Prapaskenat e dorëheqjes së kreut të SHISH, garancia nga Meta dhe posti që humbi në NATO

Oct 31, 2017 | 13:32
SHPËRNDAJE

Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, i ka dorëzuar dje Kryeministrit Rama dorëheqjen e tij, pas pesë vjetësh në krye të këtij institucioni.

Dorëheqja e Ajazit u mor vesh kur Kryeministri Rama mbërriti dje në Presidencë për t’u takuar për rreth 30 minuta me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, të cilin e njohu me dorëheqjen e Visho Ajazit dhe i propozoi në vend të tij zv.drejtorin aktual të SHISH, Helidon Bendo. Visho-Ajazi-Lika-600x360

Nuk dihen arsyet që e çuan Ajazin në dorëheqjen e tij, e cila erdhi si një lajm i papritur për këdo për shkak se mes Kryeministrit Rama dhe kreut të SHISH nuk ka pasur ndonjë konflikt publik.

Një burim pranë Ajazit tha se dorëheqja e tij lidhet me një detyrë në strukturat e NATO-s. Por sipas BW ai e ka humbur kete shans, pasi konkursin e ka fituar nje italian.

Mësohet se pak kohë më parë, kreu i shtetit e kishte garantuar Visho Ajazin për të vijuar detyrën e tij në krye të shërbimit inteligjent shqiptar.

“Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim 30-minutësh me Presidentin e Republikës, ku paraqiti propozimin për lirim të drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi, dhe emërim në këtë detyrë të zv/ drejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo. Propozimi i Kryeministrit për lirim dhe emërim në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror erdhi pas dorëheqjes nga detyra të drejtorit të këtij Shërbimi, të cilën kreu i qeverisë e mirëpriti duke e falënderuar zotin Visho Ajazi për kontributin e tij”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë.

Nuk ka asnjë vendim deri tani të Presidentit Meta për propozimin e ardhur nga Kryeministri Rama, por burime nga Presidenca thanë dje për mediat se “emërimi i kreut të ri të SHISH-it do të jetë në proces”.

Dorëheqja e Ajazit vjen në një kohë kur debati politik është përqendruar te përgjimet e vëllezërve Habilaj në trafikun e drogës dhe pretendimi për përfshirjen në këtë trafik edhe të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për këtë grup kriminal, të premten Kryeministri Rama tha se nuk ka pasur asnjë informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ndërsa pak ditë më parë, në Babicë të Vlorës, pas një hetimi njëvjeçar të Prokurorisë dhe SHISH, u kap një sasi prej 3.7 tonësh kanabis sativa, si pjesë e grupit Habilaj.

Dje në zyrat e SHISH është parë një makinë e Ambasadës së SHBA-ve që ka shoqëruar një delegacion amerikan që merret me çështjet e sigurisë.

Kreu i SHISH, Visho Lika, ka drejtuar për 5 vjet institucionin më të rëndësishëm të spiunazhit, që kur në vitin 2012 u emërua nga Sali Berisha. Sipas ligjit të Shërbimit Informativ Shtetëror, kreu i SHISH propozohet nga kryeministri dhe dekretohet nga presidenti.

Visho Ajazi gjatë pesë viteve të drejtimit të SHISH nuk ka gjetur qetësi nga akuzat e ndryshme. Pas marrjes së detyrës, ai u akuzua se e mbushi institucionin me agjentë të ish-SHIK të Bashkim Gazidedes.

Gjatë një raportimi në prill të 2014-s në Komisionin e Sigurisë, ai pranoi se shumica e të rekrutuarve në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë qenë pjesë e SHIK të ’97. Në 2013-n, pas fitores së zgjedhjeve nga PS-LSI, Komision i Sigurisë zbuloi se Visho Ajazi ishte urdhëruar nga Sali Berisha që të niste përgjimin.

U zbulua se një numër i madh politikanësh dhe 25 deputetë të maxhorancës ishin përgjuar, mes tyre edhe Edi Rama e Ilir Meta. Po ashtu, edhe Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Vangjel Dule, Tom Doshi, Ben Blushi, Taulant Balla etj.

Ndërsa në PD, veç Lulzim Bashës, të përgjuar figuronin edhe Astrit Patozi, Ilir Rusmaili dhe Sokol Olldashi. Pas këtij skandali, Komisioni i Sigurisë ngriti një komision hetimor, i cili nuk arriti në asnjë konkluzion.

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura