“Preshi në Divjakë është 25 lekë, aty matanë 50”- Braçe denoncon rritjen e çmimeve: Abuzim i llahtarshëm! Ka taposur tregun dhe po lë stok produktet vendase

Dec 20, 2021 | 13:10
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, nga foltorja e Kuvendit denoncoi rritjen e çmimeve të produkteve blegtorale dhe bujqësore në vend. Braçe u shpreh se në treg ka një abuzim të llahtarshëm me çmimet dhe kjo sipas tij dëmton si konsumatorin ashtu edhe bujqit dhe blegtorët vendas.

erion brace

Braçe theksoi se rritja e çmimeve ka  krijuar një stok të produkteve vendase, duke rënduar prodhuesit shqiptarë në bujqësi dhe blegtori.

“Nga buxheti 0.6 miliardë lekë shkojnë në mbështetje për skemat kombëtare të bujqësisë, aq të domosdoshme për të gjithë fermerët që kanë aplikuar dhe që natyrisht janë në nevojë për shkak të gjithë zinxhirit të furnizimit problematik që vjen nga rritja e çmimeve. Natyrisht kjo është njëra anë, ana tjetër është ajo për të cilën unë fola në mënyrën më të qartë të mundshme dhe kur u diskutua buxheti te efektiviteti i parave përtej buxhetit. Shqetësimi i parë janë çmimet, përtej inflacionit që ka kaluar targetin prej 3% në treg ka një abuzim të llahtarshëm me çmimet, në kurriz të qytetarëve dhe në kurriz të këtyre njerëzve të cilët ne u kthejmë mbrapsht taksat e tyre.

Abuzimi që po ndodh me çmimet e produkteve blegtorale dhe bujqësore ka një efekt të dyanshëm. E para bie mbi konsumatorin këtu në qytet dhe kudo, e dyta ka taposur tregun dhe po lë stok produktet e bujqve tanë. Sot në mëngjes bëra një verifikim jo shumë larg prej këtej, 600 metra më tutje, patatja sot që shitet në Divjakë me 40 lekë, këtu matanë është me 80 lekë, qepa që në Divjakë sot shitet me 40 lekë këtu matanë është me 90 lekë, brokoli që në Divjakë sot shitet me 150 lekë, aty matanë është me 200 lekë, lulelakra që sot në Divjakë është 150 lekë, këtu matanë shitet me 200 lekë, preshi që në Divjakë shitet me 25 lekë aty matanë është 50 lekë”, u shpreh Braçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura