Policia sqaron arrestimin e Prengës: Plagosi me qytën e armës Gjok Calin

Sep 5, 2015 | 15:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga e konfirmoi në një deklaratë për median kreu i policisë se Lacit, Nik Nikolla.

Nik Nikolla
Nik Nikolla
Ai sqaroi se Prenga është arrestuar pasi deri tani është provuar se ka qëlluar e plagosur me qytën e pistoletës shtetasin Gjok Cali. 

Pyetur, nëse Prenga ka plagosur njeri duke përdorur armën e zjarrit, Nikolla sqaroi se për këtë do të flasë ekspertiza, e cila është duke u zhvilluar. 

“Vendi i ngjarjes ku ka ndodhur konflikti ndodhet jashtë ambienteve të komisariatit të policisë Kurbin. Vendi i ngjarjes është administruar me prova filmike e fotografi”-sqaroi ai, si për të hedhur poshte deklaratat e opozitës për përplasje brenda ambienteve te policise. 

Policia e Shtetit: Si ndodhi konflikti ne Lac, Prenga ‘arrest ne flagrance’

Policia e Shtetit zbardh detaje për konfliktin mes dy familjeve Prenga e Cali në Lac, në të cilën u përfshi deputeti i PS-se, Armando Prenga, i cili u “arrestua në flagrancë” si i përfshire në ngjarje.

Sipas policise, konflikti nisi në një lokal në Patok dhe degjeneroi ne ambientet para komisariatit te policise ne Lac.


prenga1

Deklarata e plote e Policise se Shtetit 
Me datë 04.09.2015, në orën 23:40, Salla operative e Komisariatit të Policisë Kurbin, mori njoftim për një konflikt të ndodhur në një lokal në Patok. Menjëherë Policia e Kurbinit ka shkuar në vendngjarje për të kryer veprimet.

Në Komisariat është paraqitur shtetasi Gjok Cali, për të bërë kallzim se është goditur nga shtetasi Armando Prenga (deputet i Kuvendit të Shqipërisë).

Në momentin që ky shtetas po jepte kallzimin në ambjentet e Policisë, janë afruar përpara ambjenteve te Policisë, në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në Komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin.

Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur 7 persona:
Gazmir Jushi, 39 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta, jashtë rrezikut për jetën.
Eduart  Prenga, 36 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta jashtë rrezikut për jetën.
Tom Cali, 66 vjeç banues në Fushë Kuqe, i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën.
Gjergj Cali, 55 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
Gjok Cali, 51 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
Nikoll Cali, 53 vjeç, banues në Fushë Kuqe dhe i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën.
Françesk Cali, 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta.

Këtyre shtetasve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Spitalin e qytetit të Laçit dhe më pas janë dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës Tiranë. Aktualisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Polica e Kurbinit ka njoftuar menjëherë prokurorinë e rrethit dhe prokurorinë e Përgjithshme dhe është ngitur një grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e prokurorisë filloi menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, dhe vënien para përgjegjësisë së përgjegjësve.

Është kqyrur vendi i ngjarjes, ku janë janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja fishekësh model 54, një teh biçaku.

Polica gjatë ushtrimit të kontrollit në banesa, ka gjetur në banesën e shtetasit Gazmir Jushi 1 armë zjarri automatik model 56, sekuestruar në cilësinë e provës materiale, si dhe gjatë kontrolleve të tjera të banesave janë sekuestruar 6 armë gjahu dhe 1 automjet.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe proceduriale rezulton që palët janë konfliktuar për motive pronësie.

Në funksion të zbardhjes së ngjarjes janë shoqëruar në ambjentet e Policisë 36 shtetas nga të dy palët në konflikt.

Deklarata e plotë e kreut të policisë së Lacit, Nik Nikolla

Në vijim të njoftimeve të dhëna për ngjarjen e ndodhur në Kurbin, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, ju informojmë se:

– është arrestuar në kushtet e flagrancës deputeti Armando Prenga, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje.

Arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.  

Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i shtetasve Anton Leka dhe Gazmir Jushi. 

Në pranga janë vënë gjithashtu shtetasit:

Gjokë Cali, për vepren penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”

Nikollë Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”

Gjergj Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.

Theksojmë se vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur konflikti mes personave të arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ndodhet jashtë ambjenteve të Komisariatit të Kurbinit. 

Vendi i ngjarjes është i administruar me prova shkencore, përfshirë materiale filmike dhe fotografike, të referuara në Prokurori.

 Policia lokale dhe më pas strukturat e tjera të Policisë së Shtetit vepruan menjëherë me marrjen e njoftimit konform procedurave standarde, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje.

Aktualisht vijon egzaminimi shkencor më i specializuar i provave të gjetura në vendngjarje apo nga kontrollet në banesa, nën ndjekjen dhe drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se do të vazhdojë të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim detyrën, duke garantuar se askush, pavarësisht statusit, nuk është i paprekshëm përballë ligjit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura