Premtimi i presidentit Skaroni: Milani në stratosferë, futbolli tërheq më shumë se Lady Diana

SHPËRNDAJE

Numri i parë i insertit sportiv të së përditshme “Il Foglio” është hapur me një intervistë të presidentit të Milanit. Paolo Skaroni mes batutash dhe analizash rrëfen 20 ditë që ndryshuan pritshmëritë sezonale të kuqezinjve.

SKARONI

“Elliott” me drejtuesit e rinj dhe merkaton, a e ka rindezur pasionin milanist?

Mendoj se aksionisti kryesor i klubit është në gjendje të garantojë qetësi në shumë aspekte. Ndeshjet janë kompetencë e trajnerit dhe ekipit, por për sukseset nevojitet një shoqëri solide. Mund të kesh në ekip lojtarin më të mirë të botës, por nëse klubi nuk mbështet, është e vështirë për këdo.

Sa rëndësi ka për një klub e drejta televizive?

Nuk është e lehtë të mbajmë gjallë skuadrat e vogla, paraja është limfa që mban në këmbë sistemin futbollistik. Nëse Anglia, Gjermania dhe Spanja janë sot një hap përpara Italisë, është sepse kanë rritur audiencën e tyre televizive. Shpëtimi i shoqërive italiane kalon pikërisht nga shfrytëzimi i së drejtës televizive.

Po, por duhen gjetur edhe sponsorë të rinj.

Ne po bëjmë të pamundurën dhe kemi gati një listë sponsorësh të sigurt. Kemi pikasur terrene të reja dhe do të tentojmë t’i eksplorojmë, por gjithçka do të varet nga rezultatet në fushë. Jemi gati për ta çuar lart Milanin.

Gandini e Gazidhis do të jenë dy goditje në merkaton e drejtuesve?

Kemi bërë hapa përpara në këtë sens, por nuk ka ende një vendim përfundimtar. Brenda disa javësh do të jetë gjithçka më e qartë dhe deri atë ditë unë do të bëj të pamundurën për Milanin. Në kohën e duhur do të bëj hapa pas, në mënyrë që të kemi dikë që do t’i kushtohet klubit me kohë të plotë.

Cili është ndryshimi mes menaxhimit të Milanit dhe një kompanie energjetike si “Enel”?

Ne krahasim me kompanitë që përmendët, Milani është diçka e vogël, por ka një mori kleçkash në nivel bilanci, që shoqëritë energjetike s’e kanë. “Fair Play Financiar” është njëra syresh. Më pas është pasioni, të shohësh entuziazmin e tifozëve është një kënaqësi që nuk e merr duke drejtuar kompani të mëdha.

Sa rëndësi ka futbolli në ditët e sotme sipas jush?

Nëse sot do të luhej Real Madrid-Mançester Junajtid, 300 milionë europianë do të uleshin përpara televizorëve. Edhe disa vende që deri para pak kohësh nuk ishin shumë të përfshirë nga futbolli, sot i kushtojnë një vëmendje të madhe falë rëndësisë së këtij sporti. As dasma e Lady Dianës nuk ka tërhequr kaq shumë vëmendje.

Çfarë ka sjellë në klub ardhja e një figure si Maldini?

Paolo është milanist nga koka te këmbët. Negociatat me të nuk ishin aspak të vështira. Le të themi se reflektuam për t’i gjetur rolin e duhur një personazhi që e karakterizon pasioni absolut për Milanin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

 

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.