Porto Romano pa zjarrfikës, rrezik nga hidrokarburet

Feb 1, 2016 | 15:43
SHPËRNDAJE

Në parkun energjetik të Porto Romanos mungon posta zjarrfikëse. Depozitat “gjigante” të hidrokarbureve u larguan pak vite më parë nga Porti i Durrësit dhe u vendosën në portin e Porto Romanos, pasi ishin shumë pranë zonës së banuar dhe përbë- nin rrezik.

Mirëpo, qyteti rrezikon njësoj. Kushtet e sigurisë lënë për të dëshiruar në parkun energjetik të Porto Romanos, ku depozitohen mijëra tonë hidrokarbure si naftë, benzinë, benzol e gaz, e prej nga furnizohet i gjithë vendi, Kosova dhe Maqedonia.

Porto Romano

Parku i vogël energjetik, i gjendur vetëm gjashtë kilometra nga qendra e Durrësit dhe fare pranë zonave të banuara, është një “minë” për qytetin bregdetar, e cila mund të shpërthejë me gabimin e parë të ndonjërit prej punonjësve.

REPART ZJARRFIKËS Rregullorja e do që venddepozitimi i hidrokarbureve, sikurse është edhe parku energjetik në Porto Romano, duhet të jetë i pajisur me postë zjarrfikëse. Këtë duhet ta sigurojnë vetë 12 kompanitë që veprojnë nëpërmjet parkut energjetik me importimin, depozitimin dhe shpërndarjen e hidrokarbureve. Kushti më minimal nuk respektohet. Pajisja me postë zjarrfikëse ishte kushti kryesor që Ministra e Energjetikës vendosi pak vite më parë për kompanitë që depozitojnë hidrokarbure.

Pikën më të afërt të repartit zjarrfikës, parku energjetik ku depozitohen qindramijëra litra hidrokarbure të ndryshme, ka atë të Durrësit (gjashtë kilometra larg). Në çdo rast shpërthimi apo zjarri, zjarrfikësit veprojnë të parët. Duke mbërritur në kohë, zjarrfikësit mund të parandalojnë ndonjë katastrofë të mundshme, pasi në rast shpërthimi përllogariten dëme kolosale, jo vetën në zonat përreth, por edhe në qytetin e Durrësit.

PARKU ENERGJITIK Zona e Porto Romanos, e gjendur gjashtë kilometra në veri të qytetit të Durrësit, u përcaktua në vitin 2001 si vend për zhvendosjen e depozitave të naftës, pjesë e një parku energjetik të vogël. Parku energjetik zë një sipërfaqe prej 810 hektarësh, ku përfshihen disa impiante energjetike dhe industriale.

Përveç terminalit të naftës, i cili u përfundua dhe filloi punën më 2009-n, plani për parkun energjetik përfshin depozita nafte dhe gazi të lëngshëm, një rafineri nafte, një depozitë magazinimi për kimikate, një impiant për trajtimin e bionaftës, një terminal për gazifikimin e gazit natyror të lëngëzuar dhe një park industrial me sipërfaqe 70 hektarë.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura