Premtimi i “Ujkut”, Sefa: Me Lushnjën derisa të kem fuqi

Jul 23, 2018 | 20:29
SHPËRNDAJE

Dy tituj kampionë, 101 gola me klube në karrierë dhe sot… numri 34 mbi tortë. Fatjon Sefa e kuptoi se nuk mund të qëndronte më në Superiore dhe vendosi ta mbyllte me nder me Skënderbeun në fund të sezonit 2014-2015, duke fituar edhe titullin kampion. Atë verë mbushte 31 vjeç dhe vendosi një “bast” me veten.

Sefa

Do të luaj vetëm për Lushnjën time, derisa të kem fuqi. Dhe kur kanë kaluar tre vite nga ajo ditë, Sefa është lideri i padiskutueshëm i skuadrës verdhejeshile. Edhe pse në Kategorinë e Parë, “Ujku” ia doli të shënonte shumë gola dhe ta rikthente ekipin në elitë gjatë sezonit të kaluar.

Sefa ka një eksperiencë të gjatë në Superiore ku ka luajtur me Lushnjën, Shkumbinin, Dinamon, Besën dhe Skënderbeun. Gjatë karrierës së tij deri tani ka shënuar 101 gola, ndërsa ka vendosur të luajë sërish për skuadrën e vendlindjes edhe në sezonin e ardhshëm. Objektivi do të jetë sërish për ta rikthyer ekipin në elitë.

SEFA – Një gjë është e sigurt, Lushnja e edicionit të sivjetmë do të jetë krejt e ndryshme me atë të vitit të kaluar. Por, lajmi më pozitiv për futbollin verdhejeshil është që ekipi lushnjar do të udhëhiqet në fushë nga Fatjon Sefa. Kapiteni i lushnjarëve, sot mbush 34 vjeç, duke e ditur shumë mirë detyrën dhe çfarë e pret në startin e 9 shtatorit.

sefa1

“Që tre vjet më parë ka qenë një zgjedhje e imja personale që të luaj vetëm për Lushnjën derisa sa të kem fuqinë e fundit për të luajtur futboll”, është shprehur sulmuesi Sefa. Në edicionin e kaluar të Superiores, sulmuesi 34-vjeçar shënoi 10 gola, duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës. Një gjë e tillë pritet edhe për edicionin e sivjetmë. Kapiteni shënoi një dygolësh në miqësoren me Apoloninë, duke dhënë sinjalin se do të jetë forca kryesore goditëse e sulmit lushnjar. Futbollisti me shiritin në krah në stadiumin “Roza Haxhiu” jep dhe mesazhin e tij përmes gazetës “Panorama Sport”.

MESAZHI – “Më vjen mirë që shënova për vete, por nuk është problemi se duhet të shënojë Sefa. Duhet ta kenë të gjithë dëshirën për të bërë pjesën përpara, pjesën ofensive deri te goli. Dihet ajo që peshën kryesore do ta mbajë kapiteni Sefa, por edhe unë kërkoj ndihmën e shokëve sepse nuk mund të bëj asgjë i vetëm. Në miqësoren me Apoloninë pjesa e parë ishte e kënaqshme, pastaj ekipi ra. Vetëm dy javë stërvitje kemi.

sefaa

Presim që të na vijnë përforcime në çdo repart, gjë që do t’i bënte mirë ekipit, për vazhdimësinë, për konkurrencën. Ekipi duhet të marrë pamjen e një ekipi solid dhe konkurrues. Mos ta shikojmë individualisht vetëm te Sefa sepse ekipi ka nevojë për përforcime në të tre repartet”, u shpreh kapiteni i lushnjarëve, Fatjon Sefa. Më tej, sulmuesi vazhdon duke thënë: “Kampionati i ardhshëm do të jetë shumë i fortë, pasi janë disa ekipe me emër që garojnë. Ne do të hyjmë në fushë me objektivin për të kapur vendin e parë dhe për t’u ngjitur në Superiore.

E dimë që do të jetë e vështirë, pasi të gjitha ekipet kanë synimet e tyre. Jam i bindur se me grupin që do të krijojmë, do rivalizojmë deri në fund për t’u ngjitur në elitë. Trajneri Ilir Gjyla po bën një punë të mirë dhe të vazhdojmë kështu deri kur të fillojë kampionati. Gjatë kësaj faze do të luajmë edhe disa ndeshje miqësore dhe jam i bindur se do të konsolidojmë formën tonë deri kur të nisë kampionati”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni i Lushnjës, Fatjon Sefa. Ndërkaq, skuadra do të rinisë sërish sot përgatitjet.

Pas dy ditëve pushim në fundjavë, futbollistët do të zbresin në fushë nën drejtimin e trajnerit Ilir Gjyla për të vazhduar normalisht përgatitjet. Stafi teknik ka parashikuar që në vazhdim të luajë edhe takime të tjera miqësore pas sfidës së kaluar me Apoloninë. Gjatë këtyre ndeshjeve miqësore, tekniku Gjyla sheh edhe futbollistët e afruar për provë dhe më pas jep vendimin për ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura