Porositë skizofrenike të Vuçiçit

Sep 19, 2018 | 12:28
SHPËRNDAJE

ADRIATIK KELMENDI

image_400x400

S’pati asgjë historike në “fjalimin më të rëndësishëm në jetë” të Vuçiqit në Kosovë. Ishte një fjalim i zakonshëm i secilit prej zyrtarëve të lartë të Beogradit që e ka vizituar Kosovën në këta 30 vjet. Për më tepër, ishte një fjalim i bukur skizofrenik. Duhet të pajtohemi, është pozitive që ai e përshkroi veten si njeri të jetës dhe jo njeri të vdekjes. Është e kuptueshme, kur tha se ka pasur mjaft vdekje e vuajtje në këto anë dhe se duhet punuar fort për të arritur një kompromis me shqiptarët. Gjithashtu, s’ka përse t’i pengojë dikujt nëse Vuçiq edhe tha se, nëse dikush i sulmon serbët në Kosovë, Serbia nuk do të rrijë duarkryq.

Askush, asnjëherë, nuk ka përse ta sulmojë asnjë serb në Kosovë, meqë vetë Kosova duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët e vet, pa asnjë diskriminim, njësoj. Se nëse Kosova nuk i mbron të gjithë qytetarët e vet njësoj, atëherë i bie se nuk e meriton të jetë shtet, se duhet intervenuar nga jashtë për t’i mbrojtur dikush dhe se lidershipi i Prishtinës me këtë mosmbrojtje ose sulm të qytetarëve të vet – në këtë rast serbëve – po sillet njësoj si Serbia e Millosheviqit e viteve ’90.

Pra, askush nuk do të duhej t’ia zinte për të madhe ndonjë lideri serb që të vijë në Kosovë dhe të flasë për një jetë më të mirë të pjesëtarëve të etnisë së tij. Përkundrazi!

Mirëpo, çka e bëri skizofrenik këtë fjalim të Vuçiqit është që njëkohësisht me këto porosi të drejta, ai kaloi në ekstremin tjetër dhe e lartësoi Millosheviqin.

Kështu nuk bëhet historia. Fatkeqësisht, kështu nuk ndihmohen as serbët në Kosovë, as çfarëdo marrëveshjeje “kompromisi” mes Prishtinës dhe Beogradit.

Duke e futur gishtin thellë në plagën e shqiptarëve, askush nuk mund t’i ndihmojë serbët. Por as duke u thirrur në Millosheviqin si “lider i madh” nuk u bëhet kurrfarë nderi serbëve as në Kosovë e as në Serbi.

Shqiptarët në Kosovë janë viktimat më të mëdha të Millosheviqit, meqë nën diktatin e tij janë vrarë rreth 12 mijë persona, rreth 1.300 janë ende të pagjetur, janë dëbuar rreth një milion e janë shkatërruar mbi 100 mijë prona. Por në të njëjtën kohë, viktima të Millosheviqit janë edhe serbët. Po të mos ishin politikat e këtij që Vuçiq e quan “lider të madh”, në Kosovë nuk do të vriteshin rreth 2 mijë serbë, nuk do të ishin edhe sot rreth 400 të pagjetur, si dhe nuk do të detyroheshin të shpërnguleshin me dhjetëra e mijëra.

Mëkati më i madh është që sot 20-30- vjeçarët serbë, të cilët s’kanë pasur kurrfarë ndikimi në ngritjen e Millosheviqit dhe në luftën e vuajtjet që u bënë në Kosovë, vuajnë pasojat. Edhe këta serbë janë njësoj viktima të Millosheviqit si dhe shqiptarët, meqë si këta si dhe shqiptarët nuk e kishin votuar Millosheviqin, por i kanë vuajtur dhe po i vuajnë politikat e tij.

Dhe në çastet kur presin që do të dalë një lider “pak më i mençur” serb, i cili me një “fjalim historik” do t’i ndryshojë gjërat për të mirë për të gjithë – marrin: Millosheviqin.

Vuçiq iu prezanton atyre vetveten në versionin Millosheviq 2.0.

Çfarë cinizmi mazohist! Çfarë zhgënjimi! Në anën tjetër, Perëndimi gjithashtu duhet ta dekodojë me kujdes “fjalimin historik” të Vuçiqit.

Serbia është në OKB, Kosova nuk është në OKB. Vuçiqi tha se Millosheviqi ishte lider i madh. Vetë Tribunali i OKB-së për Krime Lufte e ka akuzuar Millosheviqin për krime në Kosovë. Serbia përpiqet t’i plotësojë kushtet për në BE, kurse 5 shtete të saja nuk e njohin Kosovën. Vuçiqi e lavdëroi Millosheviqin. Shumica e shteteve të BE-së kanë marrë pjesë në luftën e NATO-s kundër Serbisë, për t’i ndalur masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë. Qytetarët shqiptarë ende vuajnë nga politikanët e Serbisë. Edhe qytetarët serbë të Kosovës po vazhdojnë të vuajnë nga politikanët e Serbisë. Edhe shqiptarët, edhe serbët s’e kanë për borxh të vuajnë për interesa të politikanëve gati 20 vjet pas përfundimit të luftës. Edhe Perëndimi duhet të mos e humbë fokusin e asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh. Millosheviqi ka qenë kriminel, nuk ka qenë lider i madh. Kushdo që e lartëson Millosheviqin, nuk ia do të mirën as shqiptarëve e as serbëve.

Rrjedhimisht, kushdo që e lartëson Millosheviqin, nuk mund të jetë lider i madh, por vetëm njeri i vogël.

Me njerëz të vegjël, vështirë të arrihen marrëveshje të mëdha “historike”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura