‘Pranverë mbarëshqiptare’ e lidershipit!

May 28, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

PIRO AHMETAJ

                        Në kohët e lashta, popujt i adhuronin prijësit/ liderët gjenialë që jepnin shpresë për mbijetesë dhe paqe. Aleksandri i Madh thoshte: “Nuk ia kam frikën një ushtrie me luanë të drejtuar nga një dele, por një ..ushtrie me dele të drejtuara nga një luan”, ndërsa strategu Klauzeviç: “Në përleshjet me mjegullën e të panjohurës, dy cilësi janë të domosdoshme për çdo lider, e para zgjuarsia, që edhe në kohën më të errët mendja e tij të prodhojë rreze drite që të çojnë tek e vërteta, dhe e dyta guximi, për të lëvizur drejt asaj drite kudo që të çojë ajo”.

Lidershipi bëhet edhe më i domosdoshëm në kohët moderne. Kështu, më shumë se çdo definicion tjetër, plot 37 herë është përmendur termi “Leadership” në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA, të miratuar në shkurt 2015! Duhet të qartësoj se përtej emrit, definicioni lidership është mentalitet dhe kështu “nuk kam as më të voglin synim t’u referohem, aq më tepër të denigroj personazhe të përveçme”, por vetëm të sjell në “peshoren profesionale, produktin” në stabilitetin e demokracisë, sigurinë e jetës, pronave dhe integritetit të qytetarëve në hapësirën që ky lidership ushtron përgjegjësi përfaqësuese.

***
Çfarë po ndodh dhe cila është perspektiva e stabilitetit në Maqedoni? Ka ende dilema për demokracinë funksionale? Kanë dështuar qeverisjet apo ka krizë lidershipi?! Nuk ka dështuar demokracia, siç “putinizohet” për stabilitetin e vendeve të rajonit! I famshmi Çurçill, thoshte: “Demokracia nuk është sistem perfekt, por është zgjidhja më e drejtë ndërsa s’është provuar ende një tjetër më e mirë”. Atëherë, kanë dështuar qeverisjet? Përse në 25 vjet ka riciklim të destabilitetit?

Munden këto vende t’ia dalin për të tejkaluar dilemën, panikun dhe pasojat e “qeverisjeve të dështuara”? Cilët janë faktorë vendimtarë të kësaj “katandisjeje për të ardhur keq”?! Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, para rrokullisjes në kufijtë e “shteteve të dështuara”, janë pasqyra e një krize të lidershipit, që e trajtoj në vijimësi: Pavarësia nga ish-Jugosllavia (shtator ‘91), siç e përshkruan gjenerali Klark në librin “Time to Lead”, u arrit “pothuaj paqësisht” falë vizionit të lidershipit të kohës në Beograd me në krye Gligorov, President i Republikës Autonome, që i përkisnin shkollës racionale të Titos.

Nuk është më i paqmi (Mali i Zi), por ku e ku me pavarësinë e fituar me gjakun lumë në Bosnjë, Kosovë, Kroaci etj. Nga kritikët mbetet dilema territoriale e Maqedonisë: a ishte zgjidhja më e mirë? Lideri shqiptar, i ndrituri Arbën Xhaferi (nënshkruesi i Ohrit), para marrëveshjes hodhi një opsion të guximshëm: “shkëmbimi i territoreve” dhe ri-përcaktimin e kufijve të 1913-s, çka nuk është subjekt i këtij shkrimi, por do të shërbejë si sfond.

Në OKB, njihet me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (përjashto Turqinë, që e njeh me emrin e saj kushtetues). Shqipëria e njohu mbas zgjedhjeve demokratike të marsit ‘92. Bllokmenët e vjetër, një “bandë të currufjasurish” nuk kishin ndjeshmëri (OSBE, gjeopolitikë, etj as nuk i shqiptonin), për të mbështetur interesat e shqiptarëve. Mbas pavarësisë, shqiptarët vijuan të trajtoheshin si qytetarë të dorës së tretë, pas minorancave turke, serbe, arumune etj. Kur qytetarët u drejtohen armëve, të gjithë mekanizmat e tjerë, përfshi edhe besimin publik te lidershipi, janë konsumuar keqas.

Për konfliktet edhe për zgjidhjet duhen domosdoshmërisht jo më pak se dy palë. Konfliktet me vetveten ndodhin me të çmendurit, ose marrëzi kolektive si e vitit 1997 në Shqipëri. 10 vjet mbas pavarësisë (gusht 2001), me ndërmjetësinë e ndërkombëtareve u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, një paketë detyrimesh të bashkëdakordësuara nga palët, e cila ishte edhe një përpjekje racionale për të tejkaluar “dilemën” për mëvetësinë dhe një zgjidhje shpresëdhënëse për perspektiven europiane të Maqedonisë. Është Kumanova rast i shkëputur? Inskenim i aktorëve radikalë?

Apo i inspiruar nga faktorë me interesa gjeopolitikë për të mbajtur fijet e destabilizimit të rajonit? Ngjarjet nuk janë rrufe në qiell të hapur. Mungesa e vizionit të lidershipit për të projektuar Maqedoninë e paqme, qasjet radikale, liderët relevantë nuk merren me zgjidhjet, por konsumojnë energji të jashtëzakonshme me inskenimin e fajtorëve (armiq) të palës tjetër, thjesht për përfitime politike të ditës. Mendoj se “të gjitha rrugët e destabilitetit, të çojnë tek “Ohri”. Kur arrihet marrëveshje nuk “ulet populli”, por ata që ushtrojnë përgjegjësitë përfaqësuese, pra liderët. Përtej retorikës, aktorët duhet të ballafaqohen me progresin: cilat janë standardet e shqiptarëve në raport me statusin e para-marrëveshjes – aty do gjejnë rrënjët e ngjarjes së Kumanovës, dhe jo vetëm.

Liderët e palës maqedonase vijojnë të kenë probleme serioze mes vetvetes, por kanë qenë më “të qartë dhe konstantë” për të “ngadalësuar paketën e marrëveshjes” në dëm të shqiptarëve. Liderët aktualë demonstrojnë një kthim te Milosheviçi, çka ka shokuar edhe aktorët ndërkombëtarë: “megjithëse të rinj, këta liderë po bëhen më shumë radikalë, ekstremistë, deri edhe racistë”! Vetëdiskredituese për Gruevskin ishte fjalori i ishministres së Brendshme (nuk meriton t’i përmendësh as emrin), një funksionare e presupozuar përgjegjëse për sigurinë (jetën, pronën, paqen) e mbarë qytetarëve të Maqedonisë!

Mund të pritet nga kjo “lloj monstre liderësh” të ndërtohet paqe e qëndrueshme dhe prosperitet për qytetarët e Maqedonisë? Liderët shqiptarë në Maqedoni dolën nga Marrëveshja e Ohrit “relativisht fitimtarë”, por u mungonte në mënyrë kritike “vizioni dhe projekti përtej luftës”, për të mbjellë paqe të qëndrueshme, që do të çonte në Ohri Plus, ose qytetarë të barabartë – “çelësi i stabilitetit të Maqedonisë”!

Ndoshta mallkimi nga profecia e Nolit në luftën e përgjakshme (për karrige), mes vetvetes dhe interesave meskinë, kanë dominuar. Me keqardhje konstatoj se standardet e Ohrit dhe qytetarët i shoh në një tren, ndërsa liderët shqiptarë në një tren tjetër me destinacion të ndryshëm. S’është për t’u entuziazmuar, është për t’u lutur që të dyja palët të zhvillojnë liderë vizionarë, instrumente dhe traditë demokratike për t’i tejkaluar këta liderë që “kanë humbur arsyen dhe trenin”.

Ka dy sfida emergjente për ardhmërinë e stabilitetit të Maqedoninë: barazia e qytetarëve (statusi i shqiptarëve) dhe integrimi në NATO. Janë sfida te përbashkëta për liderët e së ardhmes (maqedonas&shqiptarë), dhe jo vetëm. Qëndrimet e moderuara të opozitës japin shpresë, por jo entuziazëm. Nuk janë sfida të lehta, por nuk është mision i pamundur. Nuk do të “shpikin rrotën”! Zvicra, Belgjika, janë shembuj të gjallë që diversitetin etnik e kanë adresuar jo si burim konfliktesh, por si vlerë e shtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e qytetarëve.

***
Aktorët e jashtëm: Lidershipi serb është treguar aktiv, kryeneç, ka luajtur “viktimën”, ka dominuar me ide pragmatiste homologët, ka “tejkaluar pasojat e humbësit”, dhe në çdo ngjarje ka vijuar të jetë i pranishëm, për të treguar se mbetet “violinë e parë” në stabilitetin e rajonit”! Kështu, në planin e sigurisë, ia arriti të bindë 27 vendet për të hequr kufizimet ushtarake (ajrore&tokësore), të marrëveshjes së Kumanovës, që përbënin “de facto” kufijtë midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë!?

Me gjithë rezistencën, “Shqipëria e vetmuar” nuk ia doli, qoftë edhe të spostonte heqjen e tyre. Kumanova na rizgjon disa pikëpyetje: Pse në ditën e paradës së Moskës? Pse në këtë paradë nga Ballkani ishin vetëm përfaqë- sues të lartë të Serbisë dhe Maqedonisë? Pse për një “ngjarje të izoluar” u demonstrua rrufeshëm prezencë ushtarake në kufi? Pse Serbia nga njëra anë nuk aspiron anëtarësimin në NATO, “mjel” modelin zviceran të “asnjanësisë”, ndërsa nga ana tjetër ka “marrëdhënie të privilegjuara ushtarake” me Rusinë?

Si rrjedhim racional, mund të ngrihet një pikëpyetje shumë e madhe: mund të ketë një strategji serbo-ruse, shto dhe aleanca me radikalet e radhës, që në një kohë&kushte të caktuara për të përdorur precedentin e Krimesë në veriun e Kosovës (preteksti i vetëvendosjes së qytetarëve)? A ka kapacitete Kosova për t’u përballuar? Po qëndrimi i RSH, përveç “stërhollimeve diplomatike”? Po komuniteti ndërkombëtar & NATO?

Si do të reagojnë për një skenar të tillë? Në gjeopolitikë shanset nuk jepen më shumë se një herë dhe fatkeqësisht mbarë shqiptarët e kanë keqkonsumuar një herë në vitet 2000!

***
Lidershipi i Kosovës. Pas fushatës së suksesshme ajrore, në Kumanovë u firmos Marrëveshja teknike midis NATO-s (fituese) dhe Serbisë (humbëse). Edhe më skeptikët e “planit të Ahtisaarit”, madje edhe më radikalet antishqiptarë, nuk e kishin parashikuar që mbas 15 vitesh statusi i Kosovës do ishte ky që është sot. Para se të fajësojnë të tjerët, liderët e Kosovës duhet “të shohin në pasqyrë vetveten”. Në vend të përgjegjë- sive për të “fituar paqen”, u keqkonsumuan në “luftën e përgjakshme mes vedit”, me triumfalizëm primitiv dhe prevalencë të axhendave korruptive, kriminale, ose të dyja së bashku.

Shembulli i papërgjegjshmërisë ishin zgjedhjet e fundit, ku Kosova “s’ia doli të kalojë klasën e rotacionit normal të pushtetit”, ku liderët dhe militantët të ‘mësojnë të jetojnë edhe në opozitë’”, për të kontribuar në shtetformimin e Kosovës. Marrëveshja është “bast i humbur” për traditën e Ballkanit. Po ashtu, liderët e Kosovës dhe “vendit amë” për “erën e eksodit 2015” në vend të “lexojnë kredibilitin te qytetarët”, me qasjen e “fitimtarit të luftës”, fajin e gjejnë tek armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Roli i aktorëve ndërkombëtarë. SHBA ka rol themelor për pavarësinë e Kosovës.

Gjykoj se janë të “zhgënjyer” nga “papërgjegjshmëria e lidershipit” dhe po përpiqen “sa më shpejt, më mirë” të finalizojnë projektin e “Ballkanit të stabilizuar”. Për sa lidershipi, SHBA, etj. kanë “dështuar me arsye”, për të triumfuar mbi djallëzitë e pashoqe, “paaftë- sia e justifikuar” për të dalluar “djajtë nga engjëjt” tek aktorët shqiptarë, dhe një devizë për burokracinë diplomatike “sa më gjatë qëndrojnë, aq më vandalë bëhen”!

Kështu, liderët lokalë janë imponuar duke ndryshuar axhendat e perëndimorëve. Rusia mbetet konstante për të mbajtur “çelësat” për stabilitetin e rajonit, sigurisht në mbështetje të Serbisë, dhe çdo aleati tjetër në dëm të shqiptarëve. Turqia në “erën e Erdoganit” dhe Gjermania nuk i kanë fshehur ambiciet gjeopolitike në rajon, që në planin bilateral perceptohen në një linjë historike me interesat strategjikë të shqiptarëve!

***
Lidershipi i Shqipërisë. Ka për detyrë kushtetuese (jo propagandistike): stabilitetin brenda vendit, përgjegjësi kritike, faktorizimin, mbrojtjen dhe promovimin e interesave mbarëshqiptarë në rajon, dhe jo vetëm. Fatkeqësisht, po të analizosh qëndrimet ndaj reformave të sigurisë; vrasjen e bankierit Santo, dinamikën në rastin e biznesmenëve udhëheqës “Doshi-Frroku”; dalldisjen bolshevike për “opozitën armike”; arrogancën në vend të mirënjohjes, triumfalizmin në vend të përulësisë, tregojnë se ky është Parlamenti më i diskredituar në historinë 103-vjeçare të Shqipërisë!

Bashkë me të, ky lidership ka në pikëpyetje kritike legjitimitetin (si/pse u zgjodhën të inkriminuarit?), si dhe ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr interesat e shqiptarëve. Vendi është “i kapur” nga liderët/oligarkë që me fuqinë e politikës, nën motot staliniste “marrja&mbajtja me çdo kusht dhe gjithë pushteti sovjetëve” janë bërë të plotfuqishëm. Gjithfarë, populistë-marksistë, të inkriminuar, ordinerë-militantë dhe servilë pa parime, u shpërblyen fillimisht si doganiere, policë, bodigardë, tatimorë, pastaj biznesmenë, pastaj politikanë, dhe më tej dominojnë frikshëm politikën, ekonominë, sigurinë mediat dhe jetën sociale të qytetarëve të vendit.

“Kësaj keqkatandisje” nuk i bëhet derman duke: treguar “bëmat e çunave të bllokut”, “trimëritë në betejat me “BAJLOZIN””; konkurruar Sulltanin e madhërishëm, apo “shpikur mbledhje të përbashkëta të qeverive (përfshi Gruevskin!); bërë babaxhanin apo bërë selfie (me sy vedit). Përgjegjshmërisht mbetem i shqetësuar se mungesa e vizionit/lidershipit, qasje jo-konsensuale, politizimi, ulja drastike e buxhetit, shpërdorimi i aseteve strategjike; mungesa e solidaritetit, arroganca dhe papërgjegjshmëria propagandistike në drejtimin e FA e ka lënë Shqipërinë, dhe jo vetëm pa një projekt në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes!

***
Në përmbyllje, a ka mundësi të ndërtohet stabilitet i qëndrueshëm në hapësirën mbarëshqiptare? A do mundemi t’ia dalim më vete të ndërtojmë një demokraci funksionale, një shoqëri ku konkurrojnë dhe prevalojnë vizionet, projektet, vlerat, ku mbillet&korret paqe dhe prosperitet për qytetarët? Besoj se PO! Mbetet që gjenerata e re të njohë përgjegjësitë, të angazhohet dhe të përballet me disa sfida kritike: Shqipëri stabël me demokraci funksionale.

“The democracy works/demokracia punon”, ishte mesazhi i parë nga vendi simbol i lirisë (James Baker) në vizitën e vitit 1991. Fara e demokracisë ka mbirë. Jam shpresëplotë se ky përcaktim do të funksionojë edhe në hapësirën mbarëshqiptare. Rotacioni i elitave politike. Zhvillimi i lidershipit të përgjegjshëm që nuk sundon, por udhëheq. Një elitar i viteve 1990, gjeneral Schwarzkopf, nënvizon se: “Liderët duhet domosdoshmërisht të kenë strategji dhe karakter. Nëse mungon qoftë edhe njëra, nuk mund të quhen liderë”.

Po kur mungojnë të dyja? Këtë katandisje të “lidershipit/Parlamentit etj.” nuk e shëron dot as kjo përpjekje e sforcuar e zgjedhjeve lokale, pasi të sëmurit që i ka plasur stomaku, nuk ka nevojë për aspirina, por për operacion imediat! Integrimi në BE. Historia e zgjerimit në NATO ka provuar se mbas anëtarësimit, vendet janë vetëm “një hap larg anëtarësimit në BE”. Nga gjithsej 12 vende anëtarësuar mbas 1999, 11 janë anëtarë- suar në BE 3 deri 5 vjet pas hyrjes në NATO.

Shqipëria u bë precedent përjashtues (fanar i fikur) nga kjo përvojë europiane. Përgjegjësinë e mosanëtarësimit liderët nuk duhet ta lexojnë me paranoja se “fajin e ka populli, opozita armike, apo Brukseli”, por duke marrë dhe zhvilluar “detyrat e shtëpisë” nga të gjithë aktorët. Integrimi në BE mbetet aspiratë strategjike dhe prioritet nr.1 i RSH, ky është përcaktimi i patjetërsueshëm i shqiptarëve. Strategji dhe projekt i përbashkët për sigurinë.

Riqartësoj se NATO është garant i tërësisë territoriale nëse kufijtë zyrtarë të RSH sulmohen ushtarakisht. Lista e rreziqeve është shumë e gjerë sa “tërësia territoriale”. Kështu, Shqipëria është në të drejtën e saj ndërkombëtare dhe inkurajohet nga NATO që për rreziqet përtej nenit 5: “stabiliteti i demokracisë, marrëdhëniet ndëretnike, të drejtat e njeriut, krizën financiare, papunësia&varfëria, emergjencat civile, mjedisi, terrorizmi, krimi i organizuar, trafiqet, rastet renegate etj”, të ndërmarrë një debat gjithëpërfshirës, për të konsideruar dhe udhëhequr një projekt mbarëkombëtar (dhe më gjerë) me strategji, aleanca, projekte dhe kapacitete të përbashkëta në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të shoqërisë dhe promovimit të interesave kombëtare. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë të pamundur t’i përballojnë më vete këto sfida.

Në planin diplomatik, në vend të hapin ambasada&konsullata për të shpërblyer militantët – të ngrenë struktura dhe mbajnë qëndrime të përbashkëta (nga i buti te radikali) për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë, Malit të Zi ose Serbisë (nëse e kërkon) në raport me interesat jetikë të shqiptareve! SI?, KUR? KUSH ? Do t’i realizojë këto sfida?

E shoh te pragu i derës një “pranverë mbarëshqiptare”, që do të realizohet nga gjenerata e re, e lindur dhe edukuar në liri, pa ngarkesa, paranoja dhe paragjykime, që do t’i tejkalojë “liderët/sundimtarët e tranzicionit të stërlodhshëm”, në mënyrë që stabiliteti dhe prosperiteti të perceptohen përtej historive së përgjakshme.

*Këshilltar i Presidentit për Mbrojtjen. Vlerësimet në këtë opinion janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku shërben.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura