Prapaskenat e kolapsit të gjigandit të hidrokarbureve ARMO

May 27, 2016 | 14:01
SHPËRNDAJE

Dokumentet e siguruara nga BIRN dhe intervista me ish ministra dhe zyrtarë të lartë, hedhin dritë mbi mënyrën se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindra milionë dollarë me anë të ‘mashtrimit, evazionit fiskal dhe kredive të këqija,’ duke shkatërruar kompaninë e rafinimit të naftës bruto ARMO – ndërkohë që institucionet dhe krerët e shtetit bënin një sy qorr.

Punëtorët e rafinerisë së përpunimit të naftës bruto në Ballsh, gjatë një protestë para godinës së Kryeministrisë | Foto nga : Malton Dibra/LSA
Punëtorët e rafinerisë së përpunimit të naftës bruto në Ballsh, gjatë një protestë para godinës së Kryeministrisë | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Të premten e kaluar në Tiranë qindra punëtorë të rafinerisë së naftës në Ballsh, sfiduan për të dytën ditë radhasi motin e keq dhe protestuan përpara godinës së Këshillit të Ministrave, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për rivënien në punë të uzinës dhe gjetjen e një zgjidhjeje për rrogat e tyrë të prapambetura.

Naftëtarët i kërkuan kryeministrit Edi Rama të hapte një kanal dialogu me punëtorët e uzinës së përpunimit të naftës, duke e akuzuar kreun e qeverisë dhe deputetët e parlamentit se po bëjnë një vesh shurdh ndaj problemeve të tyre.

“Ju dhe ata parlamentarët që janë këtu mbrapa nesh, menjëherë sa vini në pushtet i keni sytë nga karrigja dhe me nder të ndenjurat nga populli,” u hakërrye një nga punëtorët që kishte udhëtuar nga qyteza e Ballshit për të protestuar në Tiranë. Prej 12 gushtit 2015, punëtorët e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh janë në protestë sepse kompania azere që ka në pronësi rafinerinë nuk ka paguar rrogat.

Megjithatë, dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë që problemet e rafinerisë kanë filluar më herët, fill mbas privatizimit të saj nga biznesmeni famëkeq i hidrokarbureve Rezart Taçi, i cili në vitin 2008 mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. AMRA Oil ishte 80% në pronësi të Anika Enterprises –një kompani e regjistruar nga Taçi në Zvicër – dhe 20% në pronësi të Referinery of Texas.

Taçi – i cili tashmë është i arrestuar në Zvicër i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh si dhe nën akuzë në Tiranë për evazion fiskal, e privatizoi kompaninë duke marrë një kredi të dyshimtë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit – drejtuesit e së cilës janë gjithashtu nën arrest për mashtrim financiar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Nga 2009 deri në 2013, nën drejtimin e biznesmenit kontrovers që kishte lidhje të ngushta me familjen e ish kryeminsitrit Sali Berisha – ARMO u rrënua nga një kompani e shëndoshë financiarisht në një shoqëri aksionere të mbytur në borxhe ndaj bankave, tatimeve dhe furnitorëve.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që ARMO, e cila ka në pronësi dy rafineri në Fier dhe Ballsh, është e koletarizuar tërësisht pasi ka akumuluar deri në vitin 2014 më shumë se 500 milion dollarë detyrime ndaj autoriteve fiskale, bankave, furnitorëve dhe palëve të tjera.

Ndërkohë që nëpërmjet mospagësës së taksave, tregtimit të paligjshëm të naftës D2, kredive fiktive bankare dhe huadhënies drejt kompanive të tij të tjera si “Taci Oil” dhe “KUID,” Rezart Taçi dyshohet se ka arritur të zhvasë në mënyrë të paligjshme nga ARMO më shumë se 200 milion dollarë.

Kjo vjedhje e dyshuar nga biznesmeni, e cila mund të jetë më e madhja në historinë e Shqipërisë, ka ndodhur nën hundën e ish qeverisë së qendrës së djathtë të ish kryeministrit Berisha, e cila me veprimet dhe mosveprimet e saj e ka lejuaur Taçin të shpërfillë tatimet dhe taksat për vite me rradhë.

Abuzimet e Taçit me ARMO-n u ‘zbuluan’ në 2014, pas një auditi të kryer për llogari të Heaney Assets Corporation – kompania azere e cila bleu paketën e aksioneve të AMRA Oil për 50 milionë euro në vitin 2013.

Azerët tentuan ta rivinin në punën ARMO-n duke dhënë me qira rafinerinë e saj në Fier, por barra e detyrimeve të kompanisë ishte e papërballueshme duke e çuar atë drejt kolapsit.

Rezart Taçi nuk ishte i arritshëm për një koment mbi akuzat. I kontaktuar nga BIRN avokati tij në Tirana gjithashtu refuzoi të komentonte.

Arsyet për privatizimin e ARMO

Rafineria e Fierit është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa kombinati i përpunimit të thellë të naftës në Ballsh u vu në shfyrtëzim në vitin 1975. Të dy rafineritë ishin nën pronësinë e Albpetrolit- i cili u nda në vitin 1999 në tre kompani, SERCOM për shpërndarejn e naftës, ARMO për rafinimin dhe Albpetrol për prodhimin e naftës bruto.

Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO,  përveç dy rafinerive përfshinte në asetet e saj tre degë të shtijes me shumicë, një institut kërkimor, një terminal eksporti si dhe kapacitete depozitimi prej 220 mijë metër kub.

Përpjekjet e para për privatizimin e ARMO filluan nga qeveria shqiptare në vitin 2003, kur ministria e Ekonomisë – në atë kohë e drejtuar nga Anastas Angjeli – ofroi 51 % ose më shumë të aksioneve të kompanisë për privatizimin nga një investitor strategjik. Megjithatë, tenderi në atë kohë dështoi pasi pati vetëm një ofertë me një çmim prej rreth 10 milionë euro.

Ish drejtori i ARMO nga viti 2002 deri në vitin 2005 Përparim Hajnaj, i tha BIRN që në kohën që ai drejtonte kompaninë rafineria e Ballshit prodhonte naftë të cilësinë D2 [deri në 1% squfur], dhe ajo e Fierit kryesisht bitume.

Ish ministri i ekonomisë Genc Ruli | Foto nga : LSA
Ish ministri i ekonomisë Genc Ruli | Foto nga : LSA

“Nafta jonë është e çuditshme, ka një veti fantastike dhe është unike në Europë se janë nafta të trasha me cilësi që varion nga 0 në 98 gr/cm3 pesha specifike e saj. Ishte naftë e trashë që mban fraksione të rënda,” tregon Hajnaj që ka një eksperiencë 40-vjeçare si inxhinier nafte.

“Përveç kësaj edhe bitumi jonë ishte shumë i kërkuar në tregun ballkanik. Ne furnizonim Bullgarinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën… pra ishte një treg i siguruar. Ishte unik, nuk kishte tjetër. Me bitumin tonë janë shtruar të gjithë rrugët e këtyre vendeve. Ishte një ndërmarrje që e kishte prodhimin të sigurtë për tu shitur,” shtoi ai.

Sipas Hajnajt, edhe pse nuk arrinte të prodhonte naftë të cilësisë D1 [më pak se 0.1 % squfur] ARMO kishte një xhiro vjetore nga 90 milion USD deri në 120 milionë USD, kishte 2,135 punëtore dhe gjeneronte një fitim vjetor prej 3 milionë USD. Në vitin 2005 kompania vlerësohej me një çmim tregu prej 80 milion USD.

Në shkurt dhe mars 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një seri vendimesh për paketën e aksioneve të ARMO-s që do të ofrohej për shitje si dhe mënyrën e paraqitjes, hapjes dhe vlerësimit të ofertave. Këto vendime, të cilat bazoheshin në ligjin e vitit 2003 për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të rafinerisë, i hapën rrugën tenderit ndërkombëtar për shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve të ARMO.

Ish ministri i Ekonomisë Genc Ruli, kujton që në vitet e fundit pëprara privatizimit ARMO arriti të gjeneronte nga 10 deri në 15 milion euro fitim në vit, megjithëse kishte një teknologji të vjetëruar dhe menaxhimi publik i kompanisë kishte problemet e veta.

“Kishte gjendje të vështirë likuiditeti sepse… marrëdhëniet tregtare me Albpetrolin, më pak me Bankers-in dhe me kreditorët e tjerë. Kishte gjithmonë vështirësi likuiditeti në kohën që menaxhohej nga shteti,” tha Ruli për BIRN.

Ruli tregon që një nga arsyet  që e shtynë qeverinë për ta shitur ARMO-n kishte të bënte me ndërhyrjet e krimit të organizuar në vendimet e saj menaxheriale.

“Drejtorinë qëndore të ARMO-s unë e kisha sjëllë në Tiranë. E kisha sjellë për një arsye, atje më binte pre e bandave të Fierit,” Ruli tha. “Çdo tender që do të bëhej, do e merrte mafia e Fierit. Do të shkonin ata, ku me kobure, ku me forcë dhe thashë që drejtoria qendrore do të vijë në Tiranë dhe tenderat do t’i bëni në godinën e ministrisë,” ai shtoi.

Një arsye tjetër sipas ish minstrit të Ekonomisë ishin dhe ndërhyrjet politike për punësimin e militantëve të partisë në rafineri.

“Vinte PD e Mallakastrës dhe me kërkonte punësim për 200 veta,” Ruli theksoi.

Frikë nga rusët dhe iranianët

Tenderi për privatizimin e ARMO-s u organizua nga ministria e Ekonomisë në maj 2008 dhe vlerësimi i ofertave u asistua nga kompania amerikane e konsulencës Patton Boggs.  Paketa e aksioneve e ofruar për privatizim nga shteti ishte 85 %. Rreth 20 kompani paraqitën inters në privatizimin por vetëm 4 paraqitën oferta.

Ruli kujton se Patton Boggs nuk kishte bërë një vlerësim të thelluar të kompanisë, por konsulenti amerikan i kishte dhënë qeverisë shqiptare një çmim që ato mund të prisnin nga privatizimi që shkonte deri në 65 milionë USD.

“Kishte një problem që ARMO kishte një ndotje mjedisi shumë të madhe. Kompani europiane me atë standard nuk e merrin. Ose duhet të bënim me dhjetra milionë euro investime në mjedis, ose nuk afrohej njeri,” kujton Ruli.

Pas hapjes së ofertave komisioni i vlerësimit, i cili përbëhej nga 11 anëtarë dhe drejtohej nga ish zëvendësministri i Ekonomisë Neritan Alibali, njoftoi me 22 maj 2008 që nga katër kompanitë ofertuese tre ishin kualifikuar. Në krye të listës qëndronte konsorcuimi Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group me një çmim prej 128 milionë euro, dhe premitimin për 240 milionë euro investime në katër vitet e ardhëshme.

Ruli thotë se shqetësimi kryesor i tij në atë kohë mbi kompaninë që do të privatizonte ARMO-n ishte që të mos ishte iraniane dhe ruse dhe për të verifikuar këtë fakt kërkoi ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

“Thirra zëvendësambasadorin amerikan, që ishte i shërbimeve inteligjente dhe i thashë që do të të jap emrat e kompanive që kanë shprehur interes,” kujton Ruli.

Rezart Taçi duke dalë nga një seancë të Gjykatës së Lartë | Foto nga : LSA
Rezart Taçi duke dalë nga një seancë të Gjykatës së Lartë | Foto nga : LSA

Ai  shtoi se në atë kohë iranianët, të cilët ishin në bllokadë për shkak të programit bërthamor, hynin në tendera me emra kompanish perendimore.

“Pas pak kohe më erdhi zëvendësambasadori në zyrë dhe më tha që në atë hulumtim që kemi bërë ne nuk na del të ketë origjinë të tillë,” Ruli tha.

Pas konsorciumit fituest të tenderit qendronte biznesmeni Rezart Taçi.

Sipas Rulit shqetësimi kryesor i qeverisë në atë kohë nuk ishte origjina e parave të Taçit por që pagesa të bëhej nëpërmjet nëj banke të nivelit A. Ai tregon se Taçi kishte deri në fund te dhjetorit për të bërë pagesën për privatizimin e aksioneve të ARMO por pagesa po vononte, gjë që e kishte shtyrë ministrin ta thërriste disa herë në zyrë biznesmenin e naftës së bashku me partnerin e tij amerikan.

“Javën e fundit që mbaronte afati më njoftoi Banka e Shqipërisë se kishte bërë pagesën dhe paratë kishin hyrë nga Deutche Bank – 90 e ca milion [euro] nga kjo dhe pjesa tjetër i kishte sjellë që këtej nga llogaritë e veta,” Ruli tha.

“Pastaj më vonë mora vesh që i kishte marrë kredi te azerët, por mua kaq më duhej, banka e nivelit A. Se kush e financon, pastaj është banka që kujdeset si do ecë kompania, se kërkon të marrë paratë mbrapsht dhe ajo sheh investimin dhe likuiditetin e firmës që i jep kredi,” shtoi ai.

Ish drejtori Hajanaj, edhe pse dakord me vendimin e qeverisë për privatizimin e ARMO-s, shprehet se zgjedhja e Rezart Taçit për privatizimin e kompanisë ishte vendim i gabuar.

“Duhej privatizuar, nuk kishte se ku të shkonte më. Ne mbanim në punë mbi 2000 punonjës, ARMO mund të menaxhohej me 500 punëtorë,” ai tha.

“Duhet të dish që kur u ble kompania kishte 40 milion dollarë mall brenda në uzinë. Kur u privatizua nuk u morrën investitorë seriozë. Ata duhet të vijonin investimin,” Hajnaj shtoi.

Ekzistenca e një sasie të madhe karburanti në depozitat e ARMO-s në momentin e privatizimit konfirmohet dhe nga ish ministri i ekonomisë Dritan Prifti, i cili hedh dyshime për një aferë korruptive.

“Unë mendoj se edhe privatizimi në thelb kishte një element korruptiv,” Prifti i tha BIRN “Llogaria bankare e ARMO-s ka patur goxha para. Në privatizimet e tjera që ka bërë shteti i ka zeruar llogaritë. Kishte karburant në depozita afro 40 milion dollarë,” ai shtoi duke nënvizuar që qeveria ishte joshur nga oferta e lartë financiare.

Ish drejtori Hajnaj e kundërshton gjithashtu privatizimin e ARMO-s nga Rezart Taçi, duke e akzuar atë se ishte i përfshirë në kontrabandën e naftës “virgin”

“Nuk do ia jepja kurrë Rezart Taçit, që unë e njihja që në atë kohë që ishte kryesori që bënte kontrabandën e naftës “virgin,” Hajnaj i tha BIRN.

Sipas Hajnaj “virgin” nafta është një gjysëm produkt, një benzinë me oktan të ulët, që kishte destinacion vetëm rafineri të specializuara që bënin përpunimin të thellë të naftës. Ky produkt nuk lejohej të tregtohej në tregun vendas sepse ‘ishte shumë e rrezikshme të përdorej.’

“Ata e përzienin pastaj me benzinën nëpër pikat me pakicë dhe e shisnin, Bënin sikur e shisnin andej, e futnin në vapor dhe e kthenin,” ai tha. “Nuk duhet ta merrte ai, nuk ishte serioz për të marrë atë kompani,” Hajnaj shtoi.

Paratë nga Azerbajxhani

Detajet se si Rezart Taçi e financoi blerjen e ARMO-s mbeten të mbështjella më një vello misteri. Megjithatë një padi e regjistruar nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit në gusht 2012 kundër Bankës Credins dhe AMRA oil, hedh dritë mbi origjinën e tyre.

Në vendimin e sigurimit të padisë të marrë nga gjyqtari Ilir Çeliku më 3 gusht 2012, nëvizohet që Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, IBA, një institucion financiar 50.2 % në pronësi të shtetit azer, ka depozituar në nëntor 2008 në Bankën Credins shumën prej 75 milione euro me qëllim “kryerjen e investimeve në Shqipëri.”

Sipas dokumenteve të paraqitura përpara gjykatës së Tiranës nga IBA, rezulton që shuma prej 75 milionë euro është depozituar në Banka Credins në tre keste.

Kësti i parë është depozituar në llogari të Bankës Credins me datë 18 nëntor 2008 në shumën 30 milionë euro, kësti i dyti është depozituar me datë 19 nëntor në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit është depozituar me datë 21 nëntor 2008 në shumën  5 milionë euro.

Mesazhet SWIFT të shkëmbyera midis IBA-s dhe Bankës Credins tregojnë që transferta kishte për qëllim “financimin e AMRA Oil sipas kushteve të rëna dakord.”

Ish ministri i ekonomisë nga radhët e LSI, Dritan Prifti | Foto nga : LSA
Ish ministri i ekonomisë nga radhët e LSI, Dritan Prifti | Foto nga : LSA

“Gjatë kohës në të cilën është kryer veprimi, AMRA Oil kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës,” shkruan gjykata në vendimin e saj.

“Pra në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar qëllimin e tyre e konkretisht blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë,” shton ajo.

Por sipas padisë një vit pas transfertave dhe blerjes së ARMO-s nga Rezart Taçi, IBA i ka këkuar kthimin e shumës mbrapsht Bankës Credins. Në fillim Credins ka mohuar marrjen e SWIFT-it, por më 19 korrik 2010 ka pranuar se paratë janë përdorur për të kredituar AMRA Oil.

“Rezulton nga provat e depozituara para gjykatës që Banka Credins në datë 15 korrik 2010, i kthen bankës IBA një shumë prej 1.5 milionë euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese nga shuma që ajo i kishte dërguar Crendins Bank sh.a,” shkruan gjykata në vendimin e gushtit 2012.

Ish ministri Genc Ruli i tha BIRN se edhe pse paratë për financimin e privatizimit të ARMO kishin origjinë Azerbajxhanin, nuk do të thotë që ato ishin para të pista.

“Nuk do të thotë se erdhi nga azerët dhe është para e pistë, është para e “klikës” së Alievit është tjetër punë,” Ruli tha, duke iu referuar presidentit autorkrat të Azerbajxhanit Ilham Aliev.

Pasardhësi i tij si ministër ekonomisë Dritan Prifti thotë se fakti që paratë vinin nga Azerbajxhani do të thotë që nuk kishim të bënim më një investitor strategjik.

“Fillimisht kompania u prezantua si një firmë e huaj, por pastaj e pamë të gjithë që ishte Rezart Taçi në krye të saj,” ai tha.

“Paratë u dhanë nga një bankë azere, dhe firma nuk kishte asnjë histori suksesi për të realizuar një investim që për Shqipërinë ishte strategjik” Prifti shtoi.

Nafta e ‘paligjshme’ D2

Një vendim i marrë nga qeveria Berisha me 21 mars 2007 “Për cilësinë e lëndëve djegëse, benzinë dhe diezel,” përcaktonte se nga 1 janari 2009, për përdorim nga automjetet në rrugë dhe gjeneratorët, lejohej vetëm tregtimi i naftës me cilësinë D1.

Ish ministri ekonomisë Ruli kujton se vendimi për kalimin nga përdorimi i naftës D2 në parametra D1, është sjellë në qeveri nga ish ministri i mjedisit Lufter Xhuveli, i cili insistonte “sepse i kishin bërë vërejtje Europianët.”

“Si ministër energjie i thashë që është një “lipstic” lyerje buzësh, por ne nuk e mbajmë dot standardin e D1 akoma. Nëse duam të përdorim naftën e vendit, nuk e bëjmë dot. Ka kosto shumë të madhe që të prodhohet në këtë standard te rafineria jonë,” tregon Ruli.

Ruli kujton se ai si ministër i Ekonomisë ishte i shqetësuar mbi ndikimin që vendimi do të kishte te ARMO dhe Albpetrol që kishin 3,000 punëtorë të dyja. Ministri i Financave Ridvan Bode ishte gjithashtu kundër për shak të mundësisë që vendimi krijonte për evazsion fiskal.

Ndërkohë përfaqësuesit e ARMO tashmë e privatizuar, ankoheshin që ky vendim i detyronte ato që investimin që duhet ta kryenin për katër vjet prej 120 milionë euro, me vendimin e marrë për nafën D2 duhet ta bënin në vitin e parë dhe nuk i kishin paratë.

“Shkova dhe takova Berishën dhe i dhashë dy zgjidhje: ose do mbyllësh sytë, këta do prodhojnë D2 dhe do e shesin për D1- por kjo është e kotë se do të nisë korrupsioni te i gjithë sistemi- ose le të vendosim një afat për ARMO-n,” Ruli tha.

“Kemi negociuar se sa kohë t’i linim, sa i duhej kompanisë të bënte investimin. I lamë një vit, sepse sollën një propozim që me një investim fillestar prej 15 deri në 20 milion dollarë mund të arrinin të kalonin te D1,” ai shtoi.

Me 30 korrik 2008, qeveria nxorri një vendim tjetër për cilësinë e lëndës djegëse të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto vendase, me anë të së cilit lejoi një përjashtim nga vendimi i marsit 2007 për ARMO-n për një periudhë 1-vjeçare.

Pas një ankimi të marrë nga Shoqata e Hidrokarbureve, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Këshillit të Ministrave ta shfuqizonte vendimin e korrikut 2008, pasi kufizonte konkurrencën në tregun vendas të hidrokarbureve.

Pas këtij rekomandimi Këshilli i Ministrave nxorri vendimin nr.52, datë 14.01.2009, i cili i jepte përsëri të drejtë ARMO’s të tregtonte naftë me cilësi D2, por rafineria duhet t’ia ofronte produktin të gjitha subjekteve tregtare të licencuara, me çmime dhe kushte të njëjta e transparente tregtimi.

Ky vendim i qeverisë u ankimuar nga Shoqata e Hidrokarbureve në Gjykatën Kushtetuese si i papajtueshëm me kushtetutën, sepse sipas tyre kufizonte lirinë ekonomike pa ligj dhe si i papajtueshëm me konventat ndërkombëtarë.  Gjykata kushtetuese e hodhi poshtë vendimin e qeverisë që përjashtonte ARMO-n nga kufizimi mbi shitjen dhe tregtimin e naftës D2.

Pak kohë pas vendimit të Gjykatës Rezart Taçi u shfaq përpara mediave me një enë qelqi në dorë dhe deklaroi me pompozitet se ARMO kishte arritur të prodhonte gazoil D1. Ruli thotë që biznesmeni kishte investuar një shume minimale prej 3 deri në 4 milionë euro dhe arriti të prodhoj D1 duke e lëshuar squfurin në ajër.

“Edhe inxhinierët tanë të naftës thonin që arrihet, por problem është sesi arrihet,” Ruli tha. “Mund të arrish duke lëshuar squfurin në ajër, ndot më pak në karburante, por ndot më shumë në fabrikë,” ai shpjegoi duke shtuar se më vonë prodhim i D1 u ndërpre.

Ish drejtori Hajnaj i tha BIRN se edhe pse u pretendua që po prodhohej D1, kjo nuk arrit kurrë, duke shtuar se ‘ARMO prodhonte D2 dhe e shisnin për D1.’

“E di sepse unë e lashë uzinën ashtu siç e lashë dhe ajo ashtu është dhe sot. Se që të bëhej D1 duhet të bëheshin reparte të tjera të pastrimit të squfurit. Nuk ka reparte të reja,” Hajnaj nënvizoi.

Shmangia nga taksat

Përpara privatizimit në vitin 2008 ARMO ishte një kompani e shëndetshme financiarisht. Kompania nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveç se punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30 deri në 35 milionë dollarë në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës karbonit.

Por pas privatizimit të kompanisë së hidrokarbureve nga AMRA Oil, e kontrolluar nga Rezart Taçi, problemet me mospagimin e taksave dhe tatimeve u shfaqën që në vitin e parë të administrimit.

Në maj 2009, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Fier lëshoi një urdhër bllokimi për kompaninë e hidrokarbureve. Ky veprim u përserit në nëntor pasi ARMO nuk ishte “pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ligji.”

“Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008,” tha në një njoftim pët shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në nëntor 2009.

Reazart Taçi, isah zëvëdësministri i energjisë Sokol Dervishaj dhe ish CEO i Bankers Petroleum | Abby Badei | Foto nga : LSA
Reazart Taçi, isah zëvëdësministri i energjisë Sokol Dervishaj dhe ish CEO i Bankers Petroleum | Abby Badei | Foto nga : LSA

“Tatimpaguesi në fjalë prej shumë kohësh vazhdon të mos plotësojë dokumentacionin e duhur ligjor, për këtë arsye u përsërit veprimi i bllokimit të depove të nënprodukteve të naftës ashtu siç ndodhi dhe në maj 2009,” ajo shtoi.

Në një reagim ARMO e cilësoi urdhërin e Tatimeve si të paligjshëm, ndërsa drejtori i saj në atë kohë Bledar Myrtaj, deklaroi se kompanisë po i shkatohej një dëm prej 5 milionë eurosh në ditë.

Ish ministri i Ekonomisë Dritan Prifti tregon në një intervistë për BIRN se pas bllokimit të rafinerive të ARMO nga Tatimet ai kishte ndërhyrë personalisht për t’i zhbllokuar ato.

“Ka ndodhur që ministria e Financave dhe Tatimet i kanë vënë çelsat, e kanë mbyllur me dhunë për të vjelë disa taksa. Pastaj kam ndërhyrë vetë unë si ministër që të hapet rafineria,  për shkak të njerëzve që ishin të punësuar aty e që nuk mund të ngeleshin pa paga sepse nuk merreshin vesh Tatimet me kompaninë,” tha Prifti.

Ai pretedon se në krahasim me kompanitë e tjera të hidrokarbureve si Bankers Petroleum, ARMO diskriminohej nga Tatimet, pasi kompania kanadeze e nxjerrjes së naftës bruto e merrte gazoilin  “për nevojat e saj” nga importi pa taksa, ndërsa ARMO paguante një taksë prej 10%.

Sipas Priftit marrëdhënia midis shtetit dhe ARMO-s ishte paralajmëruar se do të përfundonte me dështim. Ai thotë se shteti duhet të krijonte lehtësira gjatë periudhës së operimit, që ajo të mbijetonte në “gjendjen e tmerrshme teknike që kishte.”

“Duke qënë se ishte një rafineri shumë e vjetër, 4 dekada në operim dhe me nevoja të jashtëzakonshme për mirëmbajtje, duke i shtuar edhe taksa të padrejta, bëhej e pamundur që ajo të fitonte,” Prifti shpjegoi.

“Kështu që kompania ndoqi rrugën që shmangu taksat sa mundi dhe pastaj u largua nga Shqipëria,” ai shtoi.

Tre burime të ndryshme të pavarur nga njeri-tjetri i thanë BIRN se nga viti 2010 deri në vitin 2013, ARMO nuk ka dorëzuar asnjë bilanc në Tatime dhe ka marrë vetëm disa gjoba të papërfillshme.

Megjithatë, nën vitin 2013 penalitetet vetëm për shmangien akcizën kapën në mënyrë të menjëhershme shifrën e 19 milionë dollarëve, ndërsa në total gjobat arritën në 34 milionë dollarë.

Auditi i realizuar nga “Deloitte,” zbulon se kur Rezart Taçi e shiti ARMO-n në gusht 2013, detyrimit e kompanisë ndaj Tatimeve arrinin në 73 milion e 266 mijë dollarë.

Po ky dokument tregon se tre kredi me vlerë totale vlerë prej 50 milion euro të financuara nga banka FBME me seli në Nikosia të Qipros, rezultojnë të jenë fiktive. Vlera e tyre dyshohet se raportohej vetëm për të rritur kostot e shpenzimeve me qëllim që të shmangej pagesa e taksave.

Ish drejtori i ARMO Hajnaj thotë që bizneset e Taçit ishin kthyer në një tokë të ndaluar për Tatimet.

“Çdo privatizues ka në mendje t’ia hedhë shtetit, por është shteti që duhet ta kontrollojë,” tha ai. “Tatimet duhet të kontrollonin, por më kanë thënë që nuk i pranonte të futeshin në kompani. I nxirrte jashtë me polici private,” Hajnaj shtoi.

Mungesa e kontrolleve tatimore konfirmohet edhe nga Ruli.

“Më ftoi Ridvani kur donte të ngrinte ekip për kontroll. Nuk kishte dorëzuar asnjë bilanc. Por për këto gjëra unë e mbyll gojën sepse është puna e pasardhësit tim, por jo se nuk e kuptoj se çfarë është bërë” ai tha, duke iu referuar ish ministrit të financave Ridvan Bode.

“Po të kontrollohej kompania do të shkonte mirë… po të mos ishte Dritan Prifti e gjithë banda e LSI-së,” Ruli shtoi.

Bode nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN.

1

Borxhet e ARMO-s

Sipas auditit të kryer nga “Deloitte” deri në shtijen e kompanisë tek Heaney Assets Corporation në gusht të vitit 2013, ARMO ishte koleteralizuar nëpër banka në shkëmbim të kredive tregtare dhe kishte akumuluar borxhe ndaj palëve të treta.

Duke vënë si kolateral asetet e kompanisë, Rezart Taçi ka marrë dy kredi të mëdha në bankat shqiptare, respektivisht 27.5 milion dollarë nga Raiffeisen Bank dhe 20 milionë dollarë nga Banka Credins. Asnjëra prej këtyre nuk është shlyer, duke bërë që bankat të vendosin sekuestro mbi asetet e ARMO-s e të nxjerrin në ankand rafinerinë e Fierit.

Por më shumë se bankave, ARMO rezulton të jetë debitore ndaj palëve të treta. Një listë e gjatë me 10 kompani e nxjerr kompaninë e rafinimit të naftës bruto në borxh për shumën e 100 milion e 50 mijë dollarëve. Lista e kompanive ndaj të cilave ARMO është debitore përfshin G&O Trading sh.a, Energy Trading sh.a., A&V Oil, Liona sh.a., Standart Oil sh.a., Eroil sh.a., Deveron sh.a., Tea Construction and Petrol sh.a., Fit-Mek-Oil sh.a. dhe United Colors.

Sipas një padie të rregjistruar në Mars 2012 në Gjykatën e Tiranës, Albpetrol pretendon për 40 milionë dollarë detyrime nga ARMO.

Një çështje tjetër ligjore është në proçes mes ARMO-s dhe një kompanie panameze Wallis Trading Inc në Gjykatën e Arbitrazhit në Zvicër. Panamezët kërkojnë nga ARMO kthimin e 26 milion dollarëve të cilat janë dhënë shumë kohë më parë. Rezart Taçi kishte lënë kolateral një sasi inventari nga ARMO për këtë shumë, me vlerësim të bërë nga firma Societe Generale de Surveillance, SGS, por në momentin që është kërkuar kolaterali për tu ekzekutar, nuk është gjetur asgjë.

Një tjetër kërkesë e panamezëve është edhe për kthimin e 15 milion dollarëve të cilat pretendojnë t’ia kenë dhënë tre kompanive të tjera të Rezart Taçit: Anika Enterprises S.A., Taçi Oil ITSC dhe KUID sh.a. në bazë të marrëveshjeve lehtësuese që kanë patur.

Shpenzimet në media, sport dhe politikë

Ndërkohë që ARMO mblidhte borxhe dhe detyrime qindra milionë dollarëshe ndaj Tatimeve, bankave, Albpetrolit dhe një liste të gjatë kompanish të tjera që i ofronin shërbime; Rezart Taçi ishte i zënë teksa krijonte në publik imazhin e biznesmenit të suksesshëm dhe të plotfuqishëm – dhe për të arritur këtë qëllim ai nuk u kursye.

Nga vitin 2008 deri në 2012, ai organizoi në Tiranë nëpërmjet kompanisë së tij Taçi Oil, eventin “Milan Junior Camp”, një kamp veror për futbollistë të rinj nga mosha 8 deri në 16 vjeç, të cilët trajnoheshin nga lojtarë të famshëm të skuadrës së Milanit.

Në 2008 dhe 2009 kompania e tij organizoi dy ndeshje miqësore bamirësie midis skuadrës së Tiranës dhe Milanit në stadiumin Qemal Stafa në Tiranë, në të ashtëquajturin trofeu “Taçi Oil.”

Të ardhurat që mblidheshin nga trofeu shkonin për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë “Domenico Scaglione” të drejtuar nga Liri Berisha- bashkëshortja e kryeministrit Sali Berisha.

“Ardhja për herë të dytë e një skuadre si Milani, kaq të dashur në gjithë botën. Misioni për të ndihmuar për fëmijët në nevojë për të gjithë ata që janë në nevojë. Modelet që janë idhuj në të gjithë botën merr një përmasë. Jemi me fat që mbështetemi nga një skuadër si Milani,” theksoi Liri Berisha në 2009 gjatë një konference për shtyp përpara ndeshjes së bamirësisë.

Taci Oil listohet dhe sot nga Fondacioni si një nga mbështetësit e tij në faqen e internetit.

Në vitin 2010 Rezart Taçi solli në Tiranë për një ndeshje miqësore Realin e Madridit, një nga skuadrat e futbollit më të pasura në Europë dhe botë.

Në qoftëse për Milanin besohet që manjati shqiptar harxhonte 2 milion euro, ndeshja me Realin e Madridit raportohet t’i ketë kushtuar 5 milionë euro. Në sezonin 2011-2012 Taçi Oil u bë dhe sponsor zyrtar i skuadrës së Milanit.

Në gusht 2009 Taçi është përfoluar si një blerës potencial për skuadrën italiane të futbollit Bolonja FC, e cila në atë kohë militonte në Serie A. Më 21 dhjetor 2014, nëpërmjet kompanisë Dastraso Holdings Limited ai bleu klubin e Parmës dhe emëron president 29 vjeçarin Ermir Kodra, vetëm për të hequr dorë nga skuadra pas disa javësh.

Përveç sportit Taçi iu fut dhe fushës së medias në vitin 2010, pasi mori në pronësi Alsat TV, i cili u riemëruar Albania Screen.

Ne korrik 2010, ai solli në Tiranë bashkëshorten e ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair, Cherie Booth, e cila u ul në Tiranë me një avion privat për të prerë shiritin e përurimit të  stacionit të ri televiziv.

Taçi e përshkroi vizitën e saj si të “paçmueshme” dhe madje e cilësoi Booth si “kumbarin” e televizionit.

Një gjykatëse e njohur dhe avokate e të drejtave të njeriut, Booth mori pjesë në ceremoni duke theksuar rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur në një shoqëri demokratike.

Tre vjet më vonë Albania Screen familemtoi dhe disa nga gazetarët që Booth takoi atë ditë nuk kanë marrë disa rroga mujore nga kompania, ndërsa dyshojnë se kontributet e tyre për sigurime shoqërore nuk janë paguar kurrë.

Ish ministri Ruli kujton që kur e kishte shituar ARMO-n i kishte rekomanduar Taçit të bëntë investime të cilave do t’ia shihte leverdinë. Sipas Rulit Taçi kishte nuhatje si biznesmen dhe e njihte tregun e naftës por doli jashtë kontrollit.

“Ai lidhjet i kishte, e njihte tregun, njihte sektorin e naftës, por ai shkoi më pas në delir. Iku në Itali, jo me Berluskonin edhe ia vari fare pastaj,” Ruli tha.  “Ai degjeneroi tërësisht si biznesmen, sepse s’mund të thuash që ishte njeri pa instinkt biznesi,” Ruli shtoi.

Për mënyrën se si Taçi menaxhoi ARMO-n ish drejtori Hajnaj është i një mendje me Rulin.

“I ra më shkurt. Nuk investoi. Që të investosh duhet të presësh që të marrësh fitimin. Ata donin të merrnin para shpejt dhe të fitonin menjëherë,” tha ai.

“Fitonin në cilësinë e saj, në taksa dhe në kredi. Me paratë e ARMO-s sillte Real Madrid të luante me Ersekën” Hajnaj shtoi.

Oferta për privatizimin e Albpetrolit

Në shtator 2012 qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha hapi një tender ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës bruto, Albpetrol.  Për privatizimin e kompanisë qeveria punësoi përsëri kompaninë amerikanë të konsulencës Patton Boggs, e cila e vlerësoi Albpetrolin në një vlerë 300 milionë dollarë.

Katër kompani dhanë oferta për privatizimin e Albpetrol, dhe Vetro Silk Road Equity Ltd e regjistruar në Singapor u rendit fituesi me ofertën e majme prej 850 milionë euro.

Rezart Taçi gjatë prezantimit të ofertës së Vetro Energy | Foto nga : LSA
Rezart Taçi gjatë prezantimit të ofertës së Vetro Energy | Foto nga : LSA

Në një konferencë për shtyp me 5 tetor 2012, Taçi shfaqet përsëri në skenë duke deklaruar se ai është pjesë e konsorciumit që ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrolit.

Sipas të dhënave të bëra publike Vetro energy ishte 51 % nën pronësinë e YPO Holdings –një kompani nën pronësinë e Taçit e regjistruar në Singapor, dhe 49 % në pronësi të fondit amerikan të investimeve Silk Road Equity.

Por ndryshe nga privatizimi i ARMO, Vetro dështoi të siguronte paratë për privatizimin e Albpetrol dhe qeveria e anulloi tenderin në janar 2013.

Kompania kishte ofruar një garanci prej 85 milion euro nga American Chartered Bank në Çikago – e cila më vonë u zbulua që ishte falso.

Dështimi i tenderit për privatizimin e Albpetrol – ndaj të cilës ARMO kishte dhjetra miliona dollarë detyrime- duket sikur i çoi në përkeqësimin marrëdhëniet e Rezart Taçit me qeverinë “Berisha.”

Dritan Prifti kujton se në periudhën që ai ka qenë ministër ARMO kishte akumuluar detyrime të mëdha ndaj Albpetrol.

“Me sa mbaj mend detyrimi ka qënë dikur te 30 milion dollarë. Këto borxhe patën një rritje edhe ndaj periudhës që isha unë ministër. Tani borxhi ndaj Albpetrolit ka shkuar diku te 45 milion dollarë.” Prifti i tha BIRN.

Shtija e dyshimtë te azerët

Në verën e vitit 2012 kompania e rafinimit të naftës ARMO ishte nën presion nga Tatimet, Doganat, bankat, Bankers Petroleum dhe Albpetroli- i cili nuk i jepte më naftë bruto dhe e kishte paditur për detyrimet në gjykatë.

Pasi Taçi nuk arriti të bentë pagesën marramëndëse prej 850 milionë eurosh për privatizimin e Albpetrol, Tatimet zbarkuan në rafineritë e tij duke e sanksionuar me detyrimet e prapambetura dhe gjoba.

Në gusht 2013, mediat lajmëruan që aksionet e AMRA Oil tek ARMO i shin shituar një fondi investimesh azer të quajtur Heaney Assets Corporation – i cili ishte i regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Brtianikë Virxhin – për 50 milionë euro.

Heaney Assets Coporation nuk bëri një audit të ARMO-s në momentin e blerjes së kompanisë. Një audit i porositiuar nga kompania azere dhe i prodhuar nga “Deloitte” një vit më vonë do të zbulonte falsifikime të mëdha të bilancit të ARMO-s dhe kredi të dyshimta ndaj kompanive të lidhura si “Taçi Oil” dhe “KUID.”

“Gjatë vitit 2013-të, shoqëria zbuloi mospërputhje ndërmjet invetarëve në sistemin kontabël dhe invetarëve sipas proçesverbaleve më 31 dhjetor 2012.” shprehet raporti i “Deloitte”.

Siaps auditit të “Deloitte” disa ditë përpara shitjes në gusht 2013, ARMO i ka dhënë 69 milionë dollarë kredi kompanive “Taci Oil” dhe “KUID sh.a.”

“Huatë e dhëna ndaj këtyre kompanive janë disbursuar para datës së ndryshimit të strukturës së aksionerëve” shprehet raporti i auditimit të “Deloitte.”

BIRN ka mësuar se 16 punonjës të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, IBA sëbashku me drejtuesin e tyre sot ndodhen në burg, për një sëri kredish të këqija.  Financimi i blerjes së ARMO në gusht 2012 besohet se është një nga këto kredi.

“Në datën 6 gusht 2013-të, ishte pikërisht drejtuesi i kësaj banke, që është bankë shtetërore (50% të kapitalit të saj e ka Ministria e Financave të Azerbajxhanit), i cili urdhëroi një transaksion prej 50 milion eurosh për të blerë 100% të aksioneve të Anika Merkuria Refinery Associated Oil sh.a,” i tha BIRN një burim zyrtar që kërkoi të mbetet anonim.

“Kjo blerje u bë në kundërshtim me rregullat e Bankës, pasi urdhëruesi nuk ishte pronari, por thjesht menaxheri,” ai shtoi.

Sipas të njejtit burim zyrtar, finacimi i dyshimtë i shitjes së ARMO në gusht 2013 “shpjegon edhe arsyet se përse pronarët e rinj të saj nuk bënë asnjë kontroll më parë të gjendjes financiare të rafinerisë.”

“Kur u përballën me situatën në të cilën ndodhej firma, për ta ishte shumë vonë!” theksoi ai.

Një tjetër burim konfidencial, pohoi për BIRN se pronari i tanishëm i ARMO-s është Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit dhe se “përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë shkuar disa herë për vizita gjatë vitit  të fundit me qëllim zgjidhjen e çështjes së pronësisë së saj.”

Hetimet kundër Rezart Taçit

Ndaj biznesmenit Rezart Taçi – i cili është në qendër të kolapsit financiar të gjigandit të hidrokarbureve ARMO – janë hapur disa hetime penale në Shqipëri dhe në vende të tjera.

Javës që shkoi nëprmjet një njoftimi për shtyp Policia e Shtetit njoftoi se ka vënë nën sekuestro 1.3 milionë dollarë llogari bankare të biznesmenit Rezart Taçi dhe se po vazhdon verifikimet në 16 banka të nivelit të dytë në Shqipëri.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, sekuestrimi i llogarive të Taçit është urdhëruar nga Gjykata e Tiranës, pasi ndaj tij është ngritur akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale.”

Përveç llogarive bankare në emër të Taçit, policia e Shtetit po verifikon edhe njerëzit e afërm të tij. “Hetimet janë shtrirë edhe në lidhjet e tij shoqërore e familjarëve të përfshirë në këtë aktivitet,” tha një zëdhënës i policisë.

Sipas të dhënave të policisë shqiptare, biznesmeni i naftës, Rezart Taçi rezulton i ndaluar në Gjenevë të Zvicrës, pas denoncimit për mashtrim që i kanë bërë dy ortakë të tij. Më parë, Taçi ka qenë prej dy vitesh nën hetim në Shqipëri për veprat penale që lidhen me “fshehje të ardhurash, mospagim taksash, falsifikim dokumentash dhe mashtrim”.

Pas një hetimi të kryer në vitin 2014 nga policia e Shtetit rezultoi se detyrimet tatimore në dëm të shtetit dhe kompanive të tjera të Rezart Taçit kapnin vlerën e 14 milionë eurove.

Në janar të vitit 2016, prokuroria e Tiranës  e akuzoi Rezart Taçin se në cilësinë e ish-administratorit të ARMO i shkaktoi shtetit 1 miliard lekë dëm në “mospagim të detyrimeve doganore”.

Sipas këtij hetimi, gjatë 4 viteve të drejtimit të Taçit, në vitet 2009-2013, ARMO nuk ka paguar asnjë detyrim financiar ndaj drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bashkisë Ballsh dhe komunës Qendër, Mallakastër, për taksat vendore, si vendushtrimi i aktivitetit.

“Shtetasi Taçi, në cilësinë e administratorit dhe aksionerit të “ARMO” sh.p.k, ka pasur aftësi paguese për shumat që i detyrohej administratës shtetërore, por në mënyrë të qëllimtë i është shmangur derdhjes së detyrimeve, duke transferuar shuma të konsiderueshme në kompani ose duke bërë tërheqje “cash” në llogari të tij,” thuhet në dosjen që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë për Taçin.

Prokuroria dyshon se ky detyrim nuk është  paguar qëllimisht nga Taçi, pasi po në të njëjtën periudhë ai ka transferuar shuma të konsiderueshme parash tek një tjetër kompani e tij, “Taçi Oil”.

“Nga hetimi ka rezultuar se në të njëjtën periudhë kohore kur deklaronte se nuk kishte mundësi financiare, i pandehuri Rezart Taçi i ka dhënë hua kompanisë tjetër të tij “Taçi oil”, si edhe ka tërhequr shuma financiare në vlera të ndryshme. Totali i dhënies hua kompanisë “Taçi oil” dhe tërheqjet “cash” e tejkalojnë shumë e detyrimit që “ARMO” sh.p.k kishte ndaj shtetit,”shton më tej Prokuroria.

ARMO në udhëkryq

Kur në Gusht 2013 Heaney Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Refinery Associated Oil sh.a., ajo njohu detyrimet e shoqërisë që arrinin në shumën 243.5 milion dollarë. Deri në mesin e vitit 2014 detyrimet e kompanisë janë dyfishuar, ndërsa vetëm borxhi ndaj punëtorëve në paga të papaguara vlerësohet në 13 milion dollarë.

Deveron Advisor Corp është një shoqëri e lidhur me zoteruesit e aksioneve të shumicës së shoqërisë ARMO. Në Nëntor 2013 ata kanë krijuar një shoqëri të re, Deveron Oil Albania, e cila operon kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.

Sipas  një analize financiare e përgartitur nga Ministria Energjisë dhe Industrisë  të të dy kompanive, ARMO dhe Deveron Oil Albania, kapacitetet e prodhimit të të dy rafinerive kërkojnë furnizim të vazhdueshëm me naftë të papërpunuar. Nisur nga kapacitetet rafinuese dhe karakteristikat teknologjike të rafinerive nevojitet jo vetëm naftë bruto vendi, por edhe naftë importi.

Punonjësit e ARMO protestojnë për rrogat e prapambetura nga rafineria që ka pezulluar prodhimin për shkak të borxheve | Foto nga : Ivana Dervishi
Punonjësit e ARMO protestojnë për rrogat e prapambetura nga rafineria që ka pezulluar prodhimin për shkak të borxheve | Foto nga : Ivana Dervishi

Në analizë  thuhet se ARMO Sh.a., realizoi nje volum përpunimi të naftës bruto në vend për vitin 2014 në rreth 300, 000 ton (nga 60 000 ton në vitin 2013). Blerjet brenda vendit janë realizuar nga Bankers, ku për 8 muajt e fundit të 2014 u blene te 181.3 mijë tonë naftë bruto, dhe për 4 muajt e parë 2015 është blerë 185.2 mijë tonë.

“Nëse i konsiderojmë te dy shoqërite bashkë, si pjesë e sektorit të përpunimit të naftës bruto në vend, përgjate 2014 kanë realizuar një nivel shitjesh prej 12.2 miliard leke (120 milion dollarë). Shoqëria ARMO zë një peshë prej 24% dhe Deveron zë një peshë 76% të shitjeve,” thuhet në raportin e ministrisë.

“Kapitali neto për të dy shoqëritë është 996 milion lekë. ARMO ka një kapital neto 1.11 miliard lekë (11 milion USD). Deveron e ka negativ kapitalin me – 2.1 miliard lekë (21 milionë USD).

Sipas raportit ARMO nuk mund të ketë rritje të shitjeve pa financim nga jashtë dhe administrata tatimore ka hasur në vështirësi për vjeljen e detyrimeve prej saj.

“Shoqëria është në situatë problematike financiare dhe në faliment,” nënvizon raporti.

Sipas ministrisë së Energjisë fakti që shoqëria Deveron është person juridik i lidhur me ARMO sh.a, përbën një rrisk dhe nevojë për trajtim të saj me po e njejtin nivel rrisku si edhe ARMO Sh.A.

Raporti thotë se ARMO nuk ka bërë investime të reja për 2014, madje ka një rënie të vlerës së aktiveve (amortizimi) në vlerën 3 miliard lekë (30 milionë USD) dhe ka rënie të inventarit me 1.17 miliard lekë (11 milion USD).

“Shoqeria ka detyrime për të likujduar gjithsej një shumë prej 50.97 miliard lekë (500 milionë dollarë),” thotë raporti i ministrisë së Energjetikës. “Shoqëria ka borxhe ndaj bankave 26.2 miliard lekë (262 milion USD). Shuma e huasë është rritur me 1.77 miliard lekë në 2014 (17 milionë USD),” raporti shtoi.

Sipas Ministrisë borxhet ndaj të tretëve përgjatë vitit 2014 janë rritur me 2.13 miliard lekë (21 milion USD). Borxhet ndaj furnitorëve përfshirë edhe detyrimet fiskale (ndaj tatimeve dhe doganave) në 2014 arrijnë 12.43 miliard lekë (124 milion USD).

Situata financiare është njësoj e rëndë në kompaninë Deveron Oil Albania. Sipas raportit shoqëria ka detyrime për të likujduar gjithsej një shumë prej 10.23 miliard lekë (100 milion USD) dhe borxhe ndaj bankave 8.6 miliard leke (86 milionë USD).

“Jemi para një rasti ku ekziston një rrezik potencial për mosmbledhjen e borxhit tatimor, kjo për shkak të shumës së madhe të detyrimit dhe pamundësisë reale për shlyrjen e tij,” thuhet në raport.

Deveron Oil, e cila ka në përdorim rafinerinë e Ballshit është krijuar në nëntor të 2013-ës, ndërsa firma që operon në rafinerinë e Fierit quhet Trading Petrol & Drilling, TP&D.  TP&D, e cila është në pronësi të biznesmenit Pajtim Braçaj- person i lidhur juridikisht me zotëruesit e aksioneve të qendrës Taiwan në Tiranë- e ka marrë rafinerinë me qira nga Deveron Oil. Nga këto dy kompani, vetëm TP&D ka arritur që të sigurojë një fitim mesatar prej 5.5 milion dollarësh në vit.

Raporti i ministrisë së Energjisë jep tre mundësi për rrugdalje nga situata e rëndë financiare ku ndodhet tregu i përpunimit të naftës bruto. Opsioni i parë përfshin injektimin ë kapitalit financiar nga dy ortakët, privati dhe shteti.

“Shteti mund të kotribuojë kapital nëpërmjet faljes së borxheve shtetërore ndërsa ortaku i shumicës mund të kontribuojë kapital financiar.  Gjithashtu mund të arrihet me kreditorët e mëdhenj siç janë bankat të behet ristrukturimi i borxhit dhe mekanizma të tjerë financiarë te tregut të hapur,” thuhet në raport.

Një prej varianteve është edhe blerja e borxhit të keq nga shteti përmes formës së “lehtësimit sasior” që është në axhendën e Bankës së Shqipërisë, por me sa duket deri para dy muajve ka qënë ministria e Financave ajo që ka kundërshtuar.

Opsioni i tretë i sugjeruar është blerja nga ana e ortakut të pakicës të pjesës së ortakut të shumicës dhe ristrukturimi duke përdorur mekanizmin e ndihmës shtetërore.

“Nëse asnjë nga opsionet e propozuara më sipër nuk është i mundur të realizohet, mund që shoqëria të shkojë drejt hapjes së procedurave të falimentimit,” përfundon raporti.

Në një deklaratë për shtyp pas protestës së punëtorëve të ARMO-s të premten e shkuar në Tiranë, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri nënvizoi se kolapsi i ARMO-s fillon që tek privatizimi ‘i dështuar.’

“E kemi thënë edhe më pare, se u shit një aset strategjik në duar të gabuara, u falimentua dhe u mbyt me qindra milionë euro borxhe,” Gjiknuri tha.

“Një shitës spekulant ia rishiti disa të tjerëve. Investitorët e rinj nga Azerbajxhani dështuan pasi patën edhe problemet e tyre në Azerbajxhan. Tashmë është një kompani private e cila ka falimentuar,” ai përfundoi.

Ola Xama/BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura