Pranga profesorit dhe gruas, nëna tregon telefonatën e fundit: Mos më ardhtë gjallë…

Dec 7, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

Një 29-vjeçar nga Elbasani është arrestuar bashkë me të shoqen në Turqi, pasi dyshohen se janë bashkëpunëtorë të Lëvizjes gyleniste, e themeluar nga Fetullah Gylen, dhe që në Turqi është shpallur si organizatë terroriste që pas dështimit të grushtit të shtetit në korrik 2016.

nena e mariglenit

 

Prindërit e të riut Mariglen Debrova, i arrestuar më 30 nëntor, shprehen të befasuar për ndalimin e të birit. Lajmin ata e kanë mësuar nga drejtori i Medresesë në Cërrik, ku i biri ka kryer shkollën e mesme. Sipas të dhënave që ajo ka marrë, i biri u arrestua së bashku me bashkëshorten e tij turke, Esra.

Fatime Debrova tregon se i biri, pasi ka studiuar për katër vite në Egjipt për gjuhë të huaja, kishte krijuar familje në Turqi dhe prej dy vitesh jeton atje. Sipas saj, Marigleni ka edhe një vajzë që nuk ka mbushur ende dy vjeçe, e cila pas arrestimit të çiftit ndodhet nën kujdesin e gjyshërve të saj në qytetin e Samsun të Turqisë.

60-vjeçarja shprehet se nuk ka shumë informacion për jetën e djalit të saj në Turqi, por u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të ndërhyjnë për lirimin e tij, nëse po mbahet padrejtësisht në burg. Ndërsa shton se për lirimin e tij persona të panjohur i kanë kërkuar një shumë prej 7 mijë eurosh, por që nuk është në gjendje t’i paguajë.

Znj. Debrova, si e morët vesh lajmin për arrestimin e Mariglenit?

Kam dy javë që nuk kam asnjë kontakt me djalin. Flisnim çdo ditë në “Skype” me pamje, por prej së mërkurës së datës 22 nëntor nuk kemi folur më. Ngaqë nuk po mësoja asgjë çfarë kishte ndodhur me të, u interesova te Medreseja në Cërrik, ku djali ka kryer shkollën e mesme. Atje drejtori i Medresesë më tha se e kanë futur brenda.

Ju tregoi më shumë se për çfarë akuzohet?

Vetëm kaq më tha. E pyeta pse e kanë arrestuar. Më tha se nuk di gjë më shumë, vetëm se kaq i kishte thënë dikush që kishte ardhur nga Turqia. Deri tani nuk kam asnjë kontakt me djalin dhe nuk di asgjë më shumë. Nuk e desha veten më kur e mora vesh. Aty më kapi zemra dhe nuk di gjë më.

Keni tentuar të flisni me të?

Po, i kemi bërë thirrje në “Skype”, po e mbyllin, nuk përgjigjen.

Nuk kemi numër telefoni. Çfarë ju tha kur folët për herë të fundit?

Ishte shumë i qetë. Nuk na shprehu asnjë shqetësim. Herën e fundit që folëm ai më thoshte se po botonte një libër.

Ju keni ndonjë dyshim nëse ishte i lidhur djali juaj me terrorizmin?

Nuk besoj. Mos më ardhtë gjallë, unë nuk di asnjë gjë për një fakt të tillë. Ta di se ka bërë një gjë të tillë, le ta mbajnë në burg, po nëse nuk ka bërë gjë, mos të ma mbajnë kot brenda. Dua të di se për çfarë e kanë futur çunin brenda dhe nuk dua më shumë.

Sa vite ka që jeton në Turqi?

Dy vite, pasi mbaroi studimet në Egjipt. Është martuar me një vajzë turke, kemi shkuar dhe kur bëri dasmë. Kanë dhe një vajzë të vogël, që tani thonë se qëndron me gjyshërit, por nuk dimë gjë më shumë.

Në cilin qytet jeton në Turqi?

Jeton në Samsun. Ka përfunduar studimet për tri gjuhë të huaja, turqisht, arabisht dhe anglisht.

E keni vizituar herë tjetër, përveç dasmës?

Jo, nuk kemi shkuar se nuk kemi mundësi financiare.

Po djali, ju ka vizituar?

Jo, nuk ka ardhur fare që pas martesës.

Çfarë pune bënte Marigleni atje?

Nuk e di nëse ishte në punë apo jo në Turqi, di që djali im ishte duke punuar për të botuar një libër aty. Kohët e fundit më thoshte se po kërkonte punë.

Po bashkëshortja, çfarë profesioni ka?

Ajo punonte si mësuese Fizike, por kohët e fundit e kishin hequr nga puna…

Keni tentuar të kontaktoni me Ambasadën Shqiptare në Turqi?

Jo, nuk kemi bërë përpjekje, bashkëshorti thotë që të presim një herë mos marrim vesh më shumë. Na ka ardhur dikush te shtëpia dhe na kërkoi 7 mijë euro për ta nxjerrë djalin nga burgu. Po ne nuk i kemi aq para, vetëm të shesim shtëpinë dhe të dalim në katër rrugët. Jo, nuk kam mundësi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura