Politika parimore dhe oportunizmi politik

Feb 12, 2020 | 10:33
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI, PH.D.* sami_repishti

Më 28 janar 2020, në nji konferencë shtypi të mbajtun në Uashington D.C.,- Presidenti Trump shpalosi nji “plan” për zgjidhjen e problemit të ndërlikuem izraelito-palestinez. Më 29 janar 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vrapoi me nji deklaratë publike. Ai përshëndeti “zgjidhjen e problemit palestinez” të mbiemnuem edhe “marrëveshja e shekullit” ose “plani Trump”. “Thaçi e mirëpret planin e Presidentit Donald J. Trump për Lindjen e Mesme”, shkruente gazeta “ZERI” e datës 29 janar 2020.

Presidenti Thaçi tha: “E mirëpres dhe e pranoj planin e lidershipit amerikan të Donald J. Trump për Lindjen e Mesme”. Kështu u shpreh lideri i Kosovës për nji problem që nuk ka lidhje me Kosovën. “Meqë së fundi Presidenti Trump takoi liderët izraelitë, duhet të tregohet udhëheqje dhe vizion që ta bëjnë atë të plotësohet… Bota është duke shikuar dhe është inkurajuar që të ndjekin këtë shembull”, shprehej ai në “Twitter”

Unë nuk e pranoj këtë përcaktim dhe e quej qëndrimin e Presidentit Trump nji gafë e madhe politike dhe nji paturpësi që mohon çdo aspekt pozitiv të politikës së çështjes palestineze.

Reagimi i parë dhe i fortë e parimor erdhi nga diplomati suedez e ndërmjetës në diskutimet për fatin e Kosovës, Carl Bildt, ish-ministër i Jashtëm i Suedisë. Ai shkruen: “Jam plotësisht i sigurt se në nji kohë Millosheviqi do të kishte përqafue me gëzim nji zgjidhje të këtillë për Kosovën, si ajo që propozon Presidenti Trump… Forcat e Sigurimit serb do të ishin në kontroll të plotë e përfundimtar të kufijve, hapësinës ajrore, hapësinës dixhitale, tregtisë. As edhe nji mitraloz i vetëm nuk lejohet. Dhe natyrisht, edhe disa të drejta të kufizueme për kosovarët…” Diplomati suedez vazhdon: “se ashtë i sigurt që… edhe diktatori serb do të dëshironte nji zgjidhje ‘a la Trump’ ku gjithçka kontrollohet nga ushtria (në Kosovë serbe) …”

Reagimi politik i udhëheqësve arabë të Lindjes së Mesme ka qenë i shpejtë, por jo i plotë. Disa ambasadorë arabë ishin prezentë në konferencën e shtypit: nji akt skandaloz që u interpretue si përkrahje e “planit Trump”. Edhe reagimi i Jordanit dhe Libanit që kufizohen me Izraelin ka qenë i vakët. Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Egjipti preferuen me heshtë. Presidenti turk Erdogan e cilësoi planin “nji aneksim i territorit palestinez të okupuem.

Analisti amerikan i marrëdhanieve Izrael-Palestinë, profesor Alon Ben Meir (N.Y.Un.) shkruente në nji mesazh “Çmenduria Trump-Netanyahu”, 5 shkurt 2020: “Qeveritë e njimbasnjishme izraelite kanë ba sigurimin kombëtar pikën qendrore të mbijetesës së Izraelit dhe e lidhin ate me të ashtuquejtunën kërcënim ekzistencial që vjen nga Palestinezët dhe ashtë ba tani nji mani kombëtare. Kështu, kontrolli i jetës dhe i territorit palestinez janë kthye në sinonim me sigurimin kombëtar të Izraelit. Izraeli, nga çdo pikëpamje, i jep vetes licencën me veprue ashtu si i pëlqen në territorin palestinez, tue përfshi edhe “settlements”, (vendbanimet ilegale), me ndërtue pengesa dhe mure ndarëse, me shkatërrue shtëpitë palestineze dhe me kufizue lëvizjen e tyne, e tashti ashtë i gatshëm me aneksue Luginën e Jordanit, dhe e gjithë kjo në emën të sigurisë kombëtare…”.

Çfarë ofron ‘plani Trump’ për të dyja palët në konflikt?

Tue pasë pranë vetes Kryeministrin e Izraelit, B.Netanyahu, Z. Trump shpalosi disa hollësi të nji plani prej 181 faqesh që u duertrokit nga pjesëmarrësit. “Sot,-tha ai,- Izraeli ban nji hap të madh përpara drejt paqes. Unë nuk jam zgjedh me krye shërbime të vogla, ose mos me trajtue probleme të mëdha”.

E përditshmja britanike “The Guardian”, 31 janar 2020, tregon disa hollësi:

1) Vendosja e Jerusalemit si kryeqytet “i pandarë”, me mundësisht nji kryqytet palestinez në Lindje dhe Veri të Jerusalemit.

2) Me njohë shumicën e madhe të “settlements” (vendbanimeve) në Bregun Perëndimor palestinez si tokë të pandame të Izraelit. Palestinezët do të shpërblehen me disa zona shkretinore afër Rripit Gaza, të shkëputuna, por të lidhuna me hekurudhë…..

3) Me njohë Luginën e Jordanit si territor izraelit.

4) Nji shtet palestinez pa ushtri, me kontroll policor izraelit në disa pjesë, tue përfshi edhe Bregdetin Palestinez, por vetëm mbasi që palestinezët të plotësojnë disa kondita që kërkohen nga Izraeli.

5) Besohet se nji fond prej 50 miliardë dollarësh do të mblidhet, nga kontributorë arabë, për zhvillimin ekonomik të Palestinës…..

Menjiherë mbas shpalljes, KM izraelit deklaroi se bahet fjalë për “nji sovranitet të kufizuem dhe me disa kushte…”.

Shefi i opozitës izraelite, Gjenerali Gantz, tha se plani “….ashtë nji fazë themelore me randësi historike dhe e randësishme dhe se ai do të përpiqej me e zbatue nëse fiton në votimet e ardhme” (mars 2020).

Ambasadori i Izraelit në Uashington, njeni nga autorët e Planit, deklaroi se “plani Trump” ashtë “…nji përparim i madh në procesin e zgjidhjes paqësore”. Por ish nënsekretari i Shtetit, Nicholas Burns, përbuzi planin: “Plani eliminon edhe formën ma të dobët të së drejtës dhe detyron palestinezët me jetue si popull pa shtetësi, në tokën që ata banojnë….Plani do të thellojë ma shumë se do të ndihmojë zgjidhjen e këtij konflikti 70-vjeçar”.

Nga bota e jashtme, Ministria e Jashtme franceze tha se “Franca e mirëpret përpjekjen e fundit të Presidentit Trump, dhe se Parisi do të shqyrtojë me kujdes propozimet e planit”.

Ambasadori Martin Indyk shkruen në revistën prestigjioze “Foreign Affairs” të datës 4 shkurt 2020, se “Plani jo i drejtë për Lindjen e Mesme nuk len asgja për negociata. Zgjidhja e problemit jo reale dhe e imponueme nuk do të qëndrojë…. Ndërmjetësit në të kaluemen u përpoqën me vendosë nji bazë për marrëveshje tue ndertue ura për pozitat e deshprueme në të dyja anët”.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch, New York, deklaroi se “Plani i Paqes”, tashma gjysmë i vdekur, ashtë ba nji “gjeth fiku” për sundimin diskriminues të Izraelit mbi palestinezët.

Kryeministri palestinez, Muhamed Shtayyeh, deklaroi se “‘plani Trump’ ka të bajë me përpjekjet e Trumpit dhe Netanyahut, të dy të akuzuem, dhe jo me paqen, por me i mbrojtë ata nga burgosja e mundshme. Nuk ashtë nji plan paqeje për Lindjen e Mesme….Plani nuk ka asnji vlerë dhe se Palestinezët e ndienë veten të abandonuem…”

Ish-KM britanik, Tony Blair, u bani thirrje palestinezëve me u angazhue në bisedime sepse Plani ashtë shpresa e tyne e fundit… palestinezët nuk detyrohen me deklarue se pranojnë Planin, por të angazhohen me qeverinë amerikane me kerkue përmirësime të Planit, që ata e shohin të nevojshme.

Edhe gazeta “The New York Times”, e datës 29 janar 2020, shkruen: “Oferta (Plani) favorizon Izraelin dhe i mohon (Presidentit) Abbas të gjitha të arriturat, për të cilat ai ka luftue. Mundësia e nji zgjidhje për nji shtet të aftë me mbijetue krah për krah me Izraelin, po zhduket përfundimisht”. Shtetet e Bashkueme hoqën dorë nga çdo pretendim me qenë nji ndërmjetës neutral. Në edicionin e saj të 31 janarit 2020, kjo gazetë shkruente: “Nga të gjithë propozimet për paqe në mes të Izraelit dhe palestinezëve të paraqitun dekada me radhë, rrethanat konfirmojnë se plani i Presidentit Trump që u ba publik të martën e kalueme ashtë ma i vështiri të merret seriozisht”.

Analisti Thomas L. Friedman shtron pyetjen: “Ashtë ky nji plan që ka të bajë me dy shtete për dy popuj, apo ashtë nji manovër me largue vëmendjen e publikut nga dy udhëheqës të baltosun? …Tashti unë duhet të di, palestinezët duhet të dinë, dhe bota mbarë duhet të dijë, nëse ky Plan ashtë pika fillestare!”.

Presidenti i “Coalition for Israel”, Howard B. Weber, N.Y. shkruen: “Ky nuk ashtë nji plan serioz. Ky ashtë nji ‘blank cheque’ (dorë e lirë) nga nji president që përballet me ‘impeachment’ (akuzime) e gjykim dhe i dorëzuem nji KM izraelit, i dënuem me akuza për korrupsion”.

Në këtë situatë mjerane dhe padrejtësie të imponueme me forcë, hyn në skenë Presidenti i Kosovës së çlirueme vetëm pak vite ma parë, Hashim Thaçi, me përkrahje të hapët për agresorin dhe dënimin e viktimës me vdekje të paevitueshme. Asgja nuk justifikon këtë qëndrim servil; as deklaratat absurde të përfaqësuesve palestinezë në Beograd të bame kundër pavarësisë së Kosovës, as qëndrimi burracak i vendeve myslimane të Lindjes së Mesme me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Dy të këqija nuk përbajnë nji të mirë!

* * *

Kosova ashtë atdheu i im, Shqipëria e ime, ushtarakisht e aneksueme nga imperatoria otomane ne vitin 1479, padrejtësisht e ndame dhe e okupueme që nga viti 1877 dhe deri në vitin 1944-‘45 nga Serbia dhe ish-Jugosllavia,. Ajo u coptue në mes të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.

Sot, Kosova ashtë e lirë!

Kosova më ka frymëzue që në ditët e shkollës fillore, kur fëmijë e të rritun këndojshim: “Edhe flamuri kuq-e-zi/ Do të valojë përsëri/ Në Kosovë e Çamëri/ Plot me gaz, me gaz dhe në liri!”. Shkëputja e Kosovës – hapësina ku banojnë qytetarët shqiptarë në ish-Jugosllavi- ka qenë nji plagë e randë, e hapun, dhe e dhimbshme për çdo shqiptar që në shekullin 19-të me invazionin sllav të regjimeve që synojshin riformimin e perandorisë serbe të Car Stefan Dushanit, pa marrë parasysh kombësinë e popullsisë që e banonte. Nga ku rrjedh tragjedia e Kosovës së martirizueme…,që nga Garashanin deri te Millosheviqi…!

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë! “Mospërfillja e nji fatkeqësie” të këtillë për cilindo popull të shtypun, si janë sot palestinezët dhe kurdët, nga udhëheqja politike e Republikës së lirë të Kosovës, asht moralisht e neveritshme dhe politikisht e papranueshme. Nji qendrim i këtillë ofendon viktimën e djeshme, dënon viktimën e sotme dhe shuen shpresat e viktimës së ardhme.

Nji oportunizëm politik i këtillë nuk duhet lejue! Servilizmi nuk duhet të bahet “kultura politike e shqiptarëve” në anët e kufinit arbitrar!

Ashtë mungesë e plotë dinjiteti njerëzor e kombëtar!

Na, të gjithë na, duhet ta demaskojmë dhe ta luftojmë!

* Autori 95-vjeçar ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura