Polonia ndërpret marrëveshjen 30-vjeçare me Rusinë për furnizim me gaz: Nuk është një partner i besueshëm

May 23, 2022 | 13:11
SHPËRNDAJE

gjermaniagazirusPolonia ka përfunduar një marrëveshje 30-vjeçare me Rusinë për furnizimet me gaz. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja polake e Klimës, Anna Moskwa.

“Polonia nuk e vazhdon marrëveshjen ndërqeveritare të gazit të vitit 1993 mbi Yamal (tubacion). Agresioni rus kundër Ukrainës konfirmoi korrektësinë e vendosmërisë e qeverisë polake në drejtim të pavarësisë së plotë nga gazi rus”, shkroi Moskwa në Twitter, përcjell CNN të hënën.

Ajo shtoi se Polonia e ka ditur gjithmonë se Gazpromi nuk është partner i besueshëm.

Marrëveshja 30-vjeçare ka përfshirë furnizimin me gaz nëpërmjet tubacionit Yamal dhe ndërtimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës në lidhje me transitin e gazit përmes Polonisë.

Përveç këtij vendi, edhe Lituania ka ndërmarrë hapa lidhur me furnizimin me gazin rus.

Që nga e diela, Lituania ka shkurtuar plotësisht importet e furnizimeve ruse të energjisë, duke përfshirë naftën, energjinë elektrike dhe gazin natyror.

Kjo ndodhi një ditë pasi Rusia ndaloi eksportet e saj të gazit natyror në Finlandë, pasi ky vend aplikoi për anëtarësim në NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura