtër në qendrën sportive. Pas zgjedhjes së tij si kreu i klubit ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëpunëtorët kur shkoi të përshëndeste futbollistët dhe trajnerin Ronaldo Kuman. Ishte një takim pa përqafime. Në pak kohë që qëndruan bashkë, presidenti tregoi optimizmin për duelin ndaj PSG-së dhe për të ardhmen. “Sigurisht që unë besoj te përmbysja. Ju jeni të aftë ta bëni diçka të tillë, por mbi të gjitha jam i sigurt që do të shkoni atje për të luftuar”, ishin fjalët e tij në këtë takim të shkurtër. Laporta ka bërë testin për “COVID-19” për të udhëtuar bashkë me ekipin drejt Francës. Ai kërkon që të jetë pranë në këto momente vendimtare dhe të rëndësishme për sezonin aktual, por edhe për planifikimin e të ardhmes.

laporta

ZGJEDHJET – “Dua që të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në votime dhe që demonstruan që Barcelona është më shumë sesa një klub. Ishin zgjedhje të vështira për shkak të pandemisë, por ne ia dolëm”.

MESI – “Përpara 20 vitesh një djalosh që quhej Lionel Mesi debutonte në ekipin e të rinjve të Barcelonës, ndërsa tani është kapiten dhe voton për presidencën e këtij klubi bashkë me të birin. Kjo do të thotë se Leo e do Barcelonën dhe është shumë domethënëse për të ardhmen”.

RIVALËT – “Jemi një familje e madhe. Jam i sigurt që do të vazhdojmë të gjithë bashkë të punojmë për të arritur objektivat. Me përgjegjësi dhe përulësi duhet të bëjmë gjithçka për të ringritur Barcelonën”.

PROJEKTI – “Do të më pëlqente që Barcelona dhe stadiumi i ri ‘Camp Nou’ të ishte një pikë referimi dhe emblemë për të gjithë tifozët tanë dhe për ndjekësit e futbollit. Duhet ta festojmë 125- vjetorin e krijimit në mënyrë fantastike dhe shpresojmë që Leo Mesi të jetë me ne. Duhet që deri në vitin 2026 të kemi fituar të paktën një Champions, ose dy”.

EKONOMIA – “Do të ulim shpenzimet e shumta dhe do të arrijmë të shlyejmë pak nga pak borxhin. Sigurisht që do të flasim me futbollistët për rrogat e tyre dhe duam të afrojmë sponsorë të tjerë. Fillimisht do të bëjmë një analizë të thellë për të kuptuar realisht se në çfarë gjendje ndodhemi”.

KAPITENI – “Të shihje Leon kur votonte ishte diçka që më preku. Kjo është një provë që ai dëshiron të qëndrojë te Barcelona dhe se e do këtë klub. Ne do t’i bëjmë një ofertë ekonomike që ai të ndihet i vlerësuar, por nuk është këtu problemi. Leo do ta fitojë Champions-in dhe e di që tani ka një president që do të bëjë gjithçka për të, por nuk dua të jem gënjeshtar në këtë histori. Unë do t’i bëj një ofertë dhe pastaj ai do të vendosë. Ai mund të flasë edhe me ekipe të tjera, por unë i premtoj se po qëndroi te Barça do të fitojmë Champions-in”.

KUMAN – “E takova. Fola me të dhe me futbollistët për t’i motivuar. Takova edhe Mesin. Ai gjithashtu më uroi për zgjedhjen time si president”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura