Prenga i jep zemër Laçit: Fatin e ndryshon një gol, skuadra do tregojë karakter

Jul 31, 2018 | 15:20
SHPËRNDAJE

Humbja 3-0 në transfertë kundër Moldes, lë shumë pak vend për shpresë dhe për besim, por trajneri i Laçit, Besnik Prenga, nuk është dorëzuar ende. Në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i kurbinasve “qan” rastet e humbura në Norvegji dhe thotë se të tijtë duhet të provojnë me gjithçka për të tentuar përmbysjen. Prenga dëshiron një gol të shpejtë dhe mendon se ai mund t’i japë krahë Laçit. Por, trajneri i kurbinasve “driblon” të ardhmen e tij në drejtimin e skuadrës bardhezi.

Prenga

Ndeshja e parë– “Mendoj që pavarësisht rezultatit në ndeshjen e parë, bëmë një paraqitje serioze, ku sfida u vendos në dy episode. Penalltia në fillim, për të cilën mendoj që nuk ishte, i dha një drejtim tjetër ndeshjes. Por, më shumë sesa penalltia ishte momenti i golit të dytë, kur ne patëm një rast shumë të mirë për të shënuar. Ishte momenti që mund të rihapte ndeshjen dhe Fangaj mund të realizonte, por ishim të pafat. Jam i kënaqur me paraqitjen që bëmë atje, sidomos në pjesën e dytë dhe treguan forcën e ekipit tonë. Mendoj që rezultati nuk i përgjigjet lojës”.

Shpresat– “Nëse episodet këtë herë do t’i kemi në favorin tonë, sigurisht që mund të bëjmë një mrekulli. Nuk është aspak e lehtë, por do ta provojmë. Por, ne jemi Laçi dhe kemi forcë karakteri. As unë, as stafi im dhe lojtarët nuk e kemi menduar kurrë të dorëzohemi përpara kësaj ndeshjeje”.

besnik-prenga

Strategjia- “Do të isha shumë i mençur nëse do të flisja për strategji, ndërkohë që ndeshja e parë ka përfunduar me rezultatin 3-0. Nuk ka ndonjë strategji, por do të përpiqemi që të japim më shumë sesa maksimumin. Futbolli nuk parashikohet dhe ndoshta gjërat mund të rrjedhin në favorin tonë. Një gol i shpejtë do të na jepte krahë. Këtë do ta dëshiroja, por nuk e di kur do të vijë goli. Kundërshtari ka shumë vlera dhe cilësi. Ne jemi ne dhe nuk mund të dalim jashtë logjikës dhe arsyes. Kaq forcë kemi”.

E ardhmja- “Nuk e di nga qarkullojnë zërat, që unë do të largohem. Të parët që do ta marrin vesh janë lojtarët e skuadrës dhe presidenti. Unë nuk e kam thënë kurrë që do të largohem. Unë do të punoj sikur do të jetoj këtu, jo një vit, por 10 vjet. Ndoshta duhet të bisedoj diçka me presidentin, por kam ardhur për të punuar. Jam këtu për të bërë maksimumin në këto 3 ditë për të nderuar emrin e Laçit”.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura