Portugalia fiton dhe ëndërron

Jun 14, 2012 | 15:28
SHPËRNDAJE

Portugalia arrin të marrë një fitore mjaft të vuajtur në përballjen me Danimarkën, duke ruajtur ende shpresat për një vend në çerekfinale të këtij Europiani. Edhe pse luzitanët shkuan dy herë në avantazh me anë të Pepes dhe Postigas, ishte Niklas Bendtner ai që i ktheu në “tokë” djemtë e Paolo Bentos. Nën presionin e një eliminimi të mundshëm, kjo edhe se patën humbur ndeshjen e parë ndaj Gjermanisë, portugezët ia behën te porta e danezëve dhe atë që nuk e bën dot Kristiano Ronaldo, dështaku më i madh i kësaj Portugalie, e bën 20-vjeçari i Portos, Varela. 3-2 dhe Portugalia i bashkohet me pikë të barabarta Danimarkës, në pritje të ndeshjeve të fundit ku që të dyja kanë shpresa reale për t’u kualifikuar. Danimarka zbret në fushë si e barabartë duke mos treguar asnjë lloj frike karshi luzitanëve. Madje, janë danezët që kanë rastet më të mira për shënim në 20 minutat e para. E megjithatë, janë portugezët ata që kalojnë të parët në avantazh: goditje këndi e Zhoao Mutinjos, Pepe kërcen para të gjithëve duke e çuar topin me kokë në cepin e largët të mbrojtur nga portieri i danezëve. Danimarka në gjendje “shoku”, Portugalia merr zemër dhe shënon edhe golin e dytë: Nani nga e djathta e sulmit portugez lëshon një top në zonë, ku Postiga arrin ta prekë para mbrojtësit Kjaer duke shënuar golin e dytë. Duket sikur ka mbaruar gjithçka dhe luzitanët i lejojnë vetes disa minuta qetësie dhe relaksi, por i “zgjon” shpejt Bendtner. Kvist kroson në zonë, mbrojtja portugeze gabon pozicionin jashtë loje ndaj Krohn-Dehli, i cili me kokë pason për Bendtner, gati në linjën e portës dhe 1-2. Fraksioni i dytë i lojës nis me një rast të pastër për Ronaldon, i cili vërshon nga e majta e sulmit, del ballë për ballë me portierin, por, çuditërisht, gjuan si një amator në trupin e këtij të fundit. Dita e keqe e sulmuesit të Real Madridit nuk mbaron me kaq: në minutën e 32-të të kësaj pjese ai ka një rast të artë për të shënuar, sërish përballë portierit dhe i pashqetësuar nga asnjë mbrojtës, por gjuan jashtë. Që këtu merr zemër Danimarka duke startuar me një sërë sulmesh te porta e Rui Patricios. Pa kaluar më shumë se 4 minuta është sërish Bendtner, i cili pasi merr një kros të bukur nga krahu i djathtë i sulmit nga Lars Jakobsen, gjuan fort me kokë dhe portieri vetëm sa e devijon topin, por nuk arrin ta largojë. Barazim 2-2 dhe Portugalia e sheh veten jashtë Europianit. Tekniku i luzitanëve hedh menjëherë në fushë Varelan, lëvizje kjo që do të rezultojë e goditur për luzitanët. Tri minuta nga futja në fushë, 20-vjeçari “peshkohet” në zonë dhe, pasi rrotullohet rreth vetes, gjuan duke shënuar golin e fitores.

Skeda e ndeshjes
Danimarkë-Portugali 2-3

Shënues: Bendtner 40’, 80’/ Pepe 24’, H.Postiga 36’, Varela 87’
Kartonë të verdhë: J.Poulsen, L.Jakobsen/ Meireles, Ronaldo
Gjyqtarë: Kreg Tomson/ A.Ros dhe D.Ros (SKO)
Danimarka (4-2-3-1): Andersen, Jakobsen, Kjaer, Ager, S.Poulsen, Kvist, Zimling (J.Poulsen 17’), Romedahl (Mikelsen 60’), Eriksen, Krohn-Dehli (Shone 90’), Bendtner. Trajner: Morten Olsen
Portugalia (4-2-3-1): Patrisio, Pereira, B.Alves, Pepe, Koentrao, Meireles (Varela 84’), Veloso, Mutinjo, Nani (Rolando 89’), Postiga (N.Olivera 64’), Ronaldo. Trajner: Paulo Bento

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Nani te Portugalia dhe Niklas Bendtner te Danimarka, janë dhe dy lojtarë më të mirë të ndeshjes së djeshme.
Më i dobëti – Pa dyshimin më të vogël: Kristiano Ronaldo. Ndonëse prej tij pritej shumë më tepër, ai rezultoi lojtari më i dobët.
Çelësi i përballjes – Problematika më e madhe te të dyja skuadrat u pa te mbrojtësit anësorë. Si te Portugalia, edhe te Danimarka ishin pikërisht këta të fundit që nuk arritën të mbanin kundërshtarin në rastet e golave.
Taktika – Portugalia e përqendroi lojën e vet te krahët, ku Nani në të djathtë dhe Koentrao në të majtë shtynin shumë në sulm. Ndërkohë Danimarka provon në pjesën e dytë që të dominojë mesfushën duke shtyrë edhe mbrojtësit drejt sulmit dhe, në njëfarë mënyre, ia arrin, pasi e mbyll Portugalinë në zonën e vet.
Moviola – Mungon vetëm një karton i kuq që i duhej dhënë Raul Meireles në momentin kur ky i fundit ndaloi qëllimisht lojtarin e Danimarkës teksa ky po shkonte i vetëm drejt portës. Arbitri dha vetëm karton të verdhë.

Bento: E merituam fitoren se dominuam
Trajneri i Portugalisë e ka konsideruar si rezultatin më të drejtë fitoren e skuadrës së tij ndaj Danimarkës. “Ishte një fitore totalisht e merituar për atë çka dhamë në fushën e lojës. Në pjesën e parë luajtëm mirë, paçka se pësuam një gol. Rrezikuam portën e tyre dhe dominuam në fushë. Në pjesën e dytë u mbyllëm disi në mbrojtje duke përdoruar kundërsulmin, por gabuam raste të pastra për shënim. Pësuam barazimin, por ajo që më pëlqeu ishte fakti se skuadra nuk u dorëzua”, tha Bento.

Olsen: E tmerrshme të humbasësh në finish
Trajneri i Danimarkës pohon se është ndjerë shumë keq par faktin se humbi një ndeshje në minutat e fundit. “Është e tmerrshme. Të shkosh në disavantazh të dy golave, të rikuperosh dhe më pas të pësosh sërish vetëm pak minuta nga fundi, kjo është e padurueshme. Gjithsesi, jam realisht i kënaqur për nga mënyra se si luajtëm në këtë ndeshje. Pësuam në pjesën e parë, por nxorëm gjithë grintën dhe dëshirën për të marrë pikë në fraksionin e dytë të lojës”, ka pohuar Olsen.

Ronaldo: Gabova, por të paktën fitoi ekipi
Sulmuesi i Portugalisë konfirmon faktin se ka luajtur një ndeshje të dobët. “Pas aq shumë rastesh që pata për shënim, mendoj se duhej të kisha bërë shumë më mirë se kaq. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ne fituam, paçka se vuajtëm deri në fund. Tani duhet të fitojmë me patjetër në ndeshjen tjetër ndaj Holandës dhe të shkojmë në çerekfinale të këtij europiani. Objektivi ynë është arritja e çerekfinaleve dhe më pas të shohim”, ka pohuar Ronaldo.

Postiga
Sulmuesi i Portugalisë ka hyrë në historinë e futbollit të këtij vendi pasi goli i shënuar dje ka qenë i 20-ti për të me fanellën e kësaj skuadre. Kështu ai është lojtari i dhjetë në historinë e kësaj kombëtareje që shkon deri në kuotën e 20 golave. Sulmuesi ka luajtur 51 ndeshje dhe mban edhe një rekord tjetër pasi është lojtari i pestë në Europë që shënon në tri kampionate europiane radhazi. Para tij kanë shënuar Tieri Henri (Francë), Smicer (Çeki), Klinsman (Gjermani) dhe Nuno Gomes (Portugali).

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura