Politika e jashtme nuk është “improvizim”!

Sep 16, 2017 | 9:41
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

Tritan Shehu
Tritan Shehu

Që prej ardhjes së Rilindjes si maxhorancë, pra që nga 2013-ta, nuk kanë shteruar improvizimet, emërtimet nga më të çuditshmet, oshilacionet, të cilat në këto vite kanë bërë të humbë jo rrallë edhe boshti i politikës sonë të jashtme, influenca e roli i ynë në rajon, qëndrueshmëria për të cilën ishim dalluar përballë miqve e partnerëve tanë.

Gjatë gjithë kësaj kohe është luajtur me politikën e jashtme shpesh si me një send personal, ku mund të bësh çfarëdo, mjaft që të kesh numrat për të qeverisur, duke harruar se marrëdhëniet ndërkombëtare janë krejt e kundërta. Ato nuk janë individuale, as partiake e as shfaqje ku kujton se mund të “fitosh” si “kalorës i vetmuar”. Fatkeqësisht, kjo psikologji është transmetuar edhe nga ata që përgatitën e paraqitën Programin e fundit qeveritar për politikën e jashtme.

Dhe nga ai program e mora shtysën për këtë shkrim, pikërisht se dhe ai paraqet po këto simptoma, të cilat falsin për një sëmundje, që gradualisht po dëmton rëndë vendin tonë, lidhjet e tij, prioritetet historike, linjat tradicionale të politikës sonë të jashtme, dhe pa dyshim mund të handikapojnë realizimin e aspiratave tona të mëdha. Kjo bëhet veçanërisht e rrezikshme në këto periudha të turbullta ndërkombëtare, të lëkundjeve e paqartësive dhe brenda BE-së, të disa interferencave që po përpiqen të ndërhyjnë e shtrihen edhe “agresivisht” në Ballkanin Perëndimor. Në shumicë këto të fundit janë të lidhura me reminishenca të së kaluarës mbi ne, disa nga këto të vjetra, që vijnë nga pushtimet mesjetare, të paraqitura sot deri në formën e “islamit politik”, apo me origjina më të reja si reflektime të ish-kampit socialist me qendër Mosk- ën. Këto interferenca në tërësi bien ndesh me aspiratat tona europiane e perëndimore dhe realisht kërkojnë të na largojnë nga ato, kjo pikërisht për interesat të tyre, që nuk përputhen me tonat. Me këtë nuk dua të them që ne duhet të dobësojmë marrëdhëniet me vende të ndryshme, përkundrazi, ne duhet të bashkëpunojmë për atë që na intereson. Por dua vetëm të nënvizoj se jo gjithmonë interesat tona përputhen tërësisht me këdo që bashkëjetojmë, madje edhe që kemi lidhje të afërta në shumë sektorë e drejtime. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet tona, deklarimet që bëjmë, “kthesat” që marrim, duke ditur të dallojmë deri ku interesat përputhen e ku fillojnë dallimet e ndryshimet. Detyrimisht këto nuk mund të bëhen vetëm nga ata që kanë numrat e maxhorancës, por kërkojnë një bashkërendim me opozitën, ndryshe kalohet në gabime, bëhesh i pabesueshëm dhe ekspozon vendin përpara problemeve reale dhe historike.

Fatkeqësisht, Programi i ri i qeverisë i paraqitur i përmban të gjitha këto mungesa, gabime, paqartësi e konfuzione, duke qenë në vazhdimësi të një politike të jashtme larg të qenët e suksesshme në katërvjeçarin që kaloi. Në atë program dhe idetë e marrëdhënieve me edhe midis shqiptarëve në rajon kanë mbetur disa vite mbrapa, statike. Kjo duket dhe në dëshirën iluzive të “liderëve” tanë të majtë për të pasur role e pozicione paternaliste, gjë që tashmë nuk përputhet aspak me realitetet e reja të krijuara. Sot shqiptarët, falë kryesisht mbështetjes ndërkombëtare, në radhë të parë të aleatit tonë kryesor gjeostrategjik, SHBA-ve, jo vetëm po jetojnë, por dhe po qeverisin në shtete sovrane e demokratike. Për këto zhvillime historike për ne, kanë qenë determinuese edhe për vetë shqiptarët kudo ku jetojnë, ka qenë determinuese edhe Shqipëria me politikën e saj të jashtme produktive, me rolin stabilizues në rajon, me marrëdhëniet bilaterale thellësisht produktive të krijuara që prej vitit 1992, duke respektuar në këto dekada traditën e krijuar për të bashkëpunuar midis nesh. Fatkeqësisht, këto elemente stabiliteti në këtë sektor shumë delikat politik, katër vitet e fundit janë tronditur, duke dëmtuar kështu interesat tona aktuale edhe ato të perspektivës. Këtu ka influencuar negativisht dhe dëshira e një “protagonizmi” të tejskajshëm të maxhorancës, që ka çuar edhe në mungesën e kolegjialitetit të domosdoshëm më opozitën. I njëjti konkluzion dedukton edhe nga një tablo e marrëdhënieve të tjera rajonale me fqinjët tanë inkluzivë, me Greqinë, partner strategjik ky, që është anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Asnjë shpjegim nuk jepet në material për një gjendje diametralisht të kundërt të krijuar nga objektivi, në realitet iluziv ai, i PS-së në 2013-n, “zero probleme me fqinjët”. Sot dominon shkatërrimi i marrëdhënieve me Greqinë (ato deri në 2013-n ishin shumë të mira), gjë për të cilën nuk paraqitet rrugëdalje përmirësimi. Krahas kësaj kemi një vështirësim të lidhjeve me Maqedoninë, si dhe një moskonkretizim si e sa duhet të marrëdhënieve shumë të mira me Italinë, pra mosshfrytëzim më eficiencë të plotë i mundësive të atij vendi të fuqishëm e strategjik për ne, në dobi tonë dhe të rajonit, etj. Po kështu nuk bëhet asnjë transparencë për “muajin e mjaltit” me Serbinë e Vuçiçin. Absolutisht, ne kemi pasur e duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë, por për momentin këto duhet të jenë të shtyra deri në një cak e të kushtëzuara. Po t’u shtohen këtyre edhe disa projekte jotransparente të krijimit të një lloji bashkësie ballkanike, që askush nuk e di se çfarë përmban e si do të aplikohet, të krijohen dyshime, të lidhura këto edhe me një tendencë zhvendosjeje të “Boshtit” tonë kryesor drejt Beogradit a për diku në Lindje.

Nga ana tjetër, në këtë dokument programatik Kina, me të cilën ne kemi marrëdhënie shtetërore normale e ekonomike në rritje, përcaktohet prioritare në Azi e Paqësor, duke e cilësuar si një partner me të cilën kemi “marrëdhënie ekonomike e politike të shkëlqyera”! Unë nuk e kuptoj këtë përcaktim ekzaltues, kur me Kinën ne kemi sisteme politike të ndryshme dhe interesat e NATO-s e aleatëve të saj nuk janë kaq shumë të përputhshme me atë. Sidoqoftë, unë nuk besoj që përpara se të realizohej një përcaktim i tillë, është marrë dhe pëlqimi i SHBA-ve, e domosdoshme kjo, jo vetëm për faktin se në jemi anëtarë të NATO-s.Pra, të tilla përcaktime nuk mund e nuk duhet të jenë epitete të vendosura me një të rënë të lapsit, pa u konsultuar së pari me opozitën, si dhe me partnerët tanë. Ky është një defekt thelbësor i diplomacisë sonë, veçanërisht i këtyre katër viteve të fundit, që përsëritet në program edhe në lidhje me një “nocion të ri e strategjik” që vendoset aty, për mendimin tim në mënyrë amatoreske e duke krijuar konfuzione. E kam fjalën për një paragraf, që në fakt hedh një ide virtuale për konceptimin e një “katërkëndëshi strategjik rajonal, Itali-Austri-Greqi-Turqi”. Mendoj se për këtë përcaktim nuk është marrë pëlqimi as i shumicës së atyre partnerëve, që qeveria jonë kërkon “t’i kolektivizojë në atë katërkëndësh rajonal”. Në fakt, as gjykoj se ata do ta pranojnë diçka të tillë. Ky “katërkëndësh” i improvizuar shfaqet më tej ndoshta si një nocion i qëllimshëm, por edhe i rrezikshëm, duke tentuar të ngatërrojë dy koncepte të rëndë- sishme, por jo të njëjta: Europën dhe Mesdheun. Këto, me gjithë disa elemente të përbashkët, janë shumë larg njëri-tjetrit në përbërjet, mesazhet, problemet, gjeografinë, politikat etj. të tyre. Pikërisht, përcaktimi i këtij “Katërkëndëshi” si një gjetje “ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë si një vend i kyçur në Ballkan e i hapur në Mesdhe” është non sens, ngatërrues dhe në shumë elementë, dëmtues ndaj aspiratës sonë të madhe, që është anëtarë- simi në BE. Shqipëria nuk është as e kyçur në Ballkan e as e hapur në Mesdhe, ajo është pjesë e këtyre dy realiteteve dhe aspiron të jetë integralisht në Europën e Bashkuar. Kjo është thelbësore për ne, këtej nuk duhet e as mund të lëvizim apo të krijojmë tymnaja me opsione të tjera, qoftë edhe vetëm mjegulluese këto ndaj këtij objektivi jetik e të vetëm që ne kemi. Çdo opsion tjetër do të ishte tragjik për shqiptarët, ashtu siç ishte pushtimi osman e ai komunist dikur, si dy periudhat e errëta të largimit tonë forcërisht nga familja jonë europiane. Pikërisht në vijim të kësaj mënyrë prezantimi, me këtë “katërkëndësh” zhbëhet edhe roli tejet i rëndësishëm për ne, jo vetëm në rrugën e integrimit europian, por shumë më gjerë e historik, i asaj që është “porta jonë europiane”- i Italisë, e cila përcaktohet në këtë Platformë vetëm si një “promovuese e ambicieve tona europiane dhe përcaktuese për dimensionin mesdhetar të politikës sonë të jashtme”. Të tilla përkufizime e vendosje të saj larg realitetit e interesave tona primare, jo vetëm që dëmtojnë rolin e Italisë, por dhe krijojnë së paku një konfuzion të panevojshëm e të rrezikshëm për ne, veçanërisht në këto periudha të turbullta që po kalon rajoni dhe Europa, siç e theksova edhe më sipër.

Dhe për të evituar të tilla “lapsuse”, qoftë thjesht si keqinterpretime, duhet të jemi të qëndrueshëm e bashkëpunues të gjithë së bashku në përcaktimet e linjave të politikave tona të jashtme. Por kjo nuk mund të bëhet me improvizime, bëhet duke u bazuar në rrënjët e qëndrueshmërinë e saj, në eksperiencën tonë të këtyre viteve, në konsultime të vazhduara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura