Urdhërarrest për dy deputetët, pritet prangosja e Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit

Nov 22, 2017 | 9:33
SHPËRNDAJE

Gjykata Themelore ka lëshuar një urdhërarrest për dy deputetët Albin Kurtin dhe Donika Kadaj – Bujupin. Kjo pasi të dy nuk janë paraqitur në seancë.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, thotë se deputetët e akuzuar nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

“Për të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupi gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, dhe sipas informatave të njëjtit nuk janë gjetur ne adresat e dhëna. Meqenëse të njëjtit nuk janë paraqitur, gjykata urdhëron arrestimin/ndalimin e tyre dhe dërgimin në Qendrën e paraburgimit”, tha gjyqtari.

Policia rrethon shtëpinë e deputetit, pritet arrestimi i Albin Kurtit (foto)

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka rrethuar banesën e Albin Kurtit te Parku i Qytetit, ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kurti është kërkuar më herët edhe në zyrat e Vetëvendosjes, por nuk është gjetur.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli pritet që të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

pp_1511336799-4311839 p_1511336813-5851233

Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 10 tetor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.

Kurti e Kadaj-Bujupi munguan edhe në seancën e 13 shtatorit, ndërsa atë ditë gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të tyre në gjykatë.

Në seancën e kaluar kishte munguar edhe deputetja-dëshmitare Flora Brovina, për të cilën gjithashtu ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.
Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër të Vetëvendosjes.
Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.
Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.
Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike. Ekspress

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura