Prapaskenat, si u bënë 73 vota për Shpëtim Idrizin

May 23, 2015 | 19:34
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, është zgjedhur dje si zëvendëskryetari më i ri i Parlamentit të Shqipërisë. Pas hyrjes në koalicionin e maxhorancës së majtë, dje shumica e ka emëruar Idrizin si numrin dy të Kuvendit.


Shpëtim Idrizi ka marrë dje 73 vota pro të kolegëve të shumicës PS+LSI, ndërkohë votën abstenim të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. Në votim ka marrë pjesë deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda dhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ndërkohë që deputetët e opozitës janë larguar para votimit.

PRAPASKENA
Zgjedhja e Idrizit është bojkotuar nga Partia Demokratike, deputetët e së cilës janë larguar disa minuta para nisjes së procesit të votimit. Pas përfundimit të diskutimit të dekretit të Presidentit për ligjin e shërbimit të jashtëm, kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka lëvizur nëpër sallë duke u kërkuar deputetëve të PD-së që të dalin nga salla. Demokratët nuk janë larguar menjëherë, por kanë dalë grupe-grupe. Largimi i deputetëve të opozitës ka lënë shumicën pa kuorumin e nevojshëm në sallën e Parlamentit, çka detyroi kryetarin e Kuvendit që të ndërpresë seancën për 30 minuta deri në mbërritjen e “përforcimeve”, deputetë të cilët ndodheshin në kafe apo për drekë.

MUNGESAT
Gjatë procesit të votimit, ra në sy se veç deputetes Mesila Doda në sallë qëndroi dhe deputeti i Fierit, Kozma Dashi. Por ky i fundit ka votuar vetëm prezencën dhe më pas është larguar, ndërkohë që kolegia e tij, Mesila Doda, ka qëndruar deri në fund për të votuar kreun e PDIU-së në detyrën e re. Ra në sy gjatë votimit se mungonte Kryeministri Edi Rama, po ashtu dhe kreut i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili ka bojkotuar punimet që në fillim të seancës. Mungesë tjetër që ra në sy, ishte ajo e deputetit të PDIU-së së Vlorës, Dashamir Tahiri, i cili nuk iu bashkua kolegëve për të votuar kryetarin e Partisë, Shpëtim Idrizi. Nga Grupi i PDIU-së ishin vetëm deputetët Tahir Muhedini, Omer Mamo dhe Aqif Rakipi. Po dje maxhoranca e majtë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Bujar Nishani për ligjin e shërbimit të jashtëm. Shumica e majtë ka hedhur poshtë dekretin e Nishanit me 74 vota kundër dhe vetëm një votë pro. Pro Nishanit ka votuar ish-aleati i Partisë Demokratike, Nard Ndoka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura