Pranga policit, u merrte para kazinove

May 22, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE

Një oficer i Komisariatit nr.4 të Policisë së Tiranës është arrestuar dje, pasi Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Oficeri i arrestuar Alkejd Zeneli

Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Tiranës u krye paraditen e djeshme nga oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë se i arrestuari është 31- vjeçari Alkejd Zeneli, me gradën nënkomisar dhe me detyrë specialist i hetimit në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Jetës në Komisariatin nr.4.

Të njëjtat burime thanë se Zeneli akuzohet se ka marrë para në formë ryshfeti nga pronarët e disa lokaleve të lojërave të fatit, në zonën që ai mbulonte, në mënyrë që t’i lejonte të vazhdonin aktivitetin. Por nga ana tjetër, ai dyshohet se ka kryer edhe shpërdorim detyre, duke mos referuar në Prokurori kallëzime të ndryshme që bënin qytetarët në Komisariatin nr.4.

Ministria e Brendshme saktëson se nga hetimet ka rezultuar se oficeri i Policisë lejonte në mënyrë të kundraligjshme aktivitet në fushën e lojërave të fatit, kundrejt shpërblimeve.

“Gjithashtu është dokumentuar se Zeneli kishte fshehur disa kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, duke mos i referuar në Prokurori, por duke përfituar nga personat e denoncuar shuma të ndryshme parash”, thuhet nga Ministria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura