Politikanët, profesionistët dhe sojsëzët

Feb 3, 2015 | 12:53
SHPËRNDAJE

PIRO AHMETAJ

   Nuk do të ndihesha aspak keq nëse një profesionist i fushës së sigurisë do t’i kundërvihej intervistës sime në gazetën “Panorama” për çështjen e pilotit të FA, i cili humbi jetën në një veprimtari të paligjshme kriminale jashtë kufijve të vendit. Por, u ndjeva vërtet keq kur kundërvënia më erdhi nga një politikan dhe deputet, z. Erjon Braçe, i cili ka shpërdoruar pushtetin politik për të etiketuar me ofendime dhe shpërfillje gjykimin tim profesional. Lind natyrshëm pyetja: A e kanë vërtet politikanët të drejtën për ta bërë një gjë të tillë? Po ashtu, a duhet të ndihen të lirë profesionistët ta shprehin mendimin e tyre?
Në atë intervistë, krahas përgjegjshmërisë së major Fekës, përgjegjësisë së padiskutueshme të individit në detyrë për t’i shërbyer shtetit, edhe shteti dhe institucionet respektivë duhet të nxjerrin mësime, sepse jetojmë në një epokë ku sa qytetari duhet të jetë përgjegjës ndaj shtetit, aq edhe shteti duhet të jetë i përgjegjshëm për qytetarët e tij. Nuk do desha aspak të bëja replikë me z. Braçe për këtë gjë, sepse nuk dua të bie edhe unë në një gabim, që sapo e përmenda më sipër. Por, ndihem përgjegjshmërisht i detyruar të sqaroj disa çështje të prononcimit të tij.
Së pari, Presidenti dhe Komandant i Përgjithshëm i FA, zoti Bujar Nishani, këshilltar i të cilit unë jam i nderuar të jem, e ka dënuar publikisht këtë ngjarje kriminale. Po ashtu, Presidenti ka bërë të qartë vlerësimin e tij, që kjo është një ngjarje e shkëputur, që nuk e intimidon përkushtimin, kontributin dhe integritetin e personelit të FA. Po ashtu, kujtoj se Presidenti Nishani ka shprehur që në krye të herës rezerva kritike për Ligjin e Shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtjes, i cili e ul peshën e këtij shërbimi në nivel të një Zyre të Kontrollit të Brendshëm, pasi drejtuesi i shërbimit të mbështetjes në FASH është gjeneral, ndërsa drejtuesi i shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtjes (me peshë kritike për vendimmarrjen strategjike), është kolonel që emërohet nga ministri i radhës, që në një rast hipotetik mund të jetë në detyrë edhe 2 muaj. Me këtë ligj janë shtrënguar “prangat e politizimit” të këtij shërbimi dhe është rritur frikshëm hapësira e keqpërdorimit. Ligji përfshin tejskajshëm ministrin dhe përjashton në mënyrë të paprecedentë Presidentin e Republikës (kreun e shtetit dhe Komandantin e Përgjithshëm) nga zinxhiri i Komandim-Kontrollit për këtë Agjenci. Pra, kjo ka çuar në një shpërdorim politik të strukturave të pushtetit nga udhëheqja e MM në dëm të shtetit, duke deformuar ndjeshëm balancën e pushteteve në demokraci mbi struktura kaq delikate.
Kujtoj gjithashtu se Presidenti në asnjë rast nuk ka mbajtur qëndrime politike për çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes së RSH, por ka qëndruar mbi palët. Një gjë e tillë u vërtetua edhe nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë institucionit të Presidentit: riktheu atë në detyrën kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm, rrëzoi modelin e “komandantit honorifik”; hodhi poshtë modelin jodemokratik të përqendrimit të pushteteve tek Ekzekutivi (komandant dhe komisar); shmangu pjesërisht politizimin ekstrem të FA, si dhe evitoi modelin qesharak të Komandantit të shkëputur në kohë paqe, lufte, krizash, dhe fatkeqësi natyrore”.
Së dyti, për të gjithë ata që nuk kanë dijeni të mjaftueshme për fushën e sigurisë, detyra e profesionistëve të vërtetë është që, më shumë se analiza e shkëputur e rastit në fjalë të pilotit Feka, të vlerësohet në mënyrë strategjike fenomeni në fjalë dhe mësimet për të ardhmen që gjëra të tilla të mos përsëriten. Me këtë rast, i lutem kujtdo që është keqkuptuar apo keqshpërdoruar, të rilexojë intervistën me gjakftohtësi dhe jo me anësi politike. Më lejoni të qartësoj me përgjegjësi profesionale të gjithë të interesuarit, politikanë apo qytetarë, për sa vijon:
a. Gjykoj që një politikan nuk duhet të shpërdorojë fjalët e profesionistëve, por duhet të nxjerrë mësime nga konkluzionet e tyre. Në asnjë rresht të intervistës nuk “kam marrë përsipër të justifikoj një akt kriminal (përfshirja në trafikun e drogës), me rrogën e vogël të pilotit krahasuar me rajonin, apo me ‘përkujdesjen’ e munguar ndaj tij”, siç artikulon deputeti Braçe. Përkundrazi, kam nxjerrë rekomandime që e kanë nxjerrë para nesh shumë vende të tjera aleate “që fusha e veçantë e ekspertizës që kultivohet në struktura speciale të FA, veçanërisht ato të pilotëve, detarëve, forcave speciale, kapaciteteve të inteligjencës, xhenierëve, etj., duhet të konsiderohen dhe trajtohen si asete kombëtare, pasi kanë në dorë dije, kapacitete dhe aftësi kritike për vendin. Për këtë arsye, gjykoj se motivimi dhe përkujdesja ndaj tyre duhet të jetë më e lartë, për të mos u bërë pre e rekrutimeve kriminale, para, gjatë, apo pas mbarimit të detyrës në FA”. Prandaj, në këtë kontekst, nënvizova se paga e pilotit të FASH (aset strategjik – taksapaguesit paguajnë rreth 1 milion dollarë për përgatitjen e një piloti) dhe, përveç shembujve të pakrahasueshëm me vendet e rajonit, edhe me institucionet e tjera kombëtare, ajo është rreth 2 herë më e vogël se e pilotëve të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme etj. Besoj se për këtë jemi dakord, politikanë apo profesionistë, për të bërë rregullimet e duhura.
b. Vlerësoj që fryma e ligjit të inteligjencës së mbrojtjes krijon premisa të favorshme që këto kapacitete të angazhohen në detyrat jashtë misionit dhe të fokusohen në axhendën politike të ministrit të radhës. Nuk u referohem muajve të fundit, por struktura e inteligjencës së mbrojtjes duhet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë, nën këndvështrimin e një vendi aleat të NATO-s. Ushtarakët tanë, vetëm apo në mënyrë të organizuar, marrin sot pjesë në dhjetëra aktivitete trajnuese, stërvitore, operacionale dhe arsimimi jashtë vendit, ndaj të cilëve duhet një përkujdesje më e specializuar dhe bashkëpunim më i mirë me vendet respektive. Shumë praktika duhet të ndryshojnë që ky shërbim të mos politizohet, por të lihet i lirë të kryejë misionin e tij ligjor. Të gjithë e dinë se shumë energji dhe kohë kanë harxhuar këto shërbime për të përgjuar kush flet mirë apo keq për ministrin apo shefin e radhës, gjë që edhe këtyre u është ëmbëlsuar. Këto shërbime duhet të transformohen për t’u përballur me rreziqet e reja shumë të sofistikuara, njëri prej të cilëve është ky rast që na ndodhi, dhe shumë raste të ngjashme. Kam besim se profesionizmi do të dominojë në punën e këtyre shërbimeve tani e në vijim. Parandalimi i përfshirjes së ushtarakëve në veprimtari kriminale duhet të jetë një nga detyrat themelore të misionit të tyre, i shoqëruar nga reagimi në këto raste. Veçanërisht për pilotët, detarët dhe personeli i strukturave të posaçme duhet të “përkushtohet një kujdes i veçantë”, sepse personeli i tyre është me cilësi të larta të kultivuara në vite dhe mund të bëhen pre e organizatave të ndryshme kriminale, që e kërkojnë një ekspertizë të tillë duke joshur me favorizime kriminale. Besoj se për këtë qasje duhet të jemi dakord të gjithë, politikanë apo profesionistë.
c. Për sa i përket kontrollit të pastërtisë së figurës (vetingut) – dhe jo vetëm për rastin në fjalë, kam artikuluar domosdoshmërinë për një proces serioz të pandërprerë në karrierën e ushtarakut. Është fakt që dalja e ushtarakut jashtë shtetit bëhet me leje dhe kjo buron nga statusi i ushtarakut. Por se si jepet kjo leje, ky është problemi: kjo masë parandaluese/mbrojtëse është kthyer në një masë tërësisht burokratike. Nuk besoj se ka ndonjë rast që ndonjë ushtarak që ka kërkuar leje, nuk i është dhënë ajo. Ligjvënësi me të drejtë e ka vendosur në statusin e ushtarakut këtë masë, por e ka vendosur që të funksionojë dhe jo e kundërta. Faktet thonë se ajo nuk ka funksionuar. Kështu, nëse majori do kishte bërë kërkesë për të dalë jashtë shtetit, natyrisht atij do t’i ishte dhënë leje. Pra, mosmarrja e lejes nuk ka pasur asnjë efekt parandalues – ky është një nga mësimet që duhet të nxjerrim – të transformojmë sistemin aktual burokratik në një sistem funksional. Aq më keq, kur marrja apo dhënia e lejes keqpërdoret për hakmarrje politiko-populiste dhe në mënyrë qesharake me shprehjen “ka ikur 102 herë pa lej”. Pra, duhet të kemi prioritet sistemin parandalues para atij ndëshkues, kur gjërat kanë ndodhur. Në rastin konkret, jemi njohur nga media se majori ka qenë i prirë për bixhoz, kunati tij është dënuar me precedentë kriminalë, që paska qenë i ndëshkuar për largime pa leje etj. Në gjykimin tim, këto struktura e kanë përgjegjësi t’u rekomandojnë drejtuesve të tyre se një ushtarak me rekorde te tilla nuk duhej të konsiderohej në listën prioritare për t’u trajnuar, promovuar apo besuar asete strategjike. Besoj se edhe për këtë, biem dakord të gjithë, politikanë apo profesionistë.
Si konkluzion, gjykoj që jo vetëm individi, por edhe shteti, sidomos Forcat e Armatosura, duke i pasur të gjitha strukturat dhe kapacitetet për ta ushtruar një funksion të tillë të parandalimit të akteve të tilla kriminale, mund ta kishin parandaluar këtë akt, nëse këto sisteme, struktura dhe kapacitete, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, do të kishin qenë funksionalë. Megjithatë, mesazhi im është që të nxjerrim (te gjithë) mësime nga ato që na ndodhin dhe të reformojmë institucionet për të na ndodhur sa më pak gjëra të tilla.
Mesazhi im për z. Braçe është: Mos e mbysni zërin e profesionistëve dhe aq më keq mos i intimidoni dhe shpërdoroni ata! Shikojini qëndrimet e tyre si një alternativë, që mund të ndihmojë aksionet tuaja politike. Pavarësisht se mund të mos jeni dakord me atë që ata shprehin, respektojeni mendimin e tyre alternativ. Kjo është demokracia.
Ndërsa për sa i përket statusit tim zyrtar, i cili shoqërohet me insinuata ofendime nga zoti Erjon, citoj: “nuk qenkam kurrkund në hierarkinë ushtarake .. (!), dal (sipas Tij pa leje…!!) me rrobë ushtarake … “, apo …  që “.. soj gjeneralësh duhen degraduar menjëherë.. “, e siguroj me keqardhje se në rastin më të mirë është shpërdoruar keqas. Për këtë, i rekomandoj të lexojë qetësisht biografinë time profesionale në faqen zyrtare të Presidencës. Kam punuar për 10 vjet në strukturat strategjike të planifikimit dhe Integrimit (MM/SHP); kam përfaqësuar Shqipërinë rreth 6 vjet në Komandën Supreme të NATO-s, kam përfunduar Kolegjin Eisenhower (NDC) etj! Përtej modestisë, gjykoj se kjo biografi profesionale më “certifikon ndërkombëtarisht” të bëj vlerësime dhe rekomandime strategjike, këtë që kam bërë edhe në rastin në fjalë. Pra, jam produkt i sistemit, nuk jam nga “soji i rrugës”, ku gjithfarë sojsëzësh, populistësh-marksistë, të inkriminuar, imitojnë “udhëheqësin Mao”, qasje bolshevike dhe qesharake njëherësh. Sigurisht ndihem krenar, i sojshëm, i përgjegjshëm, edhe më i motivuar për të bërë (do të vijoj të bëj) më të mirën, në dobi të sigurisë qytetare, shoqërisë dhe kombit.

*Gjeneral brigade, këshilltar i Presidentit për Mbrojtjen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura