Pranga ish-kryekomunarit

May 21, 2011 | 10:03
SHPËRNDAJE
Ish-kryetari i komunës së Kasharit, Alfred Sulaj

Ish-kryekomunari i Kasharit, Alfred Sulaj, i arrestuar në 2007-n për falsifikim dokumentesh pronësie në këtë komunë, bie sërish në pranga me akuzën se ka plagosur me thikë një shokun e tij.Policia e kryeqytetit tha se ish-kryekomunari ka qëlluar me thikë një të njohur të vetin, pasi ka pretenduar se ai nuk kishte votuar Jakup Sulajn për kryetar komune në zgjedhjet e 8 majit. Plagosja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, në lokalin e kushëririt të Alfred Sulajt, në Kashar të Tiranës. Ish-kryekomunari debatoi me mikun e tij, Dashamir Sorra, 37 vjeç, të cilin më pas e goditi me thikë. Sipas Policisë së Tiranës, Alfred Sulaj rezultonte person në kërkim për një incident elektoral të ndodhur më 10 prill 2011, për vendosjen e flamujve të PS-së. Gjatë këtij incidenti, Sulaj, bashkë me disa persona të tjerë, plagosi dy djem që ishin në mbështetje të kryetarit demokrat për kryetar komune, Besnik Fuqia, i cili edhe fitoi në zgjedhjet vendore të 8 majit. Besnik Fuqia, i zgjedhur nga Partia Demokratike, që mori mandatin e dytë si kryetar i komunës Kashar, kandidonte përballë rivalit të tij të Partisë Socialiste, Jakup Sulaj, i cili është babai i ish-kryekomunarit të arrestuar.
PLAGOSJA
Humbja e babait të tij në zgjedhje i ka acaruar marrëdhëniet e Alfred Sulajt me miqtë dhe persona me të cilët kishte krushqi. Ai pretendonte se ata kishin votuar në favor të kundërshtarit politik duke ndikuar në humbjen e babait të tij. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe plagosja e Dashamir Sorrës, 34 vjeç, ngjarje të cilën policia e ka klasifikuar si tentativë vrasje. Burime nga Komisariati Nr. 6 i Policisë së Tiranës thanë se Sulaj kishte një miqësi të ngushtë me të plagosurin Sorra, madje kishin edhe lidhje krushqie. Ata janë ndodhur rastësisht në të njëjtin lokal në Kashar mbrëmjen e së enjtes dhe kanë nisur të debatojnë. Sipas dëshmitarëve, Sulaj e akuzonte vazhdimisht mikun e tij se i ati humbi në zgjedhje vetëm pse nuk e votoi ai dhe fisi i tij dhe në debat e sipër e ka goditur disa herë me thikë, duke e plagosur rëndë. Brenda pak minutash nga ngjarja policia ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes, duke sekuestruar edhe thikën me të cilën është kryer plagosja, si dhe një pistoletë me 6 fishekë. Policia ka shoqëruar për të dhënë deklarime rreth ngjarjes edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë debatit dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre në cilësinë e dëshmitarëve. I plagosuri Dashamir Sorra e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak. Ndërsa Alfred Sulaj tashmë është prangosur me akuzën “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

Akuzat e mëparshme për Alfred Sulajn

Alfred Sulaj është arrestuar në dhjetor të vitit 2007 si ish-kryetar i komunës Kashar, bashkë me dy ish-kryekomunarë të Kasharit, Faik Fejzon dhe Naim Karajn, me akuzat për falsifikim dokumentesh pronësie, korrupsion e shpërdorim detyre. Ata u liruan nga burgu në vitin 2009, pasi kishin bërë më shumë se dy vjet burg secili, për mbivendosjen e pronave në Kashar.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura