Prapaskenat/ Tirana dhe Partizani bëhen bashkë për policinë

Sep 25, 2018 | 13:02
SHPËRNDAJE

Sezoni i ri futbollistik në Shqipëri ka nisur me një rregull të ri, ku mbarëvajtja e ndeshjeve në perimetrin e brendshëm të stadiumeve iu ka kaluar stjuartëve, ndërsa uniformat blu qëndrojnë në gatishmëri jashtë impianteve. Por ku vjen radha e derbit, sensibilizimi dhe puna organizative duhet të jetë disa herë më e madhe, ndaj Tirana pritet që të zhvillojë një raund bisedimesh me klubin kundërshtar dhe Policinë.

partizani tirana derbi hoxha muca

Gjasat që në bisedimet mes tri palëve të mësipërme të ketë edhe përfaqësues të FSHFsë, por kjo mbetet për të parë. Mësohet se bardheblutë do të kërkojnë edhe mirëkuptimin e klubit të kuq, por edhe të policisë, që derbi të zhvillohet me praninë e uniformave blu në ambientet e brendshme të stadiumit, në mënyrë që rendi dhe siguria të jetë në shkallën maksimale dhe ndeshja të ketë një mbarëvajtje korrekte. Pra, pritet që dy klubet të bëhen bashkë, në mënyrë që ky derbi i organizuar për herë të parë me rregullin e stjuartëve ta kalojë me sukses testimin.

Shpresohet te mirëkuptimi mes palëve, në të kundërt, Tirana si klub organizator duhet të bëjë sforco maksimale me shoqëri private të sigurimit që të sigurojë efektivët e mjaftueshëm për të përballuar takimin. Mbetet për të parë se si do të zgjidhet ndarja e sektorëve, ku në disa raste afërsia e tribunave ka qenë shkaktare për incidente mes palëve.

Në këtë rast bëhet fjalë për tifozët e tribunave qendrore, A dhe B, të cilët janë shumë afër me sektorët H e C, ku zakonisht qëndrojë ultrasit. Takimi i së premtes, që do të luhet në “Selman Stërmasi”, ora 19:45, shikohet si një etalon për atë që pritet të ndodhë në vijimësi për organizimin e ndeshjeve në Kategorinë Superiore, por edhe në nivelet e mëposhtme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura