Prapaskenat/ Kushtetuesja rrëzon dy herë qeverinë për Teatrin, si u shmang vendimi final për Bashkinë

Jul 3, 2021 | 13:05
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, por nuk ka pasur votat për vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për prishjen e tij.

teatri gjykata shembja

Nëse do të kishim gjykatë funksionale në vitin 2018 kur u miratua ligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, godina e Teatrit Kombëtar nuk do të ishte shembur. Po ashtu, nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte 9 anëtarë në vitin 2020, kur Këshilli Bashkiak vendosi shembjen e Teatrit, do të kishte pasur mundësi të vendoste nëse vendimi i këtij këshilli ishte antikushtetues ose jo, për shkak të kuorumit të kërkuar.

Në njoftimin e saj paraprak, të paarsyetuar, gjykata nuk arriti të bëjë 5 vota pro për të shqyrtuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Por gjykata vendosi pezullimin e ndërtimit të godinës së teatrit të ri kombëtar deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata vendosi të shfuqizojë ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Maxhoranca miratoi në 2018-ën një ligj special, në interes të një subjekti privat i cili do të merrte përsipër projektimin dhe ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, pa hapur garë. Sipas Gjykatës, ky ligj cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj; cenon parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse; cenon dhe parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.

Me vendimin e djeshëm, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dhe vendimin nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Sipas Gjykatës, vendimi i qeverisë cenon parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura