Pragu që nuk kalon dot Rama dhe pohimi që ai i bën Bashës

Nov 11, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Këto janë momente shumë të vështira për shqiptarinë, për Kosovën, për ne. Drejtuesit kryesorë të Luftës Çlirimtare kundër serbëve janë në Hagë, të akuzuar për krime lufte me akuza jo thjesht të pambështetura dhe të ideuara për të sulmuar pavarësinë e Kosovës, por dhe shumë të poshtra, të cilat duket kërkojnë të barazojnë viktimën me agresorin, të pushtuarin me pushtuesin.

Teksa gjithë shqiptarët, politikanë apo gazetarë, juristë apo ushtarakë po e shohin me dhimbje këtë situatë, Kryeministri Rama ka ndërmarrë një sulm ndaj opozitës në Tiranë dhe sidomos ndaj kryetarit të saj, Lulzim Basha.

Ai dhe njerëzit e tij në PS apo në media po kërkojnë të thonë se Lulzim Basha ka bashkëpunuar në hetimin ndaj UÇK-së apo se ka në një mënyrë apo në një tjetër një lidhje me këto hetime. Gjithashtu, Kryeministri Rama akuzoi ish-Kryeministrin Berisha se ka votuar pro raportit të ish-deputetit zviceran Dick Marty në asamblenë e KE-së, raport që është baza e akuzave të sotme ndaj luftëtarëve të UÇKsë.

Rama ka bërë shumë përbetime në jetën e tij politike. Bën thuajse përditë të tilla (për ekonominë dhe shëndetësinë, për arsimin dhe vendet e punës, për hapjen e negociatave, për sinqeritetin etj.), por dy janë më proverbialet dhe më të dendurat që ai bën. Përbetimi i parë le të themi është se ai “kurrë nuk do t’i tradhtojë shqiptarët, pavarësisht se sa gabime apo se çfarë gabimesh ai mund të bëjë….”. Përbetimi i dytë është se ai “kurrë nuk do t’i marrë shqiptarët për budallenj, se ata për budallenj i merr vetëm PD dhe opozita, se ai nuk do t’i tallë kurrë shqiptarët, se shqiptarët i tall dhe i mendon si objekte politike të interesit të vet vetëm PD dhe opozita dhe jo ai”.

Në të vërtetë, Rama, pikërisht te këto përbetime, ka edhe dy problemet më të mëdha. Pikërisht në momentin që Rama thotë se ai nuk do t’i tradhtojë kurrë shqiptarët, pikërisht në atë moment ai e kupton, e ndjen se bash atë ka bërë. Është nevoja e thellë për të qetësuar ndërgjegjen, është nevoja e thellë për të dalë para vetes dhe për ta mohuar një pjesë të sajën, është nevoja e thellë të shfaqet para të tjerëve sikur nuk ka asnjë tradhti, pasi e kupton se njerëzit mendojnë se ai ka bërë tradhti.

Nuk po themi se tradhti ndaj shqiptarëve është blerja e votave në skena si ato të përgjimeve të Durrësit dhe Dibrës, nuk po themi se tradhti ndaj shqiptarëve është mbushja e Parlamentit me njerëz që kanë trafikuar drogë apo marrë pjesë në organizata kriminale, nuk po themi se tradhti është zbrazja e vendit, nuk po themi se tradhti ndaj shqiptarëve është mbjellja e vendit me hashash, nuk po themi se tradhti ndaj shqiptarëve është ndryshimi i Kushtetutës me deputetët që nuk dinë se çfarë përfaqësojnë etj.

Po themi se tradhti, e fortë madje, mund të jetë futja në negociata, hyrja në pazare për të ndryshuar kufijtë e Kosovës. Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, tha vitin e kaluar se ka një marrëveshje mes drejtuesve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për ndryshim të kufijve. Kjo gjë u bë më vonë e njohur nga ambasadori Grenell, i cili tha që ka pasur një avancim në këtë drejtim të përkrahur edhe nga ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Bolton, avancim që nuk ishte politikë e SHBA-së (Bolton u largua dhe u shndërrua në armik i presidentit Trump dhe pas ikjes së tij ndryshimi i kufijve ra). Pra, Rama ka ndërmarrë ose është bërë pjesë e këtyre iniciativave në hije, në fshehtësi dhe sigurisht në dëm të Kosovës. Dihet që ndryshimi i kufijve është një interes i njohur serb.

E njëjta gjë edhe me kufirin me Greqinë. Rama akuzoi në vitin 2010 Kryeministrin Berisha se shiti ose i fali 354 km katrorë det Greqisë. Gjykata jonë Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen. Rama, kur mori pushtetin, nuk pranoi ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare. Tani, pas gati 10 vitesh, ai thotë se është dakord që çështja të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare. Ndërkohë që Rama nuk thotë asgjë nëse do t’i rikthejë Shqipërisë 354 km katrorë të falur dje. Nëse edhe 1 cm katror nga 354 km katrorë nuk kthehet te ne, atëherë Rama i bie që ka bërë tradhti. Berishën ai e akuzoi për tradhti. Rama, kur Greqia pak javë më parë njoftoi zgjerimin e detit territorial me 12 milje, tha se ajo nuk prek Shqipërinë, se kjo nuk është si puna e gardheve që e shtyve prek tjetrin etj. Pra, ai e pranoi këtë zgjerim të Greqisë, pavarësisht se ai e prek Shqipërinë, sepse ai zgjerim bëhet ndaj nesh, kundruall nesh, ndikon në zonën tonë ekonomike.

Sa i takon përbetimit tjetër se Rama “nuk i merr shqiptarët për budallenj, nuk i tall, por vetëm opozita dhe PD i merr ata për budallenj…”. Momenti kulmor kur ai i merr shqiptarët për budallenj është pikërisht ky moment. Duke u thënë se unë nuk ju marr për budallenj dhe nuk ju gënjej apo nuk ju mashtroj, ndërsa ai tjetri, PD, Basha, ju merr për budallenj, Rama i cilëson shqiptarët si budallenj. Duke i menduar budallenj, ai mendon se ata do ta hanë rrenën e tij dhe do të mendojnë se PD dhe Basha i merr për budallenj. Është thjesht një qerthull pervers. Prandaj, edhe tani, duke i menduar shqiptarët budallenj, ai akuzon Bashën për bashkëpunim në hetimin ndaj luftëtarëve të UÇK-së apo pyet Berishën pse votove pro raportit.

Bota është përballur me njerëz si Rama që sillen në një mënyrë dhe thonë gjëra në një mënyrë tjetër, që bëjnë një punë të caktuar apo kryejnë një vepër të caktuar dhe pastaj duan të përcjellin një moral të ndryshëm nga ai që kanë apo nga ai që udhëheq ata vetë.

Duhet thënë se fakti që dikush ka dobësi të caktuara, ka një moral problematik në disa aspekte, ka sjellje të keqe apo të padenjë në disa drejtime nuk do të thotë se ai nuk mund të bëjë një punë të mirë. Jo, edhe një njeri me moral problematik apo me dobësi në sjelljeje apo karakter mund të bëjë një punë të mirë. Barry Goldwater thoshte se edhe një njeri me vese mund të luftojë dhe madje të vritet për atdheun.

Por ka një masë, ka një pikë, ka një prag që nuk mund të kalohet. Nëse ky prag kalohet, nëse sjellja dhe morali i tij e kalojnë këtë prag, atëherë nuk mund të flitet më për njeri që mund të bëjë edhe punë të mirë apo për vepër të mirë. Tani vepra është krejt e keqe dhe e pavlerë.

Hellen Andrews, një filozofe amerikane, thotë se John O’ Hara ishte gjeni, shkroi vepra të bukura, të cilat duhen vlerësuar dhe do të vlerësohen gjithnjë, pavarësisht se ai ishte një pijanec dhe dështak në jetën e tij. Evelin Vaugh nuk ishte një e krishterë e devotshme që e zotëronte fuqishëm virtytin e faljes, por ajo shkroi me thellësi të madhe libra mbi faljen kristiane dhe vepra e saj është shumë e vlefshme. Youkio Mishima, një shkrimtar gjenial japonez, mbronte ide fashiste dhe deri këtu thotë Hellen Andrews vepra e tij nuk mund të rrëzohet, por kur ndjekësit e tij hynë në një bazë ushtarake dhe kërkuan të bëjnë grusht shteti, atëherë asgjë më tek ai nuk ka vlerë. Ekscentrizmi është një gjë dhe aktivizmi fashist është një gjë tjetër. Pra, Mishima duhet damkosur si fashist dhe vepra e tij hidhet në kosh. Pra, ka një prag. Pragu, thotë Hellen Andrews, është Rouseau-i. Sigurisht që mund të gjenden disa të tillë, por shumica e njerëzve që merren me filozofi morale kanë qëndruar te ky prag.

Rouseau-i është zgjedhur, sepse tek ai është më e qartë se kudo dallimi mes çfarë ai ishte në jetën dhe sjelljen e tij, çfarë ai bënte, çfarë morali kishte dhe çfarë thoshte në veprën e tij. Mënyra perverse se si e trajtonte gruan e tij, mënyra brutale se si sillej me fëmijët, mënyra se si i braktisi fëmijët dhe gruan, mënyra se si kryente lloj maskarallëqesh e bën të pamundur që ai të shihet si një autor që i do njerëzit, që vlerëson familjen dhe nderin, që i do fëmijët dhe ndien dhimbje për ta. Hellen Andrews thotë se vepra Emily e Rousseau-it nuk ia vlen për asgjë. Morali që kërkon Rousseau-i të shesë, gjërat që ai kërkon të thotë për nderin dhe familjen janë thjesht hipokrizi të pavlera dhe ajo vepër nuk tregon asgjë dhe duhet hedhur në kosh.

E njëjta gjë edhe me Kryeministrin Rama dhe sjelljen, raportin e tij me shqiptarinë, me Kosovën, me patriotizmin. A mos vallë vepra e Ramës është patriotike, a mos vallë takimet e tij me Vuçiç, negociatat për ndryshim kufijsh, akuzat ndaj PD-së, akuzat ndaj Bashës, janë një vepër e mirë në dobi të kombit? A janë ato dëshmi e një njeriu me moral të lartë dhe ndjenjë të thellë patriotike? Rama, në bindjet e tij, dhe këtë e ka dëshmuar, por edhe thënë vetë, është një kozmopolit që nuk beson te vlera të tilla si kombi apo atdheu. Te Rama ndodh një çudi. Te Rama edhe vepra nuk ka moral, edhe sjellja e tij nuk ka moral. Te Rama edhe libri “Emily” (bisedimet me Vuçiç, ndryshimi i kufijve të Kosovës, gjyqi ndaj Haradinajt, mbledhjet koti dhe botaforike live me qeverinë e Kosovës, çështja e detit me Greqinë etj., etj.) edhe sjellja e tij personale (sharjet dhe fyerjet, akuzat ndaj opozitës dhe Bashës, takimet e fshehta, rrenat dhe tallja, idetë kozmopolite që nuk duan as komb dhe as atdhe etj.) janë së paku të pavlera dhe pa dyshim të zhytura në hipokrizi.

Akuzat e Ramës se Basha duhet të përgjigjen për bashkëpunimin në hetimin ndaj luftëtarëve të UÇK-së janë pjesë e kësaj sjelljeje dhe vepre rousseauiane të pamoralshme të Ramës. Basha ka qenë përkthyes në ekipet e OKB-së, në ekipet e mjekëve dhe prokurorëve që hetonin për krime të mundshme. Çfarë pune ka në hetime, në gjetje prove, në përpilim akuze një përkthyes këtë vetëm një moral rousseauian e shpjegon. Nëse ka shkuar puna aq rëndë për Ramën sa ta akuzojë Bashën për këtë bashkëpunim me hetimin, atëherë Rama paska mbërritur në fund. Ai nuk mund të sajoka dot më asnjë fantazi, asnjë gjë. Rama duket se pohon me këtë që Basha qenka kristal dhe pa dyshim një politikan patriot. Ndërsa ato budallallëqet për pse e votoi Berisha raportin, nuk ia vlen të merresh gjatë. Atë raport e votoi Kosova dhe BE-ja, ishte dakord SHBA. Raporti u votua në mënyrë që këto akuza të ndyra të fshihen nga një gjykim i drejtë.

Rama e shfaqi këtë gjendje të rëndë këto ditë, sepse atij i duhej si për ironi të nënshkruante një marrëveshje me Presidentin serb, Vuçiç, për mini-Shengenin në një kohë që drejtuesit e luftës së Kosovës me akuza të Beogradit janë në Hagë. Në nënvetëdije Rama e di që shqiptarët e njohin si një njeri që nuk ka dashuri për shqiptarinë dhe Kosovës, si një njeri që mund të shesë gjithçka dhe ndaj reagoi me akuza. Gjithashtu, gjendja në vend është bërë e rëndë me mjerimin, papunësinë, por sidomos me spitalet dhe të sëmurët. Ngado që ta shohësh, Rama ngec keq te pragu Rousseau.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura