Policia, shto ujë e shto miell

| 9:48
SHPËRNDAJE
 

 

PËLLUMB NAKO Pellumb nako

Ministri i Brendshëm u paraqit para qytetit të Elbasanit për t’u prezantua banorëve të këtij qyteti vënien në funksion të repartit policor “Shqiponja”, repart ky që do të rrisë praninë e Policisë në rrugët e këtij qyteti si në qytetet e tjera të vendit.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, titullari politik i Policisë së Shtetit theksoi se strategjia e tij është t’i ofrojë publikut Polici më të madhe, Polici më të mirë. Pra, gjithmonë sipas ministrit “sfidat e rendit publik shtohen” dhe me sa duket, bashkë me to ai mendon se duhet shtuar edhe numri i punonjësve të Policisë. Por, edhe sa kohë mund të vazhdohet me këtë logjikë? Propaganda thotë që vendi ynë nuk ka qenë kurrë më mirë në historinë e tij për sa u përket parametrave të sigurisë dhe nga ana tjetër shtohet numri. Shtimi i numrit të Policisë tregon për një situatë në përmirësim apo në përkeqësim?

Mesa duket, në kohën që ministri mbante fjalimin dhe përbetimin solemn, disa vrasës ishin duke ndjekur viktimën e tyre dhe e ekzekutuan pak ditë më pas. Sigurisht, rastësi. Por nuk është ky problemi, as ashtu siç thonë partiakët e qeverisjes, që krime të tilla ndodhin edhe në vende të tjera. Akti kriminal i fundit në Elbasan dëshmoi një cilësi jo të zakonshme. Ai bëri të pranishëm frymën e vrasjeve të Koza Nostra për faktin se viktima u ekzekutua thjesht për “fajin” se ishte i vëllai i një individi të mirënjohur nga Policia, publiku dhe banda rivale. Kurse eksplozivi në Tiranë, me viktima rastësore, tregoi se krimi profesionist “nuk po kujdeset më për të mos pasur dëme anësore”. Me fjalë të tjera, rrethi i goditjes së bandave kriminale është më i gjerë se protagonistët, për të cilët policia thotë se lajnë hesapet. Ky dimension i tij me viktima të pafajshme në këto dy raste rrit frikshëm pasigurinë dhe fjalimi i ministrit jep provë se sa larg është qeverisja në përballjen e sfidave të krimit dhe të rendit publik. Në një vend me gjysma institucionesh ligjore, me gjysmë parlament, me gjysmë pushtet lokal, motivimi i Policisë për të zgjidhur probemet e rendit publik nuk është e mundur të realizohet me përshëndetje gjatë ceremonive publike të saj nga partiakë të partisë në pushtet. Pavarësisht se nuk ka manifestime masive që përplasen me forcat e Rendit, sot në vendin tonë nuk ekziston paqja sociale dhe për këtë qeverisja duket tërësisht e pashqetësuar. Por harron se mungesa e saj ndikon në legjitimitetin e të gjitha institucioneve të shtetit, sidomos të Policisë. Dhe mungesa e legjitimitetit automatikisht dëmton në thelb besimin publik ndaj saj. Ndaj dhe problemet që po hasin sot qytetarët e vendit tonë me krimin nuk kanë të bëjnë me mungesa në numrin e Policisë, por me besueshmërinë ndaj saj të cenuar rëndë. Për rrjedhim, shtimi i numrit të punonjësve të Policisë në një kontekst të tillë shkon më shumë drejt represionit politik, pa ndikuar në asnjë grim në ndërtimin e paqes sociale, themeli i rendit të duhur publik. Shteti merr karakter policor. Për më tepër që përdorimi deri më sot i Policisë nga shteti për të ushtruar forcë ndaj thuajse të gjitha kërkesave të grupimeve të ndryshme sociale, ka krijuar probleme edhe më të mëdha me besueshmërinë e saj publike, ndaj dhe shtimi i numrit shton problemet.

Mungesa e besimit të publikut ndaj Policisë, njëanshmëria e veprimeve të saj, atmosfera e tendosur sociale bën të rritet dhe të marrë përmasa të frikshme edhe fenomeni i korrupsionit. Tashmë është një fakt i nënvizuar nga politologë të shumtë, që aty ku besimi karshi institucionit të Policisë ka përmasa negativisht dramatike sepse ajo qëllimisht nuk bën punën që i takon për të gjithë njëlloj, shtohet edhe blerja e shërbimeve të ofruara prej saj. Sa më i lartë të jetë korrupsioni në një vend, aq më shumë tregon se sa të paafta janë institucionet e tij, se sa pak u beson publiku, se sa shumë detyrohet ai t’u blejë shërbimet me para nën dorë.

Si argument të zgjidhjeve të sfidave të rendit publik, sipas bindjes së tij, ministri vuri në dukje faktin se gjatë 7 viteve të qeverisjes janë shtuar gjithsej 1700 punonjës Policie, prej të cilëve 700 vetëm në këtë vit. E gjitha kjo për të evidentuar si zakonisht në çdo fjalim vullnetin e Kryeministrit për të shkurtuar burokracitë e institucioneve të tjera të administratës publike dhe për të shtuar numrin e Policisë për të mirën e qytetarëve.

Në fakt, në shifrat e përmendura duket se ka disa gjëra të pasakta. Aty flitet vetëm për Policinë e Shtetit, por kjo e fundit, me dëshirën dhe vullnetin e vetë ministrit, nuk është më organ shtetëror, forcë e vetme, në garantimin e sigurisë publike. Pavarësisht nga mënyra e organizimit dhe e financimit, sot në fushën e sigurisë vepron edhe personeli policor i “Illyrian Guard”. Sado anësor të jetë roli i “Illyrian Guard”, sot ajo bën pjesë në aktorët e sigurisë publike të ofruar nga shteti. Pra, shtesës së punonjësve të Policisë i duhen mbishtuar edhe 500 të tjerë të shoqërisë anonime. Ky fakt tregon dukshëm se ministri ynë ka një staf pranë tij, i cili i sugjeron të marrë trupa shtesë pa ditur ekzaktësisht se sa ka në dispozicion. Po ashtu, ndryshe nga çfarë përmendi ministri lidhur me shkurtimet burokratike, ndoshta ai nuk është në dijeni që vite më parë, kur drejtuesi aktual i qeverisë ishte në opozitë, u shpreh se ndërtesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë po rrezikon të rrëzohet nga fryrja e organikës së saj në qendër. Kurse sot, e njëjta ndërtesë nuk mjafton më e vetme të mbledhë gjithë personelin aktual të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, asaj i është shtuar edhe ndonjë ndërtesë tjetër e paguar me qira, për një pjesë të Drejtorisë së Përgjithshme. Pra, burokraci e kritikuar në opozitë, e fryrë në qeverisje.

Ministri u paraqiti qytetarëve të Elbasanit strukturën e re policore, me betimin se ajo do të shtonte sigurinë e tyre ekzaktësisht njëlloj si paraardhësi i tij dy vite më parë, kur paraqiti po aty po ashtu një strukturë, po ashtu të re dhe po ashtu me përbetimin e rritjes së sigurisë së qytetit. Ndryshimi ndërmjet dy takimeve ishte vetëm numri më i reduktuar i personave këtë vit për shkak të Covid-it. Përpos gjithë këtyre, me një ministër të Brendshëm që një herë thotë se do të ikë dhe herën tjetër përgënjeshtron veten duke thënë se do të qëndrojë, nuk shohim kthjelltësi, por mungesë qetësie në misionin e tij.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.