Politika në arsim: çështje filozofie, jo çështje llogarie

Nov 20, 2017 | 12:44
SHPËRNDAJE

Shezai Rrokaj

Prof. Dr. SHEZAI RROKAJ

Ta themi qysh në krye, se shoqëritë e zhvilluara njohin sot se investimi në arsim konsiderohet si mjeti  më dobiprurës për rritjen ekonomike dhe sociale të tyre. Gjithashtu, sondazhet e bëra në shumë vende europiane tregojnë se ndër produktet e konsumit ku shqiptarët shpenzojnë më shumë, është arsimi. Është i njohur fakti se familjet shqiptare sakrifikojnë edhe përtej mundësive ekonomike për shkollimin e fëmijëve sepse në mendësinë tonë, përtej rolit edukues, emancipues, njohës etj., arsimimi shihet si mënyrë pragmatiste për të rritur cilësinë e jetës.

Po si shfaqet politika qeverisëse shqiptare për të investuar, pikërisht aty ku shqiptarët dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara kanë pritshmëritë më të mëdha, për të cilat pranojnë të sakrifikojnë nga buxhetet e tyre familjare? Në vijim të këtij shtjellimi, më duhet të vë në dukje dy fakte të njohura, gjithashtu. Fakti i parë ka të bëjë me strategji në fusha të caktuara, të cilat si rregull përfshijnë disa mandate qeverisëse.

Fakti i dytë na sjell në vëmendje një rregull të njohur në fushën e buxhetit (por jo vetëm) se, si dhe për sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe për arsimin kjo maxhorancë në mandatin e dytë, krahasimet duhet t’i bëjë duke iu referuar vetvetes në dokumente politike të qeverisjes së saj pararendëse, krahasimisht me treguesit e vendeve ku Shqipëria kërkon të integrohet. Edhe këtë vit, subvencionimi i arsimit nuk ka pësuar rritjen e nevojshme, por është ngujuar në 38 miliardë e 374 milionë lekë ose 300 milionë euro: rreth 3% i PBB-së, i ndarë respektivisht 2,11 % për sistemin e detyrueshëm dhe për shkollën e mesme të lartë, 0, 49 % sistemi universitar dhe mbi 0,02% kërkimi (gati 1% e buxhetit të arsimit).

Sporti dhe Rinia, 0, 04% (4 milionë euro). Për ta ballafaquar qeverinë me vetveten dhe me treguesit e vendeve ku ne kërkojmë të integrohemi: po i referohemi Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar (SAPU) për vitet 2014-2020, e cila është pjesë përbërëse e Planit Strategjik të Arsimit 2014-2020. Në këtë Strategji synohen tri objektiva: të përmirësojë cilësinë e arsimit për të gjithë; të identifikojë veprimtaritë kryesore dhe të planifikojë buxhetet e nevojshme; të ndihmojë bashkëpunimin mes agjencive qeveritare, partnerëve dhe grupeve të tjera me interes ndaj arsimit, në drejtim të shtrirjes së veprimtarive dhe të investimeve në arsim etj.

Për këtë qëllim, në sistemin e APU-së parashikohen katër politika zhvillimore si: Përsosja e qeverisjes, udhëheqjes dhe menaxhimit të kapaciteteve dhe të burimeve Nxënia gjithëpërfshirëse dhe cilësore Sigurimi i cilësisë së arritjeve bazuar në standarde Përgatitja dhe zhvillimin profesional Disa nga rezultatet kryesore që priten të përmbushen gjatë vitit 2017 dhe ato që duhet të realizohen me buxhetin vjetor të shtetit të parashikuar në vitin 2018, janë të paraqitura më poshtë:

1. përqindja e PPB për SAPU-në të jetë masën 3%, ndërsa për sistemin në tërësi 5%

2. të zbatohen mekanizmat për mbulimin e kostos për tekstet.

3. të sigurohet prania e mësuesve ndihmës për fëmijët me AK, gjatë orëve të mësimit

4. 95% e fëmijëve të grupmoshës 5-6 vjeç (përfshirë dhe ata me AK) përfshihen në klasat përgatitore 5. 90% e fëmijëve të grupmoshës 3-5 vjeç të përfshihen në forma të ndryshme të edukimit parashkollor që funksionojnë bazuar në kurrikulat përkatëse. 6. shkollat e mesme të jenë të pajisura me infrastrukturën e sigurt dhe funksionale, që ofron mundësi për përdorimin e përmbajtjeve dixhitale në procesin mësimor. Le t’i marrim me radhë argumentet, duke i krahasuar me buxhetin aktual.

Së pari, sipas kësaj strategjie të po kësaj qeverie, një nga rezultatet kryesore që duhet të arrihet gjatë vitit 2018 është që: “Shpenzimet për arsimin parauniversitar duhet të arrijnë në nivelin e 3% të PBB, ndërsa për sistemin në tërësi përfshirë dhe Arsimin Universitar, duhet të arrijnë në vlerën 5% të PBB”. Në SAPU, buxheti për vitin 2018 është parashikuar rreth 37 miliardë lekë. Vendet e BE shpenzojnë mesatarisht 4.9 % të PBB për arsimin nga fondet publike. Në fakt, në Shqipëri, për vitin 2018 shpenzimet e buxhetit për gjithë arsimin, në % të PBB, janë planifikuar në nivelin rreth 3 % të PBB.

Pra, këto shifra janë larg objektivit të vendosur nga vetë qeveria, e cila ka planifikuar në strategjinë e arsimit se shpenzimet për arsimin duhet të arrijnë në nivelin e 5% të PBB. Nga analiza e të dhënave buxhetore të qeverisë, del se shpenzimet e buxhetit për arsimin në % të PBB rriten me 0.9% në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017 (është bërë traditë që merret faktiku për reference dhe jo planifikimi fillestar që është më i madh), por po të shikosh më me kujdes trendin, del se ato janë 0.7% më të ulëta se në vitin 2016. Për vitin 2018, fondet e MARS-së për Arsimin Parauniversitar (APU) janë 2.11% e PBB dhe 7.02% e shpenzimeve totale të konsoliduara. Por referuar me SAPU, ato duhet të arrinin në vlerën 2.73% e PBB, ose e thënë ndryshe, në vlerën 9.43% e shpenzimeve të konsoliduara të buxhetit.

Së dyti, në shpenzimet për nxënës për APU, sipas buxhetit aktual, për Arsimin Bazë në vitin 2018 do të shpenzohen 68.5 mijë lekë, kurse për Arsimin e Mesëm, 74.2 mijë lekë. Në fakt, sipas strategjisë të po kësaj qeverie, shpenzimet për nxënës duhet të jenë në nivelin e 92 mijë lekë.

Së treti, shpenzimet për sigurimin e një arsimi cilësor për fëmijët në nevojë janë planifikuar më të ulëta se shpenzimet faktike të vitit 2015 për të gjithë periudhën 2018-2020. Sot ka rreth 300 mësues ndihmës, por është e rëndësishme të theksohet se këta mësues ndihmës nuk kanë formimin e duhur për rolin që ushtrojnë.

Në Shqipëri ende nuk ekziston një kurrikulë e përshtatshme universitare për përgatitjen e mësuesve ndihmës me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat profesionale që të mundësojë integrimin e fëmijëve me aftësi ndryshe në komunitetin e një klase të zakonshme. Për vitin shkollor 2016-2017, raporti i mësuesve ndihmës për fëmijë me aftësi të kufizuara, frekuentues të arsimit të detyrueshëm, është 1 mësues për 11 fëmijë, shumë larg një standardi të pranueshëm. Pesha e shpenzimeve në buxhet në shërbim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, trajnimin e mësuesve, pajisjen e shkollave me laboratorë shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale etj., është shumë të vogël.

Konkretisht: pesha e shpenzimeve për trajnimin e mësuesve mbetet e njëjtë për periudhën 2017-2020. MASR do të shpenzojë 0.17% të buxhetit të APU për trajnimin e mësuesve në vitin 2018 (50 milion lekë ose 375,940 Euro). Në fakt, investimi për trajnim duhet të jetë më i madh, pasi në vitin shkollor 2018-2019, fillon për herë të parë zbatimi i kurrikulës së re edhe për klasën e 12-të.

Së katërti, shpenzimet për laboratorë fizike, kimie/instalimi i platforme e-learning dhe pajisje me tableta dhe për kabinetet e informatikës zënë 110 milionë lekë ose 827,068 euro, që janë 0.38% e buxhetit të APU. Buxheti për laboratorë duhet të parashikojë jo vetëm blerjen e pajisjeve, por dhe fondet për vënien në funksionim sepse janë kthyer në lodra, pasi mungon dixhitalizimi i programeve si dhe mirëmbajtja e tyre.

Së pesti, shpenzimet për biblioteka janë 20 milionë lekë, rreth 150,376 euro ose 0.07% e buxhetit të APU. Nisur nga përvoja e tri viteve të fundit, duhet që buxheti për bibliotekat jo vetëm të miratohet, por dhe të zbatohet sipas planifikimit dhe financimi për këtë zë duhet të rritet. Por çfarë na tregojnë në thelb këto fakte?

Disa pasoja si: Këtë vit akademik u regjistruan 22 mijë nxënës më pak në sistemin parauniversitar (536 mijë-514 mijë nxënës) dhe këtu nuk është shkak kryesor rënia e lindjeve, por braktisja e vendit prej popullsisë së re. Të dhënat e Pisa-s e TIMS dhe UNICEF-it për nivelin e nxënësve, që siç pohon edhe revista “Monitor” (2 tetor 2017), thonë se nxënësit tanë janë të fundit në Europë në lexim dhe matematikë. Sipas UNICEF-it, mbi 15 mijë fëmijë e kanë braktisur shkollën. Në mënyrë të veçantë, analfabetizmi funksional, i cili kap shifrën e 65 mijë nxënësve.

Do të jemi përsëri i vetmi vend në Europë ku, përveç shtresave vulnerabile, familjet shqiptare i blejnë tekstet për arsimin e detyrueshëm, gjë që shpreh qartë se prej disa vitesh ky lloj shteti nuk kupton se arsim i detyrueshëm nuk është vetëm detyrim i individit për shkollim, por në radhë të parë detyrim i shtetit për ta shkolluar. Vetë ambasadori Lu e tha në Rrëshen se, vetëm makinat luksoze dhe dietat qeveritare mjaftojnë për tekstet (7ml euro, gjë që nuk përbën një kosto domethënëse për shtetin). Për sa i përket arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, mund të themi pa drojë se po zhvillohen në tym.

Nuk ka strategji të arsimit të lartë. Duhej strategjia më parë. Më pas duhet të bëhej reforma institucionale dhe ligji i IAL-ve. E ashtuquajtura Reformë e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, prej së cilës u prodhua në vitin 2015 një ligj, ka mbetur në vend numëro. Prej dy vitesh nuk kanë dalë aktet nënligjore dhe IAL-të janë në kaos funksional. Ligji i Arsimit të Lartë nuk ka sjellë asnjë gjë të re, përkundrazi, disa nene kanë krijuar dualizma në universitet si: marrëdhëniet rektor/administrator, senat/bord administrimi. Shumë të tjerë kërkojnë prej vitesh tanimë nxjerrjen e VKM-ve, duke e paralizuar jetën akademike dhe duke i futur universitetet në rrugën e një kolapsi institucional. Kjo ka ardhur si rezultat i:

a) mungesës së një strategjie të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, e koordinuar me një strategji të zhvillimit afatmesëm të vendit;

b) mungesës së një dokumenti për reformën institucionale të kërkimit shkencor;

c) mungesës së një ligji të ri për shkencën që prej vitit 1994. Prej katër vitesh është premtuar lidhja e sistemit universitar me bibliotekat online të kërkimit shkencor, të tipit j-store dhe të detektimit të plagjiaturës, por deri sot pa kurrfarë rezultati. U premtuan kampuse universitare, përsëri asgjë. Studentët shqiptarë të masterit do të vazhdojnë ta paguajnë të plotë tarifën e shkollimit, e cila është në shifra mbi 60 mijë lekë të reja dhe që është një kosto e papërballueshme për familjet shqiptare.

Në kundërshtim me Ligjin 9655 për Akademinë e Shkencave të vitit 2006, qeveria tentoi të bllokonte buxhetimin e saj, për pasojë edhe mbylljen e saj, duke i ikur përgjegjësisë, ku për 4 vite, njëherë me VKM në 2014, u ngrit një grup pune dhe që depozitoi një raport me propozime për reformën e kërkimit shkencor dhe njëherë tjetër, në qershor të 2016, ku më tri urdhra, u ngritën tri grupe pune për reformimin e kërkimit shkencor (strategjinë, reformën institucionale dhe ligjin për shkencën). Kjo tregon se deri sot ka pasur politikë qeverisjeje kuturu, pa vizion në këtë drejtim. Kjo gjë u vu re edhe me mbylljen e Ministrisë së Inovacionit. Vazhdon kaosi me kërkimin shkencor: pa strategji, pa reformë institucionale dhe pa ligj për shkencën.

Si më parë, edhe kësaj qeverie i mungon vizioni, i konsideron akademikët të dalë kohe, si tejqitje dhe jo si partnerë. Mungon partneriteti me akademikët për problematikat reale të vendit, për ekspertizë të certifikuar. Këto 27 vite, qeverisjet dhe bota akademike kanë qenë dy botë, ku secila ka ndenjur në llogoren e vet duke u shigjetuar dhe ku mungon partneriteti dhe sinergjia e politikës së zhvillimit me politikën e kërkimit. Prandaj, ne vazhdojmë të kemi qeverisje eksperimentale, rastësore, pragmatiste, sot për sot, ku vijnë kryeministra dhe ministra dhe një ditë të bukur mendojnë se pushteti i karriges është në një nivel me atë të mendjes, madje mendja e tyre e kapërcen dhe vetë karrigen si prestigj shtetëror.

Ky buxhet e ka hequr nga defteri sistemin doktoral, nuk ka kërkim shkencor dhe me siguri do të dëgjojmë të njëjtën muzikë për biblioteka online si katër vite më parë. Universitetet publike do të mbeten përsëri vetëm pagë nga 10 muaj të parashikuar në buxhet dhe thuajse aspak për shpenzime operative dhe investime. Kurse fondet për kërkim fondamental në universitet, prej vitesh, kanë ikur në drejtim të paditur. Prandaj, është i nevojshëm jo vetëm respektimi i strategjisë, por edhe orientimi i shpërndarjes së PBB-së, ku 3% të shkojnë për arsimin parauniversitar, 2% për arsimin e lartë, ku kërkimi të shkojë të paktën në 05% e PBB-së, nga 1-3% që e kanë vendet e OECD-së.

Gjithashtu, në fondin e ekselencës, i parashikuar në 132 milionë, është futur tinëzash edhe kualifikimi i administratës publike, për të cilët është vendosur nga KM se e përfitojnë për 300 universitet më të mira, kurse për studentët është ngushtuar jashtëzakonisht mundësia e përfitimit, duke e reduktuar vetëm në 15 universitetet më të mira të botës. E thamë qysh në krye se shqiptarët janë ndër popujt që shpenzojnë për arsimin më shumë se për çdo produkt tjetër jetik. Si shumë vende, ata e kuptojnë se investimi për arsimin është sektori që sjell më shpejt zhvillim se çdo sektor tjetër.

Prej 20 vitesh, Europa po shpenzon gati 5% të PBB-së për arsimin. Edhe strategjia e qeverisë kështu thotë, vetëm se në dallim nga Europa, ajo bën demagogji me qytetarët sepse, ashtu si më parë qeveritë e tjera, buxheti për gjithë arsimin nuk i kapërcen as këtë vit e as vitet në vijim 3% të PBB-së. Investimi për dijen është një faktor ekonomik shumë i rëndësishëm zhvillimi në shoqëritë e sotme, sepse rrit cilësinë e produktit dhe ul kostot apo shpenzimet në drejtime të paduhura.

Dija të bën të pavarur për politika të drejta dhe shqiptarët kanë grumbulluar këtej e në diasporë aq dije sa për të mos mbetur lolo, duke i mbajtur sytë nga Europa dhe Amerika. Por kjo lloj politike, që është gatuar këto 27 vite, herë me ndihmën e vetë qytetarëve, e herë duke i blerë a vjedhur votat, ka sjellë qeverisjet e radhës duke shpenzuar energji pa fund për sherr, fyerje dhe linçime personale, duke prodhuar stres dhe ankth në shtëpitë e tyre. Sondazhi BERZH-it shprehet se 73% e shqiptarëve pohojnë se jetojnë më keq, 53% të pakënaqur nga shërbimi shëndetësor, se 56% e shqiptarëve duan të braktisin vendin e tyre, ku 70% e tyre janë të rinj; 30% e moshës së re për punë është e papunë.

Kjo lloj politike e ka parë pushtetin jo për të bërë shtet, por se si të pasurohet prej tij, jo të bëhet më e mençur për t’i bërë gjërat me rregull e dituri duke bashkëpunuar me njerëzit e ditur. Kësaj politike i ka zbritur truri te muskujt, prandaj ajo ka gjetur për partnerë njerëzit e fortë, oligarkët, kanabistët, hajdutët, media vrasëse, intrigantë e sojsëzë të çdo ngjyre.

Ky buxhet është vlerësuar si buxheti më i varfër me taksa më të larta. Po përse këto taksa të paktën nuk shkojnë aty ku qytetarët janë të gatshëm të shpenzojnë? A është çështje filozofie apo thjesht llogarie? Më në fund, po e jap një përgjigje: për shqiptarët dhe qeveritë europiane investimi për arsimin është çështje filozofie e jetës, kurse për qeveritë shqiptare, përfshi edhe këtë të radhës, është çështje llogarie, sepse pushteti është konsideruar si sektori që sjell përfitime më të shpejta se çdo sektor tjetër, por veç e vetëm për pushtetarët dhe sejmenët e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura