“Posta e Shqypnis’” e …Tefë Topallit

Mar 15, 2018 | 10:27
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Numri i fundit i “Posta e Shqypnis” këtë vit mbush të njëqindtat që ka dalë nga shtypi. Dhe masandej, gazeta (Fletorja, siç thirreshin aso kohe) aty është mbyllë. Kurse numri i parë ka dalë dy vjet më herët, më 5 dhjetor 1916, dhe në të shënohet: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve.

Drejtuer i gjegjshem, P.Gjergj Fishta O.F.M. Në qoftë se në historinë e publicistikës shqiptare, organe si “Albania” e Faik Konicës, revista më e madhe dhe më jetëgjatë e Rilindjes kombëtare, “Dielli” e “Vatra” në Amerikë, por edhe të tjera në kolonitë shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjypt a tek Arbëreshët e Italisë janë të njohura e të lëvruara në kujtesën e opinionit të interesuar publik shqiptar, “Posta e Shqypnis’” nuk e ka pasë këtë fat. Për të është folur dhe sidomos është shkruar mjaft më pak. Sigurisht, jo për nga pesha dhe rëndësia e saj në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare në një periudhë mjaft delikate të historisë së saj, në kohët e vështira të Luftës së Parë Botërore. As për nga kualiteti më i ulët publicistik në shumësínë e fletoreve të kohës. Përkundrazi, në bashkëkohësi ajo ka qenë mjaft lart e vlerësuar.

Deri në vendosjen e regjimit kështu. Por më pas as nuk u fol e as nuk u shkrua më. Dhe kjo për një arsye tjetër kontroverse; se ajo u themelua dhe u drejtua prej Gjergj Fishtës. Dhe e vijoi botimin me bashkëvëllezërit e vet, etërit e mëdhenj françeskanë, që përtej anatemave për to, të cilat zgjatën gati një gjysmë shekulli, megjithatë kanë qenë pa mëdyshje në radhën e shërbestarëve më të spikatur të rilindjes e ringjalljes sonë kombëtare. Por duke bashkëpunuar edhe me të tjerë persona po kaq të denjësishëm. Ndër to ka qenë edhe një ushtarak austro-hungarez (duhet kujtuar se Shqipëria asokohe i ishte mirënjohëse Perandorisë austro-hungareze për mbrojtjen që ajo me diplomacinë e saj i kishte bërë e i bënte).

Por …pati në redakcionin [redaksinë] e saj edhe një redaktor të gazetës vjeneze: “Neue Freie Presse” (1864- 1937). “Posta e Shqypnis’” ishte e vetmja fletore shqipe që botohej atë kohë në Shqipëri… dhe qysh në numrin e saj të parë, ajo porosit: “N’nji mëndyrë të posaçme po i porositena [porositemi- këtu i drejtohemi] inteligjencës s’Shqypnieës s’Jugut. Fletorja e jonë nuk asht fletorja e krahinës së Shkodrës; por asht fletorja e Shqypnieës s’madhe”… Prof. Tefë Topallit, në librin e vet më të ri “FOL SHQIP” i (Botimeve Fishta) me shkrime nga gazeta “Posta e Shqynis”, ka dashtë t’i ofrojë lexuesit të interesuar një lëndë publicistike të një organi shtypi të vlertë dhe njëherësh të theksojë pikërisht këtë mungesë të saj, sidomos në informimin e opinionit të interesuar sot.

I strukturuar në kapituj si: Tekste për gjuhën, Arsimi në vendin tonë, Zgjedhje për modele gjuhësore, Shkrime kulturore, Ceremoni vdekjeje dhe nekrologji dhe pjesa e dytë: Maximilian Lambertz-i në shkrimet për gjuhën shqipe, botuar në gazetën “Posta e Shqypnis”, libri sjell për lexuesin e interesuar një “jetëshkrim” të plotë të njërës prej gazetave politike e kulturore të dorës së parë të para një shekulli. Ky ka qenë synimi i tij i parë, i shpallur në krye të herës, në parathënien e librit të vet.

Por autori, ndër më kompetentët e studiuesve të gjuhës shqipe, sjell gjithashtu edhe përsiatje të vlerta studimore për gjuhën tonë të shkruar në një periudhë kyç të historisë sonë, siç ishte fillimi i shekullit të XX-të. “Posta e Shqypnieës’” i shërben autorit edhe për të qëmtuar në temën gjithherë “inkandeshente” të raportit të drejtshkrimit të njësuem dhe dialekteve. Sidomos atij gegë, i cili, referuar debatit gjithherë zhurmueshëm për të gjatë rreth 30 viteve të fundit, ndihet më shumë “i kërcënuar”, më së tepërmi prej mospërdorimit, sidomos shkrimor.

Por prof. Topalli nuk mënon të shprehë mendimin e vet autentik që gjendet diku në mes të “inkandeshentes” (flakërimit) së debatit: “Standardet gjuhësore-kumton profesor Topalli-në çdo gjuhë të lavrueme t’i marrësh, nuk janë aq lehtë tronditshëm, këndej dhe jo aq me vend zhurma dhe shqetësimi pa shkak që ngrihet prej dy dekadash për disa koncepte teorike të standardit dhe raporteve të tij me variantet”. Ndonëse ai dëshmohet i shkruem qysh prej dokumenteve të para të shqipes e si i këtillë, ka modele në të gjitha rrafshet e gjuhës sonë. Referuar studimeve bashkëkohore, gjen arsyetime e konkluzione studimore që shkojnë nëpër këtë hulli: “një gjuhë vazhdon të jetojë vetëm nëse mbetet e shkruar apo e regjistruar.

Në njëfarë mënyre, kjo ngjet sepse gjuhët e folura nuk lënë asnjë mbetje arkeologjike…mbase kur vdes një gjuhë që nuk është dokumentuar kurrë, është njësoj sikur të mos ketë ekzistuar asnjëherë (Crystal David. La rivoluzione delle ligue, il Mulino-Contemporanea, Bologna ,2005). Por në kërkim e në vijim të shpresës, prof. Topalli e ka një shtjellë: “Ndoshta,-kumton profesori,- ‘gega i fundit’ që shkruen “pastër” e me kompetencë në variantin e veriut, âsht studiuesi i letërsisë dhe përkthyesi i njohun dr. Primo Shllaku, i cili din “me luejtë” njësoj me gjuhen e shkruese (në prozë e poezi) në të dy dialektet, si në krijimtarinë origjinale të tijën, ashtu edhe në përkthimet prej disa gjuhëve…

E ta k’ande që përkrah mikut Primo, me avitë edhe 2 emra tjerë: gazetarin kosovar Migjen Kelmendi e ma përtej përkthyesin e shkrimtarit Martin Camaj, Hans Joachim Lanksch-in, të cilët në tri shtete të ndryshme mbajnë nji flamur gjuhe… Asnji dam nuk i vjen standardit gjuhësor prej përdorimit të njenit a tjetrit variant letrar, do të shprehej po para një shekulli në ‘Posta e Shqypnis’, Justin Rrota për gjuhën gjermane, asokohe të njësuar”. Në përmbyllje të leximit, të grish denduria e footnot-ave në fundfaqet e librit; po t’i numërosh të dalin jo më pak se 478 syresh.

Përpos se si shpjegime historike të fjalëve dhe idiomave të përdoruna në përditshmërinë e atëhershme, por edhe si referencë kulturore e rrethanave të kohës, plotësojnë nevojën për të njohur funksionimin e jetës qytetëse të fillimshekullit të shkuar. Ato janë gjithashtu shumica shpjegime fjalësh atëherë të përdorshme e sot thuajse të vdekura. Kështu, ata përbëjnë një fjalës (fjalorth), që njëherësh është një pjesë e begatë nga thesari autentik i gjuhës shqipe, një pasuri thuajse e shkuar dëm prej harresës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura