Mashtrimi me viza pune në Rusi, 4 në hetim, merrnin 5 mijë euro për person

Apr 19, 2015 | 9:28
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Një skemë e mashtrimit me premtime për punësimin e shtetasve shqiptarë në Rusi është zbuluar ditët e fundit nga Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Ky sektor njoftoi se ka nisur procedim penal me akuzën e mashtrimit në dëm të shumë personave për katër shtetas të dyshuar, dy nga të cilët janë identifikuar.

Policia, foto ilustruese

Lulzim Hidri, 45 vjeç, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin 26-vjeçar Hazbi Lushi ka përfituar shuma të konsiderueshme, nga 4-5 mijë euro nga personat të cilëve u premtonte punësim në Rusi. Policia e kryeqytetit deri ditën e djeshme kishte marrë rreth 20 denoncime nga qytetarë të ndryshëm që kishin rënë pre e mashtrimit për viza pune në Rusi.

Burime të grupit të hetimit kanë pohuar dyshimet e Policisë se numri total i personave që kanë rënë pre e një skeme të tillë mund të jetë rreth 100. Personat ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal, sipas Policisë, dyshohet se duke u premtuar punësim me kontrata dyvjeçare në Rusi, u kanë marrë shtetasve të ndryshëm shuma 4-5 mijë euro.

Ata merrnin paradhënie 1 mijë euro e më pas kërkonin pjesën tjetër me pretendimin se do të vijonin me procedurat duke plotësuar edhe disa dosje me dokumente për të rritur besueshmërinë te të dëmtuarit. Premtimi që u bëhej qytetarëve ishte se pasi të shkonin në Rusi, do të fillonin punë me pagë deri në 2500 euro në muaj në fusha si transporti dhe ndërtimi.

Denoncimet e para janë bërë në muajin dhjetor 2014, kur rreth 6 persona shkuan në Polici dhe akuzuan shtetasin Hazbi Lushi. Qytetarët denoncuan se i riu u kishte premtuar punësim gjatë Lojërave Olimpike në Sochi duke u marrë paratë e duke dërguar disa persona në Rusi, por pa u gjetur vendet e punës që kishin premtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura