Politika, mbretëria private e meshkujve

Apr 1, 2015 | 14:15
SHPËRNDAJE

JONIDA DROGU

   Marr shkas për të shkruar këta rreshta nga një emision televiziv i disa ditëve më parë, ku u ndje hapur një lloj shfrenetizmi lakoniko-histerik i disa politikanëve, të cilët me sa duket vazhdojnë të mendojnë se politika është një habitat i tyre dhe
vetëm i tyre. Komoditeti i tolerancës gjinore për ta është fare i largët e, me sa u duk qartë në “Opinionin” e së enjtes, kontestimi për të lejuar shprehjen e ideve të bashkëpanelisteve femra u ndëshkua me denigrim, përbuzje e ndoshta sajesa për jetë private, të cilat nuk përbenin interes kryesor për dëgjuesin. Edhe sot gratë vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta në rritjen e përfaqësimit të tyre në debate mediatike apo procese vendimmarrëse. Pjesëmarrja e tyre ka qenë e kufizuar, me supozimin se sfera e duhur e grave është sfera “private”, ndërsa domaini “publik” është një nga autoritetet politike që duhet t’u përkasë vetëm meshkujve.
Kontestimi mbi prezencën e grave në këtë mbretëri “private” është i ashpër e shpeshherë tronditës. Duke qenë se habitati i grave supozohet të jetë ende sfera private, shtëpia, familja: aftësia e tyre për të hyrë në arenën politike vazhdon të jetë tepër e cunguar e vrazhdë e pak depërtuese. Përveç kësaj, femrat nevojitet të përballen gjithashtu me sfidat se jeta e tyre private duhet të jetë në fokus më shumë se karriera e tyre politike. Për shembull, ka gjithmonë kontestime në lidhje me zgjedhjet e tyre në një gare të cilën, ato, gjithnjë e më rrallë kanë fituar. Shpesh, përballemi me opinione se ato tregojnë më shumë ose më pak se ç’duhet lëkurën apo, nëse duken shumë femërore… pak femërore, shumë mashkullore apo pak mashkullore. Në të gjitha rastet ato mbartin me vete një lloj fetishizimi, gjeneza e së cilës fillon nga homologet e tyre ne postet politike dhe jo vetëm.
Autorë të ndryshëm kanë vërejtur në studime të shumta se jeta romantike-private e kësaj gjinie ka qenë gjithnjë subjekt interesi për popullatën e përgjithshme, por jo më shumë sesa qëndrimet e tyre për çështje të rëndësishme të publikes. Në vende të ndryshme ka dëshmi se politikanet femra përballen me një stigmë gjinore nga anëtarët meshkuj të partive politike, të cilët mund të arrijnë në dëmtimin e aftësive të grave për të arritur apo mbajtur role drejtuese. Ajo që vërejmë është se gratë, në pozita autoriteti, kanë probleme për sa i përket mënyrës që atyre i duhet të menaxhojnë këtë autoritet.
Problemi nuk është tek ato, por te burrat nën to, të cilët nuk durojnë dot të merret drejtimi nga gratë e forta, dhe dialogu pason në pista që mund të vijë në sytë e publikut si ajo e “Opinionit” të 25 marsit, të disa ditëve më parë. Po të hedhim një vështrim mbi statistikat, ato tregojnë që ende vazhdon të jetë në minorancë përfaqësimi politik që zënë gratë edhe në botë. Por nuk duhet harruar se pjesëmarrja e grave në fushën e politikës është thelbësore, në qoftë se qëllimi është që të ndikojnë në cilësinë e politikave publike. Si i tillë, koncepti i përfaqësimit pasqyrë, promovuar nga disa studiues, synon të ndryshojë dhe arrijë barazinë gjinore në postet publike. Përfaqësimi pasqyrë bazohet në supozimin se, po të zgjedhësh zyrtarët e një gjinie të caktuar, ka më shumë të ngjarë që do të mbështeten politikat, që kërkojnë të përfitojnë zgjedhësit e së njëjtës gjini. Me fjalë të tjera, përfaqësimi i grave është i lidhur me përqindjen që ato zënë në popullsi. Ndërkohë, në panelin e së enjtes ishin pjesëmarrës vetëm dy zonja me katër zotërinj, dy prej të cilëve jo vetëm që nuk patën as etikën, as taktin të kujdesen duke lejuar zonjat të shprehen në lidhje me temën, por për më tepër iu vërsulën në një mënyrë pak të hijshme, thua se mund të zgjohej ndonjë interes mbi vargjet romantiko- erotike që dinte njëri apo tjetri.
Në të njëjtën kohë, sa qesharakë duken po këta politikëbërës në respektin që tregojnë kur gra të fuqishme si Hillary Clinton, Condoleezza Rice, Angela Merkel janë pranë tyre! S’janë po këta meshkuj që vihen në rresht dhe japin gjithë vëmendjen e tyre e që për vite e vite përulen përpara tyre, ashtu si luftëtarët epikë përpara amazonave. Ç’të jetë vallë kjo bllokadë e njëkohësisht kjo shfaqje teatrale ku po këta “burra shteti” bëjnë deklarata të forta për pjesëmarrje të grave në politikë, e më pas për t’i përballur me një trysni pothuajse tjetërsim të komunikimit të deridjeshëm, një farse e vërtetë.
Korrektësia politike është një qëndrim ose shprehje që përdoret për të qenë të kujdesshëm për të mos fyer apo mërzitur njerëz apo grupe njerëzish në shoqëri, të cilët besohet të kenë një disavantazh. Në rastin e përmendur më sipër, disavantazhi është thjesht gjinor, e ky i përdorur për të tkurrur kundërshtarët, pasi vlerësimi i fshehur mbi artikulimin e tyre mund të paraqesë një parehati të caktuar. A nuk do të ishte më e udhës të krijonim një normë, e cila do të jetë një përgjigje për rritjen e identitetit të debatit politik, e cila do të largonte automatikisht informacionet shterpë, të cilat nuk ndihmojnë e as rrisin dijen politike të audiencës?
Konsideratat operative të politikanëve që përcjellin fraza pezhorative mbi të ashtuquajturit armiqtë e tyre ideologjikë, janë thjesht kopje e shëmtuar e politikes së përsëritur më parë, stërhollim i arsyeve jo të vërteta mbi parimet për të cilat ne duhet të veprojmë e të zgjedhim për të dëgjuar…
Dhe, së fundmi, kjo për të ngritur guximin e çdo gruaje influencuese e mund të ndikojë në ndryshim të diskurseve me vlerë politike e jo vetëm: një grua e suksesshme është ajo që mund të ndërtojë një themel të fortë me “tullat” që e qëllojnë luftarakisht rivalët e saj gjinorë.
*Pedagoge e Shkencave Politike, UT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura