Prapaskenat për negociatat/ Kryediplomati grek mbledh homologët nga 20 vende të BE. Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Dec 9, 2019 | 22:17
SHPËRNDAJE

Qeveria greke është e vendosur të ndërmarrë të gjitha nismat e nevojshme për të siguruar që ambicia e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të bëhet realitet së shpejti, tha Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias.

w_55693799-800x450

Dendias organizoi një mëngjes pune në Bruksel të hënën (9 dhjetor), në të cilin morën pjesë më shumë se njëzetë homologë të BE, por edhe Gent Cakaj i Shqipërisë dhe Nikolla Dimitrov i Maqedonisë së Veriut.

Ishte një mundësi e parë e dobishme për hapat e ardhshëm pas mbledhjes së Këshillit të tetorit,” tha Dendias, duke iu referuar samitit të BE i cili dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore për të filluar bisedimet e pranimit në BE.

Kryediplomati grek tha se është e nevojshme për të mbajtur perspektivën evropiane të dy vendeve në krye të agjendës.

“Greqia është vendi më i vjetër i BE në rajon. Është faktor kryesor në stabilitetin dhe promovimin e bashkëpunimit dhe do të vazhdojë të ndërmarrë nisma konkrete në këtë drejtim“, shtoi Dendias, duke theksuar se objektivi është një rezultat pozitiv “ndoshta marsin e ardhshëm“.

Në Këshillin e tetorit, Franca, Holanda dhe Danimarka kundërshtuan fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Tiranën dhe Shkupin.

Në një intervistë të mëvonshme për “Economist”, Presidenti Francez Emmanuel Macron e bëri të qartë se BE-ja duhej të reformonte procedurat e anëtarësimit, të cilat ai tha se “nuk ishin më të përshtatshme për qëllim“.

Euractiv shkruan “opozita kryesore në tetor ishte në thelb kundër Tiranës dhe jo Shkupit”.

Sidoqoftë, burimet diplomatike i thanë EURACTIV se në takimin e së hënës, Holanda dhe Danimarka ndërmorën një hap pas në kundërshtimet e tyre kundër Shqipërisë. Të njëjtat burime thanë se ka shumë të ngjarë që një klauzolë shtesë për rastin e Shqipërisë të shtohet në mënyrë që të zhbllokojë bisedimet e pranimit në BE.

I pyetur nëse ekziston mundësia që të “dekualifikohen” ato dy vende në mënyrë që të hapen bisedimet e Maqedonisë së Veriut për në BE, ndërsa i drejtohen Shqipërisë në një fazë të mëvonshme, një diplomat tha se kjo mundësi është gjithmonë e pranishme, por nuk do të ishte e dobishme për asnjë vend anëtar të BE-së ose rajonin më gjerë të Ballkanit.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian nuk mori pjesë në takim dhe, sipas burimeve, nuk ishte planifikuar të marrë pjesë në këshillin e punëve të jashtme më vonë sot.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolai Dimitrov tha se vendi i tij nuk do të bjerë në “kurthin e viktimizimit” dhe se nuk fajësonte askënd.

“Ne do të vazhdojmë të prodhojmë një lajm pozitiv, si me reformat në shtëpi ashtu edhe në marrëdhëniet e mira me të gjithë fqinjët tanë, dhe do t’i bëjmë të pamundur që të gjitha vendet anëtare të mos përsërisin të njëjtin qëndrim muajt e ardhshëm,” shtoi ai.

Duke iu referuar propozimeve franceze për të reformuar procesin e pranimit në BE, ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zakharieva tha se shumica e ministrave nënvizuan se ato ishin propozime të mira, por ekzistojnë edhe disa mosmarrëveshje për të cilat duhen bisedime të mëtejshme.

Sidoqoftë, ajo nënvizoi se negociatat e pranimit nuk kanë nevojë të shtyhen.

“Këto procese mund të jenë paralele. Ne nuk kemi pse të presim që debati për kornizën e re të përfundojë, “tha ajo.

Presidenca e Kroacisë së BE planifikon një samit të madh BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në maj dhe përkrahësit e zgjerimit besojnë se procesi do të mund të zhbllokohej atëherë, ose para samitit, me shumë mundësi në mbledhjen e Këshillit të BE-së në mars.

/S.Lleshi/Panorama/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura