Pres nga Gaz Leka një ekspozitë të “katërt”

Nov 4, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

LEKË TASI/

Nga ekspozita “Dhoma e hapave të humbur”
Nga ekspozita “Dhoma e hapave të humbur”

Dola nga ekspozita e Gazmend Lekës me mbresa të forta. Personalisht, kam qenë i dyzuar mbi mënyrën e tij të pikturimit dhe arsyeja është e kuptueshme: prirja e tij e theksuar ndaj së errëtës, madje së zezës. Më shqetësonte sepse e njihja si dishepull të Petro Zhejit, gjë që së paku të bën shpresëtar dhe për pasojë ‘diellor’… Por nuk është e thënë që një filozofi e caktuar të ketë zbatime univoke edhe në art, që thjesht pjesëmarrja në atë ‘klub’ të ndikojë edhe në stil ose gamë koloristike. Gazin e tërhiqte misteri i simboleve, ndaj dhe u thellua në to. Ato e inspiruan me qiej nokturnë dhe diej të largët të shoqëruar me simbole dhe ambiente misterioze, që të impresiononin për larminë e tyre. Megjithatë, kur e shoqëroj me mend zhvillimin e Gazit në tri ekspozita, (po i vendos ato arbitrarisht si tri dhe pò ashtu me intervale pesëvjeçare, 2009-2014-2019), e para me karakterin e lartpërshkruar, në formate të vogla mbi dru ahu; e dyta me formate shumë të mëdha dhe me një agim të zbehtë të dritës, për të cilën e përgëzova dhe parashikova një kthesë të pritshme më të plotë drejt ngjyrës, gjë që m’u vërtetua dje dhe më gëzoi qysh sa hyra. Rreshtimi i punëve në tri sallat e FAB paraprihet në hyrje nga një fytyrë djali të mitur, që ka në zonën syve një dritë të dëlirë, e cila sipas meje simbolizon pafajësinë tonë fillestare, e nisur të përballojë dramën e ekzistencës dhe që duke u luhatur mes qëndresës dhe ligështimit gjatë sprovave, do t’i shërbejë si yll polar në moshën e pjekurisë, për një përdëllim final drejt dritës. Gjetja e tij me torturat m’u duk mjaft origjinale, sepse zbërthen piktorikisht e sidomos simbolikisht alienimin e rrezikshëm ekzistencial (rënia në mëkat/pamundësi për t’u liruar sish). Ai jepet me një autoportret të çarë dysh, njëri nën gjithfarë torturash dhe tjetri aty pranë, spektator e në krizë. Kontrasti koloristik është i artikuluar mirë, materialiteti i sipërfaqeve po ashtu. Mirëpo, errësira sfond përvijohet deri në fund në serinë e Dhomave siç i ka quajtur Leka, (alias kurthet që gjatë jetës do t’i mundojnë shpirtin) pa një avancim drejt lirisë. Mbetja te ky hap kritik, të mundimit të egër, mesjetar e thuajse makabër, të kujton largazi “Kolonia Penale” të Kafkës, d.m.th një “amor fati” përjetuar me ngulmim të mbrapshtë. Pritja që përdëllimi do të përligjte mundimet nuk m’u vërtetua, kështu që dhe i mituri simbol, me një aureolë eliptike mbi krye mbetet pò spektator, thjesht një ishull pafajësie e pafuqishme dhe jo një guidë drejt shpresës për një Hir që vjen së larti dhe shpëtimtar. Të kishim një shenjë qoftë pak të shqiptuar, por të vullnetshme nga piktori te salla e tretë, një aluzion shpëtimi, do t’i jepej kuptim tërë rrugës së torturave dhe vet ekspozitës si e drejtuar te përdëllimi. Mundimet janë nga më të egrat dhe materiali metalik – i dhënë mjeshtërisht, siç di në përsosuri ta bëjë Gazmendi.

Ajo që më sëmboi ndërsa e shoqëroja me sy këtë sekuencë me gjetje të mira kompozicionale, detaje e kontraste, ishte fakti, po e përsëris, që terri nuk u ndahej askund si sfond. Kështu që, cikli mbyllej siç e parandillte qartë edhe titulli i ekspozitës: ‘Hapat e humbura’… Bëra analogji me vepra piktorësh me subjekte shenjtorësh nën tortura, si “Martirizimi i Shën Sebastianit” i Mantegna’s, ku shpëtimi simbolizohet me sfondin qiellor, në të cilin spikat shenjtori me shigjeta në trup dhe të parit së poshtmi-lart, që thekson këtë lidhje të tij me qiellin e kaltër. Natyrisht, ky qëndrim nuk mund t’i imponohet një piktori tjetër dhe atëherë një analogji tjetër po aq domethënëse, por e kundërt të vjen detyrimisht në mend: pamundësia e shpëtimit, një qëndrim pesimist si te romani ‘Procesi” po i Kafkës dhe mos të harrojmë që thika në ijë i vjen protagonistit K në dritën e pamëshirshme të mesditës, si një ankim i fortë i pashpresë i artikuluar nga autori. Dhe analogjikisht që s’ka rrugë shpëtimi edhe për piktorin prej territ, që dominon ekspozitën bashkë me tematikën, të cilat na lënë në pritje të pashpresë ne, spektatorin dhe të miturin, tek i cili aureola mbetet pa domethënie ose e dështuar. Edhe lutja, e përmendur në manifest, si tërësisht e pafuqishme. E pakuptueshme, sepse ashtu do fitonte mendimi për një ndërrim qëndrimi, shkurt largim të tij nga e kaluara besimtare.

Uroj të gabohem, për asnjë arsye tjetër veç asaj artistike. Përbërjet shpirtërore të artistëve të ndryshëm shpesh nuk lidhen me prirjet koloristike të tyre, ato bëhen domethënëse ndofta vetëm psikanalitikisht dhe ato mund të bien ndesh çuditërisht me ato ideore ose shpirtërore. Ekzistojnë plot kombinime që të gabojnë. Veç kësaj, artisti serioz jep sinjale të rralla me anë simbolesh ose gamash koloristike të papritura, në mënyrë që të japin ato sensin e diçkaje themelore që luhet në jetën e tij, ndërsa vetë autori ngjan si i ftohtë. Në rastin tonë shqiptar do të ishte shumë e vlefshme për momentin e tanishëm të shoqërisë të jepej ky lloj arti, me jehonë shpirtërore, dhe jo ai që mundohet të komentojë aktualitetin për mirë o për keq, të cilit ia kemi parë hairin. Në këtë kuptim, Gazi që mbas ‘90-ës është angazhuar në variantin e parë dhe u hyri mistereve me sfond nate, po n‘atë rrugë do t’i krijonte një portret më të plotë veprës së tij nëse peneli i tij do të kalonte në zonat më të ngrohta nga çfarë ka bërë i deritashmi. Këtë pres nga ai në një ekspozitë të ardhme. Ai është një profesionist shume i aftë teknikisht dhe me kulturë, kështu që linja me pafajësinë, që përshkon vuajtjen me episode kuptimplota, të arrijë te rivendosja e saj në një bazë pjekurie, kjo nuk do t’ishte aspak banale si një “happy end” i rëndomtë, sepse edhe në letërsinë serioze, prej së cilës G. Leka merr mjaft, janë të rralla veprat që nuk e kanë këtë kthesë, që bazohen te vitaliteti njerëzor, sigurisht të motivuara bindshëm. Kërkohet vetëm një ide si ajo e djalit të vogël, po i tjetërllojtë, një pelegrin ndofta që kalon në shtigje të panjohura për të mbërritur ose për t’iu afruar qëllimit të dëshiruar. Me njohjen e tij të kahershme të simboleve dhe të marrunit paprerë me projektet artistike që e karakterizon, e shoh të mundur vazhdimin e krijimtarisë së Gazmendit në këtë drejtim, sepse ajo do t’i jepte përgjigje çështjes që ngrita lart, e cila e përsëris, jo detyrimisht angazhon artistin si të tillë, por që i shton notën diellore dhe plotëson, nëse autentike, veprën e tij dhe pritshmërinë tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura