Pranvera e Frankofonisë sjell 120 aktivitete kulturore

Mar 19, 2015 | 16:56
SHPËRNDAJE

Koncerte rrok e xhaz, shfaqje teatrore, projeksione filmash, mbrëmje poetike, degustime verërash dhe ushqimesh franceze. Janë rreth 120 aktivitete, që do të zhvillohen në Shqipëri, përgjatë 10 ditëve në edicionin e radhës së Pranverës së Frankofonisë.

Shefi francez Christophe Dufau

Një stinë kulturore, e përvitshme, e organizuar nga Ambasada Franceze, Aleanca Franceze në Tiranë, me mbështetjen e ambasadave të tjera frankofone në Shqipëri. Dje, në ambientet e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, një nga partnerët e këtij aktiviteti, u zhvillua konferenca për shtyp në lidhje me hapjen e kësaj stine. Hubert Le Forestier De Quillien, këshilltari për bashkëpunimin dhe kulturën në Ambasadën Franceze, u shpreh se frankofonia nuk lidhet vetëm me gjuhën, por është një kulturë.

Këtë e tregon edhe programi i larmishëm, i cili është hartuar në bashkëpunim me të gjithë partnerët e këtij edicioni, të gjitha ambasadat frankofone në Shqipëri dhe institucionet kulturore shqiptare. Sipas tij, këtë vit kalendari i aktiviteteve shtrihet në gjithë Shqipërinë.

Veç qyteteve, ku Pranvera e Frankofonisë është kthyer në një traditë, si Tirana, Korça, Elbasani, Fieri, Vlora, Shkodra, Gjirokastra, do të ketë aktivitete edhe në qytete, si Saranda, Mamurrasi, Përmeti, Pogradeci, Lezha etj., deri në Tropojë. Sipas Hubert Le Forestier De Quillien, kanë qenë vetë mësuesit e frëngjishtes në këto qytete që janë ofruar me projektet e tyre, për t’iu bashkangjitur këtij kalendari. I pranishëm në konferencë ishte edhe drejtori i Artit dhe Kulturës pranë Bashkisë së Tiranës, Arben Skënderi, sipas të cilit Bashkia e Tiranës vazhdon të mbështesë këtë sezon aktivitetesh, i cili i përfshin të gjithë.

Ai u ndal në veçanti në një koncert rroku nga grupi “Sixtyeight” që do të zhvillohet pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, nën titullin “Wunderland”.

Një tjetër koncert që nuk duhet humbur është ai i pianistit Pierre-Yves Plat, i cili del jashtë çdo kornize, kalon lehtësisht nga klasikja në xhaz, nga Shopeni te Rei Çarls, te Bah, Bethoven apo Stivi Uonder. Një tjetër aktivitet është projektimi i një cikli videosh në galerinë “Zeta”, titulluar “Time is love”. Një seri videosh të realizuara nga artistë të ndryshëm në mbarë botën dhe mbledhur nga kuratori Kisito Asagni.

Për të vijuar me koncertin e Sophie Ding’s Jazz Trio etj., shijen e gatimit francez do e sjellë një nga shefat më të mëdhenj të kuzhinës në Francë, Christophe Dufau. Ai do të organizojë një mbrëmje të veçantë në datën 24 mars.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura