Pozita e vështirë e Albin Kurtit

Mar 12, 2020 | 11:27
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150

NGA LEONIDHA MËRTIRI

Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, aktualisht ndodhet në një pozitë të vështirë teksa i kërkohet heqja e taksës për mallrat serbe dhe boshnjake për të rifilluar dialogun me Serbinë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Siç është e njohur, rreth një vit e gjysmë më parë, ndaj mallrave të mësipërme Kosova vendosi taksën 100 për qind.

Në fillim të detyrës si Kryeministër, ai u shpreh se kjo taksë do të zëvendësohej me reciprocitet ndaj Serbisë. Kjo u duk me të drejtë si lojë fjalësh. Sepse ku mund të ndryshonin nga njëra-tjetra? Kësaj i thonë hiqe dhe mos e këput. Ndërsa ditë më parë, Albin Kurti konfirmoi, duke përcaktuar dhe afatet, se më 15 mars taksa do të hiqej për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kjo shkaktoi te përfaqësuesit më në zë të opozitës breshëri kritikash ndaj tij dhe ashtu siç pritej dhe që është e njohur për ne, nuk munguan reagimet, etiketimet për Kurtin si “tradhtar”, “mashtrues”, “përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, se ky do të ishte “fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë”.

Pozita e vështirë e tij lidhet edhe me qëndrimet e njohura, të mbajtura gjatë periudhës para zgjedhjeve. Duke qenë në opozitë, ato kanë qenë të ashpra dhe pa ekuivokë. Tani, në krye të qeverisë nuk mund të jenë të njëjtat në disa drejtime. Me sa duket, sfida e parë lidhet me veten, duke i dhënë shkasë gjykimit dyplanësh nga ana e të tjerëve. Kjo pozitë vështirësohet edhe për faktin tjetër: Aleati i Vetëvendosjes në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, distancohet nga propozimet e tij.

Ajo është për “heqjen e menjëhershme të taksave” për të frenuar “antiamerikanizmin e Kryeministrit(?!)”. Madje, zëvendësi i tij, numri dy i qeverisë, Avdullah Hoti, kërcënon hapur se nëse nuk hiqet kjo taksë, LDK nuk do të rrijë në qeveri. Me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, mendimet gjithashtu janë të ndara, sikurse dhe kontaktet e munguara me njëri-tjetrin, si Kryeministër dhe President të të njëjtit vend. Të marrurit vesh përmes deklaratave, për fat të keq është nga udhët më të lakmueshme të liderëve të Kosovës.

Hashim Thaçi i drejtohet Qeverisë së Kurtit edhe gjatë këtyre ditëve, që të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të SHBA-së. Nga ana tjetër, SHBA, përmes zyrtarëve të lartë të tyre, të ngarkuar me bisedimet KosovëSerbi, së bashku me Bashkimin Europian, i kanë kundërshtuar me kohë masat e propozuara nga Kurti, duke këmbëngulur në shfuqizimin e plotë të tarifave, për të filluar dialogu i kërkuar dhe jo të mbështesë masat e pjesshme të Qeverisë. Riçhard Grenell, i dërguari i Presidentit Trump, e sheh heqjen e pjesshme të taksës si “gabim shumë serioz” të Kurtit. Diferencat në qëndrime të të dy palëve janë të ndjeshme. Që me vendosjen nga qeveria e mëparshme e Ramush Haradinajt, letra e zyrtarëve të lartë amerikanë paralajmëronte masa ndaj Kosovës, në rast mospezullimi të tyre. Ato janë bërë të njohura, sidomos gjatë këtyre ditëve.

Parashihet bllokimi i fondeve prej dyqind milionë eurosh përmes investimeve në Kosovë apo, siç pohoi pardje senatori amerikan, David Perdue, SHBA duhet të rishqyrtojë prezencën ushtarake në Kosovë. Në këtë situatë, rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën nuk mund të lihen rrugës, duke i zbehur raportet me to. Përkundrazi. Ato kërkojnë urtësi dhe vizion nga udhëheqësit e Kosovës. Por edhe transparencë e duke folur me një zë.

Të vazhdosh me ekzagjerime, me ndarje si ato, se cila është me SHBAnë e cila kundër saj, secili në hesap të vetë, do të thotë t’i qëndrosh larg asaj që presin njerëzit. Sikurse dhe ajo krenari, që të mban të mbërthyer pas asaj dë ashtuquajturës “burrëri”. Kujt mund t’i interesojë kjo farë “kakofonie burrërore”? E rëndësishme është që gjithçka të jetë për Kosovën, për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Një ditë më parë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke reaguar ndaj qëndrimeve të deritanishme të faktorit politik, e konsideron kauzë populiste të Qeverisë mostër heqjen e taksës sipas amerikanëve.

Dhe kur flasim për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, pa folur për qëndrimin e aleatit tonë strategjik ndaj saj, a ka vend për ta parë atë dhe në raport me rregullat ekonomiko-tregtare botërore? Duke qenë transparent, sa u qëndron ajo këtyre të fundit? Le të kujtojmë marrëveshjen e fazës së parë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, nënshkruar në mes të janarit të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë, të cilën Presidenti Trump e konsideroi “marrëveshje të rëndësishme”, kurse kinezët “arritje në saj të parimeve të barazisë dhe reciprocitetit”.

Ajo flet për një erë të re, edhe pse disi e mundimshme midis dy vendeve, pas shtimit që iu bë tarifave doganore nga Presidenti Trump mallrave të importuara nga Kina. Vendosja e këtyre tarifave dy vjet më parë shkaktoi mosmarrëveshje, tensionoi jo pak klimën në marrëdhëniet dypalëshe ekonomiko-tregtare. SHBA e akuzoi atëherë Kinën për praktika jo të drejta të tregtisë së saj në favor të kompanive të veta. Kjo luftë tregtare, për të dyja palët ishte kërcënuese, kur ekonomitë e tyre përbëjnë 40 për qind të GDP-së në shkallë botërore. Më në fund, qëndrimet ndryshuan pas konsultimeve të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve, stabilizimin e marrëdhënieve. Për rrjedhojë, reputacioni u rrit.

Pavarësisht shembullit që përmendëm, dhe arsyet e vendosjes së taksës nga Kosova janë të ndryshme, e rëndësishme është që në heqjen e saj të jemi unikë dhe t’i besojmë më shumë SHBA-së. Dhe kemi jo pak arsye për këtë. Është gjithashtu e drejtë e Kosovës, siç kemi theksuar dhe në një shkrim të mëparshëm, që në këtë kuadër, të ketë një garanci më të madhe në ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë: Prania në të e SHBA-së, për të arritur në Marrëveshjen e kërkuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura