Prapaskenat për detin, Dendias sjell në Tiranë mesazhet e Mitsotakis: Të shpejtojmë dosjen për Gjykatën e Hagës

May 24, 2022 | 8:32
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Shqipëria dhe Greqia po finalizojnë kërkesën zyrtare që do t’i çohet Gjykatës së Hagës për shqyrtimin e një marrëveshje mes palëve për çështjen e demilitimit të zonave detare.

rama dendias

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, gjatë vizitës së djeshme në Tiranë zbardhi një takim të para një jave në Hagë, ku Shqipëria dhe Greqia kanë vendosur përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave detare, të hapësirave detare dhe të shelfit kontinental.

Kryeministri Rama para një jave deklaroi se shkoi në Hagë për të takuar ish-Presidentin Hashim Thaçi.

Gjatë takimit të djeshëm në zyrën e tij me kryediplomatin grek, Rama nuk zbardhi asgjë nga biseda me Dendias.

Pavarësisht takimit një orësh dhe më pas dreka në vilën qeveritare nr. 30, Rama mjaftoi me një status të shkurtër në “Facebook”.

“Me ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias, në një bisedë të frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë”, u shpreh z. Rama.

Kurse në një tjetër deklaratë i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Rama deklaroi: “Ne jemi në një fazë shumë të avancuar dialogu dhe bashkëpunimi me fqinjët. Ne do ia dalim të realizojmë atë që kemi qëllim duke trajtuar e vendosur me respekt reciprok të gjitha çështjet e mbetura”.

DEKLARATA E PLOTË E NIKOS DENDIAS

Tirana është stacioni i parë i turit tim në Ballkanin Perëndimor. Këtu ne kemi ekzaminuar të gjitha raportet dypalëshe, por edhe qëndrimet ndërkombëtare si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Do të kem një takim shumë interesant edhe me z. Rama, të cilit do t’i përcjell edhe përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

rama dendias3

Takimet tona janë të shumë të shpeshta. Në Tiranë ka ardhur edhe ministrja e Kulturës që të marrë pjesë në Javën e Kulturës Greke. Unë kam 1 vit e gjysmë që nuk kam ardhur në Tiranë dhe kam gëzim tani që jam këtu dhe të njoftoj së bashku me Kryeministrin Edi Rama vendimin tonë për përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave detare, të hapësirave detare dhe të shelfit kontinental në Hagë.

Përmbushja e kësaj procedure për mua ka një rëndësi të veçantë dhe të dyja vendet dëshirojnë që të zgjidhim diferencat tona në bazë të së drejtës tonë ndërkombëtare dhe të drejtës kryesisht të detit.

Mendoj se përtej rëndësisë që ka për dy vendet tona dërgon edhe një mesazh shumë të rëndësishëm te të gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur dhe mënyra e saktë për të zgjidhur divergjencat tona. Dhe është e rëndësishme sesi ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitojmë sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës ku unë kisha shansin ta takoj para një jave dhe isha aty në Hagë.

Keni shumë të drejtë znj. ministre se marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë madje dhe abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu në mënyrë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.

Sigurisht, dua të jem i çiltër me ju, kjo do të thotë që ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që kanë të bëjnë me palën greke dhe që ata duhet t’i diskutojnë. Dhe ne mendojmë se nuk janë gjërat fiks ashtu siç paramendohen.

Mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese, sepse kjo gjë do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta, ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me itinerarin tuaj në Evropë.

Pra, ne konsiderojmë se minoriteti grek këtu në Shqipëri, por edhe komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi, përbën një urë lidhëse mes dy vendeve. Për këtë arsye ne duhet të diskutojmë. Ndaj edhe diskutuam çështje që i referohen këtyre dy grupeve, minoritetit grek dhe komunitetit shqiptar në Greqi.

Dhe kuptoj gjithashtu shumë mirë çështjen e pensioneve. Është shumë e rëndësishme që ne ramë dakord që të diskutojmë dhe t’i vendosim në një itinerar zgjidhjesh këto çështje që merren me shumë njerëz që kanë kontribuuar në ekonomitë tona reciproke.

Gjithashtu sot, kisha gëzimin të takoj edhe anëtarë të minoriteti grek të Himarës, sot në mëngjes, të cilët më dhanë mua zërin e tyre për problematikat e tyre dhe janë gjëra që duhet t’i diskutojmë së bashku.

Gjithashtu kisha nderin të takoj dhe hirësinë e tij kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit, Anastas, me të cilin kishim një diskutim të gjatë dhe në marrëdhëniet tona është e rëndësishme të themi se ne iu referuam tregtisë dypalëshe, ekonomisë.

Si mund t’i japim progres ekonomisë së dy vendeve dhe si mund të thellojmë më tepër marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Diskutuam gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me energjetikën. Diskutuam çështje që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë.

Dhe lufta në Ukrainë është një pjesë që Shqipëria po e menaxhon dhe në Këshillin e Sigurimit. Këtu dua të përgëzoj Shqipërinë sepse si aleat madje dhe si vend anëtar që do të integrohet në BE, ka adoptuar të gjithë ato vendime të BEsë. Madje mendoj se Shqipëria mund të jetë shembull edhe për vende të tjera të cilat nuk ndjekin taktikën shqiptare.

Domethënë që të jetë tërësisht e harmonizuar me pozicionet e familjes evropiane. Gjithashtu, dua të them se ne jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj Shqipërisë për mbështetjen që ka dhënë për kandidaturën tonë për periudhën viteve 25-26- ës. Dua t’i referohem edhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe është tërësisht dhe absolutisht e predispozuar t’i ofrojë ndihmë teknike Shqipërisë për heqjen e kësaj embargoje me qëllim anëtarësimin në familjen evropiane.

Ne mendojmë se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një rrugë me një kalim. Dhe kryesisht në konjukturat e tanishme, ku kujdesi që ne kemi për Ukrainën i tregon pikërisht këtyre forcave që të destabilizojnë rajonin tonë të gjerë.

Dhe mendoj se së bashku ne duhet të bashkëpunojmë që të mos lejojmë një gjë të tillë. Pra, të ndërtojmë një të ardhme evropiane të paqes, të stabilitetit, të prosperiteti, të bashkëpunimit në zonën tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura