Pranvera e dytë e filmave të Xhanfize Kekos, homazh në Muzeun e Vjenës

May 1, 2019 | 9:53
SHPËRNDAJE

Filmat e Xhanfize Kekos po përjetojnë një pranverë të dytë. Sot e nesër, disa prej filmave të saj do të shfaqen në një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së kinematografisë botërore.

“Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film” do të shfaqen nga Wiena Film Museum (Austri), si një homazh për nder të regjisores shqiptare. Vetëm pak ditë më parë, nga 24–30 prill 2019, tre prej filmave të Kekos u shfaqën në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Linz (Austri) si pjesë e një retrospektive me shtatë filma dedikuar kinemasë shqiptare, shoqëruar me prezantimin e drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi.Xhanfize

Ndërkohë që nga 24 maj deri më 1 qershor 2019 është programuar që filmat “Mimoza llastica” e “Tomka dhe shokët e tij” të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Zlin (Çeki), si pjesë e “Kinemasë Ballkanike”.

Këto shfaqje vijojnë turin e gjatë që kanë nisur filmat e saj në kinematë e ndryshme të botës, si: në Londër, Belfast, Glasgow, Edinburg, Cambridge, Washington DC, Neë York, Hartford, Çikago, Rochester, Paris, Jerusalem, Tel Aviv, Haifa, Zagreb, Copenhagen… “Janë vlerat e filmave të veçantë, por dhe individualiteti artistik i regjisores Xhanfise Keko, ato që e kanë risjellë në vëmendjen e studiuesve, kritikëve, regjisorëve e producentëve të filmit në botë, regjisoren e kinemasë shqiptare të periudhës para viteve ’90.

Në vitin 2012, një nga kritikët dhe njohësit më të mirë të kinemasë botërore si dhe realizuesi i dokumentarit më të mirë deri sot mbi historinë e kinemasë botërore, britaniku Mark Cousins, ra në kontakt me krijimtarinë e Xhanfize Kekos. Në dokumentarin ‘Here be Dragons’( Këtu ka Dragonj), shfaqur fillimisht në Londër në vitin 2013, ai u ndal veçmas në këtë figurë të kinemasë shqiptare, të panjohur e të pavlerësuar deri atë kohë nga kritika ndërkombëtare.

Një vit më pas, po Mark Cousins e bëri pjesë të analizës dhe vlerësimit në dokumentarin “Story of Film and Children” (Historia e fëmijëve dhe filmi), premiera e të cilit ishte në Festivalin e Kanës në vitin 2014 e që u shfaq më pas në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të filmit në gjithë botën. Mes 70 filmave nga e gjithë bota e të gjitha kohërave, dy prej tyre ishin filma shqiptarë dhe të së njëjtës regjisore, Xhanfixe Keko”, thotë Genc Përmeti, i cili mban të drejtën e distribuimit të filmave të regjisores. Po ashtu, sipas tij, krijimtaria e Kekos është bërë pjesë e dokumentarit “Women Make Film” (“Gratë bëjnë film”), prezantuar fillimisht në Festivalin e Venecias në vitin 2018, një film ky mbi historinë e kinemasë botërore nga autoret femra dhe që kishte për narratore figura të ekranit botëror si Tilda Swinton, Jane Fonda, Anxheline Jolie etj., e ku në tri segmente të tij ai fokusohet edhe te regjisorja shqiptare Xhanfize Keko.

Sipas tij, filmat e Kekos kanë tërhequr vëmendjen e kritikës, por edhe të institucioneve të rëndësishme si British Film Institute – BFI (Londër – Britani e Madhe), George Eastman Museum (Rochester – USA), Cinemateka (Tel Aviv, Jerusalem, Haifa-Israel), Danish Film Institute–DFI (Copenhagen – Danimarkë ), të cilët kanë shfaqur filmat “Tomka dhe shokët e tij”, “Kur xhirohej një film”, “Mimoza llastica” e “Qyteti më i ri në botë”.

“Filmi ‘Tomka dhe shokët e tij’ u shfaq gjashtë muaj me të drejta të plota në gjithë territorin e SHBA, Kanada e Porto Riko nga Filmstruck, e cila si platformë VOD prezanton vetëm mjeshtërit klasikë të kinematografisë botërore, apo, një vit në nëntëmbëdhjetë qytete të Britanisë së Madhe”, thotë ai. Sipas Përmetit, lajmi i mirë është se së shpejti, falë remasterizimit dhe dixhitalizimit, publiku i huaj do ketë rastin të shohë edhe filmat “Beni ecën vetë” e “Taulanti kërkon një motër”. Një nismë e arritur përmes angazhimit të kompanisë filmike SKA – NDAL.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura