Prapaskenat, si u transformua ndërhyrja në ligjin për pronat. Iu paraqit publikut për konsultim publik me vetëm 3 nene, por…

| 14:55
SHPËRNDAJE
 

ARDIT HOXHA/ Në mesin e 11 projektligjeve dhe 2 akteve normative që u miratuan në seancën plenare të datës 29 korrik, ishte edhe një ndryshim në ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar.bushka

I kaluar pa debat parlamentar dhe me një nxitim në komisionet parlamentare, kjo nismë ligjore ka disa prapaskena që janë zhvilluar në harkun kohor të 7 ditëve, që nga momenti kur është depozituar zyrtarisht në Kuvend, diskutimi në Komisionin e Ligjeve dhe më pas miratimi në seancën plenare me 80 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim.

NDRYSHIMET

Në thelb, kjo nismë ligjore propozon ndryshime në 3 nene të ligjit “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, duke synuar garantimin e sigurisë në marrëdhëniet juridike të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të shtetit, vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre marrëdhënieve, veçanërisht mbi pronën publike. Sipas asaj që thuhet në relacionin që shoqëron ligjin, nisma vjen me qëllim plotësimin e kuadrit ligjor për pronat e paluajtshme shtetërore.

“Qëllimi i këtij projektligji është plotësimi i kuadrit ligjor ekzistues mbi pronat e paluajtshme të shtetit, duke parashikuar dispozita për përkufizimin dhe identifikimin e bregut e detit, si pronë e paluajtshme publike. Projektligji sjell këto përparësi: – Mbrojtjen e vlerave natyrore dhe turistike të vendit, të pronës publike në tërësi. – Mbrojtjen e posaçme e bregut të detit, si një nga pasuritë me interes të lartë publik, e cila përfshin sipërfaqen e tokës përgjatë vijës bregdetare, që është pronë publike e patjetërsueshme. – Garantimin e statusit dhe mbrojtjes ligjore të kësaj pasurie, e cila është një ndër pronat më të rëndësishme për shkak të vlerës që ka në shumë aspekte dhe fusha të veprimtarisë publike, shtetërore dhe në vetë jetën e vendit. – Sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”, thuhet në relacion. Ndërsa si objektiv i nismës citohet: “Objektiv final i kësaj nisme është garantimi i sigurisë në marrëdhëniet juridike të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të shtetit, i vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së këtyre marrëdhënieve, veçanërisht mbi pronën publike, si dhe konfirmimi i bregut detar si pronë e tillë”.

TRANSFORMIMI I NISMËS

Por ky ndryshim ligjor nuk ishte i njëjtë që nga momenti kur iu paraqit qytetarëve për konsultim publik në datë 25 qershor dhe më pas kur u miratua në Kuvend në 29 korrik. Në projektligjin që u paraqit për konsultim publik, ishin vetëm tri nene, ku bëheshin saktësime teknike për pronat në breg të detit.

“Neni 1, në nenin 2 shtohet germa ‘ç’ me këtë përmbajtje: ‘bregu i detit’ është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, me gjerësi dhe kufi të përcaktuar sipas legjislacionit ‘Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore’, e cila është pronë publike e patjetërsueshme”; Neni 2, në nenin 3, në germën ‘a’ të pikës 1, pas shprehjes ‘vija bregdetare për të hyrë në tokë’ shtohet shprehja ‘bregu i detit’”, ishte përmbajtja e nismës ligjore që bashkë me nenin për futjen në fuqi ishte paraqitur për konsultim publik. Por pasi qëndroi për më shumë se 3 javë në faqen e Konsultimit Publik, ligji u fut në procedurë parlamentare në datën 22 korrik.

Me futjen në procedurë parlamentare, ku u shqyrtua në Komisionin e Ligjeve, dhe relatore ishte Klotilda Bushka, nismës ligjore i ishte shtuar edhe një nen tjetër. Kështu, pas neneve 1 dhe 2, shtohet neni 3 me këtë përmbajte:

“Pronat e shtetit në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore që i kalojnë me destinacion palëve të treta. Prona të paluajtshme të shtetit, të cilat u kanë kaluar në përgjegjësi administrimi institucioneve qendrore, sipas dispozitave të këtij ligji, për t’u vendosur në dispozicion të subjekteve të së drejtës private që synojnë realizimin e një interesi publik, pa qëllim fitimi, të themeluara dhe që funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse, do të përdoren për aq kohë sa subjekti privat jofitimprurës ekziston, destinacioni i përdorimit dhe zhvillimit të pronës nuk ndryshon dhe kur në pronë është kryer investim mbi 5 milionë euro, për qëllimet e aktivitetit të tij.

Rregullat dhe procedurat për lidhjen e kontratës së përdorimit pa afat, sipas kritereve të mësipërme, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në çdo rast, në kontratën e përdorimit do të specifikohet se pronës nuk mund t’i ndryshohet destinacioni. Në asnjë rast, kjo pronë, së bashku me ndërtimet, investimet dhe përmirësimet e saj, nuk mund të jetë objekt i asnjë barre hipotekore apo procedure ligjore nga kreditorët e subjektit juridik privat jofitimprurës, për të realizuar vjeljen e detyrimeve që këta kreditorë kanë ndaj personit juridik privat jofitimprurës”.

Pra, me këtë pikë të shtuar në ligj, qëllimi është që bëhet një normim i marrëdhënies juridike mes shtetit dhe organizatave jofitimprurëse në funksion të mbrojtjes së interesave të shtetit, duke parashikuar detyrimet e organizatave jofitimprurëse.

SHTESA E BËRË NË LIGJ NGA KOMISIONI

SI ISHTE

Neni 1

Në nenin 2 shtohet germa “ç” me këtë përmbajtje: “‘Bregu i detit’ është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, me gjerësi dhe kufi të përcaktuar sipas legjislacionit ‘Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore’, e cila është pronë publike e patjetërsueshme”.

Neni 2 “Në nenin 3, në germën ‘a’ të pikës 1, pas shprehjes ‘vija bregdetare për të hyrë në tokë’, shtohet shprehja ‘bregu i detit’”.

Neni 3 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

SI U BË

Neni 1 Në nenin 2 shtohet shkronja ‘ç’, me këtë përmbajtje: “ç) ‘bregu i detit’ është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, me gjerësi dhe kufi të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, e cila është pronë publike e patjetërsueshme”.

Neni 2 Në shkronjën ‘a’, të pikës 1, të nenit 3, pas fjalëve ‘… vija bregdetare për të hyrë në tokë …’, shtohen fjalët ‘… bregu i detit …’. 

Neni 3 Pas nenit 16 shtohet neni 16/1, me këtë përmbajtje: “Neni 16/1, Pronat e shtetit në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore që u kalojnë me destinacion palëve të treta, Prona të paluajtshme të shtetit, të cilat u kanë kaluar në përgjegjësi administrimi institucioneve qendrore, sipas dispozitave të këtij ligji, për t’u vendosur në dispozicion të subjekteve të së drejtës private që synojnë realizimin e një interesi publik, pa qëllim fitimi, të themeluara dhe që funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse, do të përdoren për aq kohë sa subjekti privat jofitimprurës ekziston, destinacioni i përdorimit dhe zhvillimit të pronës nuk ndryshon dhe kur në pronë është kryer investim mbi 5 milionë euro, për qëllimet e aktivitetit të tij. Rregullat dhe procedurat për lidhjen e kontratës së përdorimit pa afat, sipas kritereve të mësipërme, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në çdo rast, në kontratën e përdorimit do të specifikohet se pronës nuk mund t’i ndryshohet destinacioni. Në asnjë rast, kjo pronë, së bashku me ndërtimet, investimet dhe përmirësimet e saj, nuk mund të jetë objekt i asnjë barre hipotekore apo procedure ligjore nga kreditorët e subjektit juridik privat jofitimprurës, për të realizuar vjeljen e detyrimeve që këta kreditorë kanë ndaj personit juridik privat jofitimprurës”.

Neni 4 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.