Premisat e misionit aktual të diplomacisë amerikane në Ballkan

Oct 15, 2019 | 10:49
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI  dritan hoti

Realitetet aktuale në rajone të ndryshme përcjellin peshën e së shkuarës historike, që i ka ravijëzuar ato. Në rast se në disa prej tyre trashëgimia perandorake ka shënjuar jo pak dinamikën, natyrën e sfidave si dhe realitet gjeopolitike aktuale, konstelacioni aktual i Europës Juglindore paraqitet më kompleks. Në të vërtetë, Ballkani, edhe më përpara, krahasimisht me rajone të tjera anembanë botës, ka qenë një territor pikëtakimi i dy perandorive, i asaj otomane, një strukturë imperiale, e cila shtrihej në 3 kontinente, si dhe Perandoria Austriake, një strukturë perandorake kontinentale. Ndërkohë që realitetet gjeopolitike moderne në Ballkan janë konceptuar më shumë se gjithçka tjetër për t’u shërbyer rendeve të ndryshme europiane, të përvijuara në përfundim të një përplasjeje të fuqive të mëdha, shfaqja e Gjermanisë dhe Italisë së bashkuar si dhe futja e Rusisë në skenën europiane e përfshinë Ballkanin në kalkulat e skemave gjeopolitike të blloqeve të aleancave të fuqive të mëdha rivale. Në këtë vazhdë, në fundin e Luftës së Parë Botërore, struktura e re gjeopolitike në Ballkan, e cila duhej t’i shkonte në mbështetje arkitekturës së re europiane të prodhuar në periudhën e Postluftës I Botërore, përmbante një konfederatë të sllavëve të Jugut rreth Serbisë, ndërtuar pjesërisht mbi zotërimet e Perandorisë Habsburgase, në të cilën përfshihej edhe Kosova, pjesa veriore e hapësirës së banuar nga shqiptarët, një lloj entente ballkanike, me pjesën e mbetur të shteteve të Ballkanit si element i strategjisë të konceptuar nga diplomacia franceze së bashku me aleancën e Polonisë, Çekosllovakisë, për të mbajtur të rrethuar strategjikisht Gjermaninë. Kjo arkitekturë u përmbys nën goditjen e Luftës II Botërore. Dominimi ushtarak gjerman mbi Jugosllavinë, i shtrirë mandej në të gjithë Ballkanin, shpërbeu arkitekturën ballkanike të ndërmjet dy Luftërave Botërore, teksa prej Jugosllavisë u përvijuan rreth 5 shtete të tjera si dhe Kosova iu bashkëngjit Shqipërisë. Struktura ballkanike e Luftës së Ftohtë, që ishte një rikthim në status quo-në, me një fjalë e ngjashme me atë të ndërmjet të dy Luftërave Botërore, me një kusht shtesë, një si lloj marrëveshjeje e heshtur midis dy superfuqive për të penguar shpërthimin e konflikteve, i cili do të mund të rezultonte me pasoja të pakontrollueshme. Në botën e Pasluftës së Ftohtë, e cila u shënjua nga prirja që u manifestua edhe te kombet e tjera të Ballkanit, ajo e ndjekjes së interesave së tyre kombëtare si dhe rishfaqjen e Gjermanisë së bashkuar në mbështetje të pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë, duke iniciuar kësodore nisjen e dezintegrimit të Jugosllavisë për herë të tretë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në kryesimin amerikan 20 vite më parë, me objektiv stopimin e Serbisë në realizimin e planeve të saj kombëtare nëpërmjet praktikave me karakter genocidar, duke zhbllokuar njëkohësisht çështjen shqiptare si dhe duke i dhënë trajtë fizionomisë aktuale të Ballkanit.

Në këto ditë kur vazhdojnë të rrihen mendime e avancohen prognoza në lidhje me projeksionin dhe synimet e misionit të mandatuarit të diplomacisë amerikane për Ballkanin, diplomatit të lartë të Departamentit të Shtetit, Mathiew Palmer, puzzle aktual ballkanik është një përzierje e rivaliteteve të bartura ndërmjet fqinjëve me përpjekjet e tyre për integrimin në aleancën euroatlantike me interferencat e fuqive të tjera të mëdha, si Rusia, Kina, Turqia si dhe Gjermania në emër të Bashkimit Europian, por ndoshta më shumë në ndjekjen e interesave të saj, veçmas shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Britanisë së Madhe, që nuk diferencon shumë nga aleatja e saj speciale, SHBA-të. Duke u nisur nga natyra e sfidave dhe kompleksiteti i rivaliteteve, realiteti i ri gjeopolitik që po projekton Mathiew Palmer si mishërues i diplomacisë amerikane, parashikohet detyrimisht nëpërmjet zgjidhjeve në funksion të ruajtjes së disa ekuilibrave thelbësore, të cilat, në fakt, shërbejnë për t’iu vënë një fre impulsive që mund të vijnë nga vende apo skema të caktuara, që mund të rezultojnë jo vetëm si pengesa kryesore në ravijëzimin e këtij realiteti, por edhe premisat për përmbysjen e tij. Paralelisht me rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Greqi, e përmendur gjatë vizitës së fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Athinë, që do të shkonte në favor të përforcimit të pozitave të SHBA-ve në Mesdheun Lindor, diplomacia amerikane do të ketë rolin e mbikëqyrësit për vazhdimësinë e marrëveshjes së Prespës me efekte të drejtpërdrejta për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut si dhe rrugëtimin e saj në aleancën perëndimore. Mandej, i vjen radha shmangies së përmbysjeve politike në Malin e Zi, me rrjedhojë ndryshimin e kursit gjeopolitik atje, i cili figuron gjithashtu si një ndër vektorët e skemave të diplomacisë ruse për Ballkanin. Ndërkohë që mentesha e këtij ekuilibri të gjerë rajonal nuk është tjetër, veçse gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila, në fakt, nënkupton një normalizim të marrëdhënieve të botës shqiptare me atë serbe në Ballkan.

Të kufizuar prej shekujve me njëri-tjetrin, duke jetuar veçanërisht në 150 vitet e fundit në një antagonizëm historik, që të dyja kombet, shqiptarët e serbët, vazhdojnë ende të jenë të kundërt sa u përket perceptimeve si dhe rreshtimin e tyre gjeopolitik. Ja, pra, se si mbërritjes në një dakordësi të pranuar midis dy kombeve i shëmbëllen një sipërmarrje te koklavitur. Komplikacionet në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi paraqiten kësisoj gjithëpërfshirëse siç janë edhe pritshmëritë për të. Ato, pikësëpari, duhet të mbështeten mbi një proporcionalitet në lidhje me pritshmëritë reciproke e mandej duhet të mbështeten në norma e principe sipas legjitimitetit të së drejtës ndërkombëtare si dhe të jenë në njëfarë mënyre brenda suazës së skemave të diplomacisë amerikane për rajonin. Për më tepër, kjo duhet të jete e pranueshme edhe për pritshmëritë e Bashkimit Europian, strukturë në të cilën pjesa e mbetur e rajonit mëton të integrohet. Ndërkohë që një marrëveshje e tillë paradoksalisht parashikohet të realizohet në momentin kur Serbia, njëra prej palëve në negociata, po armatoset nga një fuqi tjetër, e cila tradicionalisht e ka konsideruar rajonin tonë, edhe ende vazhdon si një zonë ekskluzive të interesave të saj, Rusia. Rusia, e cila në ndryshim nga Shtetet e Bashkuara që synojnë të nxisin një realitet të ri në Evropën Juglindore nëpërmjet integrimit të rajonit në strukturën atlantike si edhe në Europën e bashkuar, duke garantuar nëpërmjet kësaj ruajtjen e balancave, ka si pikësynim të shtrijë influencën e saj bazuar në piketat tradicionale ku përbashkohen popullsitë sllave me kishën ortodokse, si dhe duke manipuluar në vende me popullsi jo të favorshme për të, segmente të rëndësishme elitash që ndodhen në vigjilje procesesh transformuese që i shënjojnë pikërisht ato, duke inkurajuar një lloj çekuilibri, e thënë ndryshe, kaos rajonal. Deklaratat e të dërguarit amerikan për Ballkanin se: “SHBA-të do të përkrahin fort integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Evropë”, tingëllojnë si deri diku të pakuptimta, duke mbajtur parasysh mekanizmat tekniko-juridikë të procesit të integrimit në Europë, teksa përmbajtja e tyre është e mirëpeshuar. Mesazhi tyre është strategjik, pasi pranimi “en block” i pjesës së mbetur të Ballkanit Perëndimor në një strukturë ekonomiko-juridike, i tillë si Bashkimi Evropian, do të reduktonte përfshirjen e rajonit në skemat integruese ekonomike njëkohësisht me sfond gjeopolitik, që vijnë nga ana e Kinës si dhe do të shmangte përforcimin e prezencës së Turqisë në hapësirat e caktuara në Europën Juglindore. Një mision i caktuar i diplomacisë së një superfuqie apo një fuqie të caktuar me qëllim përvijimin e një realiteti të ri gjeopolitik në një rajon të caktuar, në rastin në fjalë, ai i SHBA-ve në Ballkan, nuk e ka detyrimisht të garantuar suksesin. Në mungesë të tij, diplomacisë amerikane do t’i duhej të përqendrohej në piketat e saj mbështetëse, që janë vende e popullsi me qëndrime të favorshme përkundrejt skemave të saj. Shqiptarët i përfaqësojnë më së miri këto pritshmëri. Sërish, emisari amerikan për rajonin, në lidhje me Shqipërinë, deklaronte se: “Populli shqiptar është aleati i SHBA-ve”, duke mos përfshirë në këtë aleancë elitën politike drejtuese të 28 viteve të fundit në Shqipëri. Në këtë vazhdë, një pjesë e misioni të tij do të karakterizohet nga mbikëqyrja e procesit të brendshëm transformues në Shqipëri, atij të vendosjes së një simetrie ndërmjet pozicionimit të popullit shqiptar në aleancën perëndimore, me të drejtën e tij të privuar, atë të evoluimit të tij brenda kontureve të një shteti real të së drejtës.

Prania e rritjes amerikane në Ballkan do të ketë domosdoshmërisht si rezultat ndryshimet gjeopolitike të strukturave në rajon, qoftë në drejtim të proceseve integruese, ashtu edhe në të kundërt, në atë të favorizimit të çështjeve kombëtare, duke përfshirë edhe atë shqiptare.

Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura