Presidenti gjerman thirrje politikës nga Parlamenti i Shqipërisë: Zmbrapsni korrupsionin dhe vijoni Reformën në Drejtësi

Dec 1, 2022 | 12:28
SHPËRNDAJE

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbajti këtë të enjte një fjalim përballë ligjvënësve shqiptarë në Kuvendin e Republikës.

Në fjalën e tij Steinmeier vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe kërkoi vijimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.

Ai kërkoi që të vijojë më tej reforma në drejtësi si dhe të luftohet korrupsioni, pasi janë disa nga pengesat që minojnë procesin e integrimit.

Më entuziasmon fakti se sa shumë ndihet shpirti evropian në vendin tuaj, por dua tu bëj thirrje atyre skeptikëve që kanë humbur dimensionin historik të Bashkimit Evropian  ejani në Shqipëri dhe do të infektoheni sërish këtu me shpirtin evropian.

Unë e di që rruga e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vijojë të jetë ambicioze.

Ndaj ju lutem sot, vazhdoni të punoni më tej në luftën kundër pengesave, punoni më tej në sprapsjen e korrupsionit, vijoni reformën në drejtësi të iniciuar tashmë dhe punoni përtej llogoreve mes opozitës dhe qeverisë, integrimi në Bashkimin Evropian ja vlen për të bërë një përpjekje të tillë. Ju mund të keni mbështetjen e Gjermanisë në këtë rrugë”, tha Frank-Walter Steinmeier.

Gjithashtu ai shtoi: “Bashkëpunimi ynë daton që prej vitit 1988 dhe vendi im e shoqëron rrugëtimin tuaj drejt Evropës që prej asaj kohe. E kemi mbështetur vendin tuaj kur u çliruat nga diktatura staliniste e Hoxhës. Marrëdhëniet tona shfaqen në shumë aspekte të tjera. Numri i shqiptarëve që jetojnë në Gjermani ka arritur në 70 mijë. Volumi tregtar në vitin 2021 ka arritur në vlerën e 450 milionë euro duke dëshmuar rritjen e bashkëpunimit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura