Pranimet te Bujqësori, ja koeficientet e shkollave

Jul 23, 2016 | 9:00
SHPËRNDAJE

Universiteti Bujqësor i Tiranës zbardh koeficientet e shkollave të mesme, një nga dy treguesit kryesorë, në bazë të të cilëve do të përcaktohen fituesit.

bujqesori

Në tabelën përbri shkrimit janë pasqyruar koeficientet e shkollave të mesme që variojnë nga 0.7 në 1 për pesë fakultetet që ofron UBT: Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakulteti i Shkencave Pyjore, si dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.

Vlerësim maksimal në të gjitha programet e studimit do të marrin ata që kanë kryer gjimnazin e përgjithshëm, pasi mesatarja e tyre do të shumëzohet me 1.

Ndërsa ata që kanë kryer gjimnaz me kohë të shkurtuar kanë vlerën më të ulët të koeficientit, 0.7. Profilet e tjera të shkollave vlerësohen me 0.8 apo 0.9. UBT bashkë me Politeknikun dhe Universitetin e Durrësit janë të vetmet universitete që kanë ruajtur sistemin e koeficienteve të shkollave nga formula e viteve të kaluara për përzgjedhjen e më të mirëve.

KRITERET

Formula është e thjeshtë: mesatare dhe koeficient. Kjo nënkupton se ata që kanë ndritur në vitet e gjimnazit, e kanë të sigurt një vend në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Në skemën e përzgjedhur nga UBT për përzgjedhjen e fituesve, është parë e arsyeshme të merren në konsideratë vetëm dy treguesit e mësipërm, që kanë të bëjnë me meritën dhe rëndësinë e profilit të zgjedhur. Ndërsa e para lidhet drejtpërdrejt me mesataren e përgjithshme të notave në vitet e gjimnazit, kriteri i rëndësisë lidhet me koeficientin e profilit të shkollës që ka kryer aplikanti.

koeficientet

Një shumatore e thjeshtë e të dyjave do të përcaktojë fituesit, bazuar edhe në kuotat që kanë vendosur në dispozicion fakultetet e universitetit. Bazuar në formulën e bërë publike, tashmë dhe kuotat që duhet të miratohen me vendim qeverie, maturantët do të duhet të zgjedhin pas një jave dhjetë degët ku dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

Disa javë më parë, Këshilli i Ministrave ka vendosur notën gjashtë si kriter për të aplikuar në universitetet publike, ndërsa secili universitet ka vendosur kritere shtesë për të përzgjedhur në auditore më të mirët.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura