PRAPASKENA/ Refuzoi të drejtonte Partizanin në derbi, Sormani njoftoi drejtuesit me…e-mail

Jul 13, 2020 | 11:21
SHPËRNDAJE

Partizani do ta mbyllë sezonin me katër stafeta trajnerësh, ku pa dyshim do të mbahet mend si një nga edicionet më të dobëta të epokës “Demi” në Superiore. Me mosparaqitjen në seancën e fundit stërvitore dhe aq më shumë me braktisjen që i bëri skuadrës në derbi bashkë me stafin e tij, trajneri Adolfo Sormani vetëvendosi “divorcin” me Partizanin.
Renato Kalari (1)

Ashtu siç bëri ndaj Tiranës, Reinaldo Kalari pritet që ta drejtojë ekipin edhe në tri javët e mbetura të sezonit, ku pa dyshim në pankinë do të ketë edhe ndihmën e drejtorit të akademisë Genc Tomori, si dhe mbase edhe të drejtorit të përgjithshëm Olsi Rama. Të njëjtën gjë zv.trajneri Kalari e bëri edhe në tranzicionin e kaluar në fund të dhjetorit pas shkarkimit të trajnerit Franko Lerda, ku ishmbrojtësi drejtoi “demat” ndaj Teutës dhe Vllaznisë. Europa duket se është një mision i pamundur, gjithsesi të kuqtë besojnë te mrekullia në tri javët e fundit për të mos firmosur dështimin total të Partizanit. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime të ndryshme pranë të kuqve që për klubin nuk ka kthim prapa, pasi është vendosur që aventura e Sormanit të marrë fund, ndonëse sipas kontratës, ka edhe dy vite në vijim. Mësohet se tani palët po diskutojnë vetëm detajet e ndërprerjes së bashkëpunimit dhe zyrtarizimin e “divorcit”. Gazeta është munduar në dy ditët e fundit që të kontaktojë trajnerin Adolfo Sormani, por ka qenë e pamundur, pasi italiani e ka pasur të mbyllur telefonin.
Sormani

PRAPASKENAT ME SORMANIN – Braktisja që trajneri Sormani së bashku me ndihmësin e tij Xhani Maxela dhe përgatitësin atletik Gabriele Façia i bënë Partizanit është justifikuar me frikën e infektimit me “COVID-19”. Nëse në seancën e fundit stafi italian nuk pranoi me të drejtë që të zbresë në stërvitje pa mësuar përgjigjet e tamponëve të ekipit, drejtuesve dhe lojtarëve u ka ardhur si “bombë” lajmi se Sormani dhe ndihmësit e tij nga Italia nuk do të paraqiteshin as në derbi. Ajo që e bën jo të logjikshme mungesën e tyre nuk ka qenë komunikimi direkt i stafit me drejtuesit, por kërkesa e drejtuar nga menaxheri i Sormanit përmes postës elektronike. Menaxheri ka njoftuar klubin se italianët nuk mund të paraqiteshin në derbi nga frika e infektimit dhe u ka kërkuar drejtuesve që të kërkonin anulimin e takimit. Pakënaqësia për ecurinë ka qenë e madhe në kampin e kuq dhe me këtë sjellje të stafit italian drejtuesve u ka ardhur “zogu në dorë” për t’i dhënë fund bashkëpunimit.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura