Prej kërpi/ Dy përparësitë që ofrojnë këto lloj maskash. Për 6 muaj bëhen ushqim për…

Sep 21, 2020 | 18:25
SHPËRNDAJE

Koronavirusi ka krijuar një numër sfidash për autoritetet e shoqëritë në mbarë botën. Në fillim u shfaq problemi i mungesës së mjeteve mbrojtëse për personelin mjekësor dhe popullatën në përgjithësi.

Hemp

Por me kalimin e muajve, këto mjete mbrojtëse janë shndërruar në ndotje për mjedisin, pasi njerëzit hedhin pa kujdes maskat dhe dorezat me një përdorim. Një sipërmarrës francez thotë se ka gjetur zgjidhjen e problemit përmes produkteve prej kërpi.

Në një fabrikë në jug të Parisit, pëlhura e kërpit pritet me lazer në një linjë prodhimi të maskave të para të biodegradueshme në Evropë.

“Do të ishte krim të mos ndalonin produktet sintetike që sillen nga skaje të tjera të globit kur mund të prodhojmë me materiale bujqësore vendase,” thotë Frederic Roure, presidenti i kompanisë “Geochanvre”.

Maskat shiten për afro 1euro si zgjidhje për problemin e mbeturinave që ka krijuar pandemia nga pajisjet mbrojtese me një përdorim që nuk do të dekompozohen për shekuj me radhë.

Qeveritë, strukturat e kujdesit shëndetësor dhe korporatat kanë blerë qindra miliarda maska, doreza e mjete të tjera mbrojtëse me një përdorim për personelin e tyre.

Zoti Roure thotë se ndryshe nga këto produkte, maskat prej kërpi do të shpërbëhen shumë shpejt.

“Për mua përdorimi i fibrave botanike është një logjikë që na e ka përcjellë historia: po i përgjigjemi një problemi të natyrës me një zgjidhje nga natyra”.

Në fabrikë, kërpi kalon nëpër kompresorë dhe më pas shtrihet duke u shndërruar në pëlhurë që ka edhe përzierje fibrash misri, për ta bërë më të rehatshme për përdoruesin. Llastiku po ashtu është nga material që dekompozohet.

“Fibrat botanike janë shumë elastike dhe mund të përdoren në një numër produktesh. Kërpi është njohur prej mijëra vjetësh falë vetive të tij; është përdorur në filtrim, apo për lundrim. Ne shfrytëzuam këto karakteristika të bimës për të prodhuar pëlhurën tonë filtruese,” thotë zoti Roure.

Klientë, kryesisht nga Evropa dhe Kanadaja kanë blerë deri tani 1.5 milionë maska prej kërpi nga kjo kompani.

“Kur maskat tona hidhen në plehra, bëhen pjesë e natyrës pasi dekompozohen me shpejtësi. Produktet prej kërpi zhduken plotësisht në tokë për 3-6 muaj. Bëhen ushqim për krimbat. Nuk ndodh ashtu me maskat e tjera, që lënë copa plastike blu në mjedis,” thotë zoti Roure.

Në shkallë botërore llogaritet se çdo muaj shiten 129 miliardë maska dhe 65 miliardë doreza me një përdorim, sipas një studimi të revistës ambjentaliste Environmental Science and Technology. Pjesa më e madhe e pajisjeve mbrojtëse prodhohen me polipropilen, polithen dhe vinil. Sipas shoqatës Waste Free Oceans, këto materiale sintetike duan deri në 450 vjet për t’u dekompozuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura