Prapaskenat e vitit 1996, heshtja e PS për piramidat dhe roli i ambasadave! Rrëfimi i gazetarit Hamdi Jupe: Kur nisën protestat, opozita ishte e përçarë në…

Nov 23, 2021 | 19:51
SHPËRNDAJE

Është një periudha që e rishikuar tani vishet me një mjegull të dendur absurditeti. Bëhet fjalë për vitin 1996, në kohën e lulëzimit të firmave piramidale, kur paraja prodhohej në kafe, nga biznese pa aktivitete tregtare apo prodhuese.

Protesta qytetaret fajdet-piramidat-

Gazetari i njohur Hamdi Jupe, në librin “Shënimet e gazetarit”, rikthen ditët dhe muajt e vitit që ndezi fitilin e përplasjes së madhe në 1997-ën.

Në numrin e kaluar, Jupe tregoi si lindën dhe u përhapën, me lejen de facto nga ish-qeveria e PD-së, firmat piramidale. Si u krijuan 26 biznese magjike që morën kursimin e shqiptarëve.

Në numrin e sotëm të gazetës po risjellim pjesën e dytë të rrëfimit. Pse heshti PS, ish-opozita, ndaj këtij fenomeni. Roli i diplomatëve të huaj, kush mbështeste qeverinë dhe si ndryshoi qëndrimi pas zgjedhjeve të 1996-ës.

Vijon nga numri i kaluar

HAMDI JUPE

ÇORODITJA E OPOZITËS

Opozita politike, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, u treguan të paqartë dhe pasivë në denoncimin në kohë dhe me forcë të aktivitetit kriminal piramidal. Ndoshta nuk i dinin përmasat e vërteta të dukurisë, sepse nuk kishin informacion zyrtar për shifrat e parave dhe të personave të përfshirë në to, as për rreziqet reale. E diskutonin edhe në mbledhjet e tyre, por nuk e ngritën zërin e kritikës në mënyrë publike për arsye elektorale edhe ato.

Protesta qytetaret fajdet-piramidat-1

Shumë qytetarë, që i kishin depozituar paratë në firmat piramidale, edhe pse të majtë, do të votonin në zgjedhjet që po afroheshin kundër një partie që vinte në dyshim piramidat, sepse do të humbnin paratë. Njerëz të opozitës, të mbetur pa punë prej qeverisë së Partisë Demokratike, ishin punësuar në këto firma për të siguruar bukën e gojës, prandaj ndienin frikë nga shembja e tyre.

Pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit, kohë kur u trash zullumi i firmave piramidale, opozita u gjet e çoroditur rëndë nga përçarjet e brendshme të shkaktuara nga i ashtuquajturi “mocion” kundër udhëheqjes. Në plan të parë të saj doli çështja: “Bëri veza pulën, apo bëri pula vezën?”. Partia u përfshi në një qorrollisje disamujore debatesh pa fund kundër njeri-tjetrit, duke akuzuar për këtë bustin prej allçie të Marksit, të gjetur në një qoshk të dollapit në zyrën e udhëheqësit faktit të opozitës, Servet Pëllumbi. Vendi digjej, socialistët kriheshin.

Ai pra, busti, na e paskësh pasur fajin që i humbëm zgjedhjet parlamentare të 26 majit (jo manipulimet e Berishës), prandaj ta pastrojmë këtë “guralec nga gryka e qypit me mjaltë” të socialistëve. Partia u nda në dy pjesë që luftonin kundër njëra-tjetrës. Një udhëheqje e re që doli nga kongresi i jashtëzakonshëm i vjeshtës nuk mundi të orientohej si duhet deri në zgjedhjet e reja lokale të 20 tetorit. Fitorja plebishitare e opozitës në një referendum kombëtar për Kushtetutën dy vjet më parë tani i përkiste historisë. Opozita humbi rëndë edhe këto zgjedhje vendore me rezultat vetëm 26 për qind në shkallë vendi. Na rroftë pra mocioni dhe lufta kundër bustit të Marksit!

Kjo i dha dorë partisë në pushtet për të forcuar “legjitimitetin” e munguar në zgjedhjet parlamentare dhe megalomaninë e veprimeve të saj abuzive. Kur vjen e keqja, hapi derën. E keqja ishte ulur këmbëkryq edhe në partinë kryesore të opozitës. Kur filloi rënia e firmave piramidale (Sudja, 6 nëntor 1996), qytetarët dolën në mënyrë të vetvetishme në rrugë për të kërkuar paratë e humbura, ndërsa opozita në fillim ngurronte të vihej në krye të tyre, me justifikimin: “As ne nuk ua kthejmë dot paratë, prandaj nuk mund të mbështesim protestat e tyre”. Ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte se tani protestat po merrnin gjithnjë e më tepër natyrë politike dhe jo vetëm financiare.

Piramidat financiare ishin pasoja, shkaku ishte politika e gabuar që i lejoi ato. Me pezmin për humbjen e parave bashkohej edhe çështja e zgjedhjeve të manipuluara parlamentare, dhuna ndaj opozitës, burgosja politike e kryetarit të saj Nano, gjendja e rëndë ekonomike etj., të cilat po çonin në një situatë shpërthyese. Ishin turmat e revoltuara të qytetarëve që nxorën udhëheqjen socialiste nga zyrat e ngrohta në sheshet e protestave në dimrin e vitit 1996.

ABUZIMI ME PARATË E PIRAMIDAVE

Hamdi Jupe
Hamdi Jupe

Kur kompanitë piramidale falimentuan dhe faktet mbi to dolën në dritën e diellit, opinioni mësoi se shumë nga paratë e depozituara në to kishin përfunduar për sponsorizimin e fushatave elektorale të kandidatëve të partisë në pushtet, si dhe për veprimtari të tjera propagandistike në shërbim të tij. Kompania “Gjallica” p. sh. kishte sponsorizuar me një milion USD të kreditorëve spektaklin “Mis Bota” të zhvilluar në Tiranë, ku vetë bashkëpronari i kompanisë, Fitim Gërxhalliu, u shfaq në skenë me frak e papijon si dordolec i kohëve të shkuara.

Dolën fakte për financime me shuma të mëdha të fushatave elektorale dhe “ahengjeve” të tjera të Partisë Demokratike dhe eksponentëve të saj. Nga ana tjetër, miliona lekë ishin paguar për reklama në gazeta për të krijuar imazhin “e fuqisë” së këtyre piramidave etj. Ka fakte të shumta që e pasurojnë tablonë e abuzimit të partisë në pushtet me paratë e kreditorëve të kompanive piramidale. Në çastet e fundit para shembjes, shumë individë shqiptarë e të huaj që kishin mundësi të fusnin duart në arkat e tyre përvetësuan sasi të mëdha parash në dëm të kreditorëve fatkëqij.

HESHTJA E SHTYPIT

Shtypi i shkruar (deri në vitin 1997 nuk ekzistonte shtypi i pavarur elektronik) e njihte dukurinë e ngritjes së firmave piramidale financiare. Në bisedat midis gazetarëve thuhej se kjo situatë absurde me kursimet e qytetarëve do të shpërthente si bombë një ditë dhe do të merrte me vete shumë viktima. Por në faqet e shtypit nuk bëhej thuajse asgjë për denoncimin e tyre. Mos o Zot! Të gjitha firmat piramidale botonin reklama nëpër gazetat kryesore për të ndjellë klientët të depozitonin paratë në to dhe, nga ana tjetër, për t’i mbyllur gojën (e uritur) shtypit me ndonjë shuk parash.

Nëse do të ngrije shqetësimin për rrezikun e piramidave në faqet e gazetës, mbeteshe pa reklamë, shtypit i pritej koromania. Shtypi po merrte përsipër kështu një pjesë të përgjegjësisë për mosdenoncimin e tyre në kohën dhe me forcën e duhur. Edhe vetë qytetarët nuk donin që ky problem të ngrihej në shtyp, sepse kështu, mendonin ata, do të rrezikoheshin paratë e tyre.

Gazetarët e shtypit të huaj që punonin në Shqipëri shpesh gjendeshin nën sulmet e egra të turmës së frikësuar të kreditorëve, sikur të ishin ata fajtorë për falimentimin, pse e kishin trajtuar problemin në mediat e tyre. Televizioni shtetëror, e vetmja medie elektronike në vend, ishte tërësisht nën kontrollin e shtetit, me përfaqësuesen e devotshme Vjollca Vokshi në krye, e arratisur me helikopter të huaj ushtarak jashtë shtetit në mars 1997, e tmerruar prej zemërimit popullor për paratë e humbura. Kur shtypi filloi të fliste, atij iu vu zjarri, siç ndodhi me gazetën e pavarur “Koha jonë”, ose u mbyll tërësisht me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme.

KONFLIKTI ME NDËRKOMBËTARËT

Deri në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 1996, Berisha dhe qeveria e tij ndiheshin të përkëdhelur nga faktori ndërkombëtar. Këtu bënin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin besuar verbërisht te ky ish-komunist 25-vjeçar, i konvertuar papritur në “demokrat” të flaktë, prandaj edhe dëshironin që ai të vazhdonte të qëndronte edhe më tej në pushtet.

Fqinja jonë jugore, Greqia, e qeverisur nga PASOK-u i Papandreut, e mori Berishën pak ditë para zgjedhjeve me avion të posaçëm të ardhur nga Athina për të firmosur atje një “Traktat miqësie dhe bashkëpunimi”, të cilin Berisha e “shiti” shtrenjtë në fushatë, si një “fitore të madhe” në marrëdhëniet me fqinjët, pavarësisht se ky “traktat miqësie” vazhdonte të linte edhe më tej në fuqi ligjin e luftës me vendin tonë, që Greqia e mbante që nga viti 1940, siç po e mban edhe sot.

Ishin disa qindra mijë emigrantë shqiptarë në Greqi në atë kohë dhe prandaj duhej kjo propagandë “miqësie” për familjet e atyre që do të votonin këtu. Ambasadori italian në Tiranë, Paolo Foresti, ishte “partizan” i flaktë i mbajtjes së Berishës në pushtet edhe për katër vitet e ardhshme. Këto simpati u demonstruan edhe në përpjekjet e tij për të nxitur vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBEODHIR-it të shkruanin fjalë të “sheqerosura” në raportin për zgjedhjet e manipuluara të 26 majit, gjë që nuk funksionoi, përpara skenave të dhunës barbare kundër opozitës në sheshin “Skënderbej” më 28 maj.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur asnjë denoncim prej të huajve për atë që po ndodhte me piramidat financiare. E gjithë situata në vend pra ishte një piramidë politiko-ekonomike-propagandistike, e krijuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm.

Kjo piramidë e kishte emrin “Sali Berisha”. Të huajt ishin kështu pjesërisht bashkëpërgjegjës të asaj tragjedie kombëtare shqiptare që erdhi pas pak muajsh, kur ata u detyruan të dërgojnë këtu trupat shumëkombëshe për të ruajtur rendin publik.

Çështja u doli jashtë kontrollit kur Policia sekrete shqiptare masakroi me dhjetëra politikanë dhe qytetarë të opozitës që dolën në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve, mu përpara syve të vëzhguesve dhe të shtypit të huaj. Këtu ndodhi thyerja e madhe e Perëndimit me Berishën, që para pak muajsh kishte “fituar” në zgjedhje 131 deputetë, nga 140 gjithsej që kishte Kuvendi. SHBA kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 40 zona zgjedhore, masë kjo e pjesshme, që mund ta mbante edhe më tej atë në pushtet. Por kur Berisha e kundërshtoi edhe këtë kërkesë minimale, atëherë të gjitha bateritë e Perëndimit u drejtuan kundër tij.

Në këtë situatë të rëndë gjendej vendi në vjeshtën e vitit 1996. Përmasat dramatike të krizës do t’i dëshmonin shpejt ngjarjet tragjike që do të vinin me shembjen e piramidave. “Fara” e shkatërrimit ishte hedhur prej kohësh.

(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)

LEXO KETU: Nga “zbulimi” i Sudes dhe Xhaferrit në ‘93, te letra sekrete e Aleksander Meksit për Ridvan Boden e Sali Berishën në ’96! Historia e 26 firmave piramidale që i morën 1.3 miliardë USD kursime të shqiptarëve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura