Preken ishujt e Sarandës nga 12 miljet greke? MPJ sqaron: Ja e vërteta e marrëveshjes

Oct 20, 2018 | 15:05
SHPËRNDAJE

Kotzias-BushatiPas deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias dhe synimin e Greqisë, për të zgjeruar me 12 milje hapësirën territoriale detare, burime nga Ministria e Jashtme sqaruan se nga ky veprim nuk preken ishujt shqiptar në gjirin e Sarandës.

Edhe pse jo zyrtarisht Ministria e Jashtme sqaron se: “Çështja e zgjerimit të gjerësisë së detit territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare e cila ia njeh këtë mundësi të gjithë shteteve, ashtu siç edhe Shqipëria e ka bërë një gjë të tille prej vitesh.

Por distanca e 12 miljeve nuk zbatohet në gjirin e Sarandës apo në zonat e tjera të detit territorial mes dy vendeve, pasi distanca në këto zona është nën 12 milje”.

Burimet nga Ministria e Jashtme tha për ne Panorama se: “Parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur deti territorial i një shteti nuk mbivendoset me detin territorial të shtetit fqinj ku distanca është më e vogël se 24 milje”.

Debati publik mbi parimin e 12 miljeve

Burime nga Ministria e jashtme theksuan më tej se: “Neni 3 i konventës për të drejtën e detit u njeh shteteve të drejtën e shpalljes së detit territorial deri në 12 milje detare, por kjo e drejtë duhet të shprehet me ligje të brendshme dhe këto ligje duhet te depozitohen ne OKB.

Nga ana e saj Greqia me ligjin e saj të brendshëm Nr. 230 të vitit 1936, ka shpallur gjerësinë e detit të saj territorial deri në 6 milje detare. Pas bërjes palë e konventës në vitin 1995, Greqia ka shprehur synimin për të zgjeruar në të ardhmen detin territorial nga 6-12 milje detare”.

bushati kotzias

Qëndrimi i Greqisë

 Greqia është gati të zgjerojë ujërat e saj territorialë në krahun perëndimor, nga 6 në 12 milje detare.

Ky është njoftimi i ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i dhënë këtë të shtunë gjatë ceremonisë së dorëzimit të portofolit ministror te kryeministri Alexis Tsipras.

Njoftimi, në fakt, zgjeron zonën detare nga ishujt Diapontia, një grup ishujsh të vegjël në detin Jon – ku bën pjesë edhe Otonoi, – deri në Antikythera, një ishull që shtrihet mes Peloponezit dhe Kretës.

“Ky është një zgjerim i rëndësishëm politik i sovranitetit të vendit, për herë të parë që prej kohës kur Greqia përfshiu grupin e ishujve Dodecanese (më i madhi i të cilit është ai i Rodosit)”, tha Kotzias, duke shtuar se dekretet presidenciale janë gati.

Kotzias dha dorëheqjen këtë javë për shkak të mosmarrëveshjeve me kreun e partnerit në koalicionin e qeverisë së majtë, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Panos Kammenos.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura