Prapaskenat e vendimit/ Nga padia e para 2 muajve, te kërkesa për hetimin e Mediut pas 14 vitesh, pse SPAK po kërkon të rihapet “Gërdeci”

May 7, 2021 | 13:32
SHPËRNDAJE

spak-gerdeci-mediuProkuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi dje se ka kërkuar rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite më parë në një depo ushtarake në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën.

SPAK-u u vu në lëvizje, pikërisht pas kërkesës së prindërve të 7-vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit. Kërkesa e prindërve të viktimave ishte depozituar në SPAK dy muaj më parë.

Zëri i Amerikës raporton se ish-ministri i Mbrojtjes nuk u gjykua kurrë për ngjarjen e rëndë, madje ai nuk u thirr as dëshmitar në procesin gjyqësor që u zhvillua, ndaj një numri personash të përfshirë, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve. Ndaj tij u zhvilluan hetime dhe Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009, ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë.

SPAK

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e “ish-Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil sh.p.k.”, ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal nr.3 viti 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ishministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë. Në përfundim të hetimeve paraprake, në datën 13.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr.3 viti 2008. Në këtë hetim shtetasi Fatmir Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009, vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdojë. Kolegji Penal ka arsyetuar se zgjedhja e shtetasit Fatmir Mediu deputet në Kuvend me vendimin e datës 01.08.2009 (rizgjedhja si deputet pas dërgimit të çështjes në gjyq) dhe mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1, shkronja (e) të Kodit të Procedurës Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu nuk mundet që të vazhdojë.

Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin procedural penal. Bazuar në nenin 73 të Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr.88/2012) dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale (ndryshuar me ligjin nr.35/2017), imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston. Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e procesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura