Populli po pyetet edhe për legalizimin e kanabisit në disa aspekte

Jan 20, 2022 | 7:31
SHPËRNDAJE

Pellumb NakoNGA PËLLUMB NAKO/ Nëpërmjet një formulari pyetjesh, Kryeministri ynë i është drejtuar popullit për të mësuar mendimin e tij lidhur me shumë probleme që e shqetësojnë qeverinë e tij dhe sidomos atë personalisht.

Në këtë bashkëbisedim të hapur publik, të drejtpërdrejtë, ndër të tjera, ai trajton edhe legalizimin e mundshëm të kultivimit të kanabisit me qëllim përdorimin e tij mjekësor, eksportin, duke përjashtuar ligjërimin vetëm të përdorimit të pakontrolluar. Për nga mënyra se si është hartuar pyetja, del qartë një përgjigje pozitive. Nisma është jo vetëm e kuptueshme sepse e orienton kultivimin e bimës drejt një përdorimi mjekësor, por edhe e lidhur me të ardhurat e vendit sepse bëhet fjalë për eksportin e tij.

Ndërkohë që ndërkombëtarisht dihet se cilësia e kanabisit shqiptar është e vlerësuar shumë në tregjet e destinacionit Elementi, i cili mbetet i pacenuar në këtë nismë, është pikërisht ai më kryesori: përdoruesit, të varurit nga kanabisi. Nuk ka legalizim për përdoruesit e bimës. Por vetëm kaq, është shumë pak. Që në parim duket qartë se nisma e marrë nga Kryeministri nuk synon problemin e rëndë social, që dhemb më shumë, pra, konsumin abuziv të kanabisit, i cili dihet që është i përdorur masivisht nga moshat e reja.

Në këtë pyetësor, popullit nuk i kërkohet qoftë edhe një mendim i thjeshtë se si mund të ulet në mënyrë sa më drastike numri i personave që vuajnë nga varësia prej lëndëve narkotike dhe në rastin konkret nga kanabisi. Thënë me fjalë të tjera, shqetësimi i Kryeministrit duhet të ishte jo vetëm legalizimi i kultivimit të kanabisit që kështu siç është inkriminoi gjithë dynjanë, jo vetëm lejimi i eksportit i tij që deri tani në formë trafiqesh lemerisi mbarë botën, por edhe problemi i përdoruesve brenda vendit, kryesisht adoleshentë që shqetësojnë prindërit e tyre, familjen, shoqërinë shqiptare.

Megjithëse për këtë problematikë të kanabisit Kryeministri i drejtohet popullit, duket qartë që shqetësimin nuk e ka për këtë të fundit, por se si të rrisë të ardhurat. Dhe kjo gjë është diçka tipike e kësaj qeverie që kur vjen puna për të korrur para, nuk e sheh aksionin të lidhur direkt me zbutjen e problemeve sociale, por me lloj-lloj projektesh që i shërbejnë financimit të klientelës së fuqishme brenda dhe jashtë vendit, që gjithmonë kanë një sfond politik dhe gjithmonë si objektiv, rruajtjen e pushtetit.

Pyetja drejtuar popullit do të ishte më e plotë nëse nisma e legalizimit të pjesshëm të kanabisit do të kishte për efekt uljen e numrit të përdoruesve të bimës. Dhe kjo gjë duhej venë në dukje shumë fort. Me plot të drejtë, dikush mund të thotë se vënia nën kontroll e kultivimit të kanabisit, e eksportit, përdorimi i tij për qëllime mjekësore, indirekt do të ketë pasoja pozitive edhe për përdoruesit. Vështirë të përfytyrohet kur sheh që të paktën nga pyetja e bërë prej Kryeministrit, përdoruesit e kanabisit, nuk duken shqetësim për të.

Madje, ka edhe problematika të tjera, sepse të gjithë e dimë që në këto tridhjetë vite të fundit, kanabisi është kthyer në një sagë të dhimbshme. Pikëpyetja tjetër që del, po aq madhore sa problemi i mësipërm, lidhet me efikasitetin e strukturave shtetërore në mbajtjen nën kontroll të kultivimit të kanabisit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, sa serioze është qeveria në këtë aspekt. Me kanabisin është bërë mirëfilli politikë.

Me paratë e kanabisit, me favorizimin e kultivimit të tij nga disa grupime, janë ndikuar dukshëm edhe zgjedhjet në fushata elektorale. Kultivimi i kanabisit është liruar dhe shtrënguar sipas interesave politike qeveritare. Pra, lufta kundër tij, kur ishte ilegal, dhe kontrolli kur të legalizohet, më shumë është çështje vullneti politik të qeverisë për ta përdorur sesa çështje grupesh kriminale.

Çfarëdo përgjigje të japë publiku për pyetjet e Kryeministrit, në fund gjithçka do të varet se si do ta përdorë ai këtë bonus që mund t’i japë popullata. Dhe po ta shohësh me vëmendje, kjo nismë vjen thjesht në një moment, kur qeverisë i duhen metoda më ligjore për të kontrolluar të ardhurat nga kanabisi. Ata që favorizoheshin dikur, duke mbyllur njërin sy, për të kultivuar kanabisin e për të ndarë me pushtetin të ardhurat në fushata elektorale, me anë të kësaj nisme do të licencohen.

Pothuaj të njëjtët do të jenë, klientelë e ngushtë e qeverisë. Pra, thënë ndryshe, populli pyetet në parim për kanabisin, por kur gjithçka materializohet, nuk mbetet më e njëjta gjë. Nuk bëhet fjalë për parime, por për seriozitet të ekzekutivit për t’iu përmbajtur asaj që deklarohet. Përderisa prej kultivimit të kanabisit u përfitua politikisht aq shumë në kohën kur ishte tërësisht i ndaluar, përse duhet të jetë ndryshe nesër kur disa aspekte të tij do të legalizohen? Populli kot pyetet!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura