“Prej vitesh kontrabandoheshin mallra, krimi është ndihmuar nga politikanë të caktuar”/ Presidentja Osmani reagon për tensionet në veri të Kosovës

Oct 13, 2021 | 19:45
SHPËRNDAJE

vjosa osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar për tensionet në veri të vendit si pasojë e operacionit kundër kontrabandës së mallrave.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani shkruan se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme. Sipas saj, ku nuk mund të quhet aksioni në veri, pasi operacioni është zhvilluar në të gjithë territorin.

Sipas kreut të shtetit kosovar, në jug dhe në veri të vendit, ka persona që prej vitesh e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale dhe se ndihmohen nga politikanë të caktuar.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e këta persona të përbashkëtën e kishin kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura