Policia në kërkim të Renato Cepës, Arben Frroku i mori identitetin

May 1, 2016 | 9:21
SHPËRNDAJE

Arratisja e Arben Frrokut nga Shqipëria dhe qëndrimi i tij në kërkim jashtë vendit, u ngjan historive të filmave aksion.

Arben Frroku pas lirimit nga burgu
Arben Frroku pas lirimit nga burgu

Faktit se dalja e tij nga Shqipëria nuk është shënuar në sistemin TIMS kur biznesmeni gjykohej në Apel, apo lirimi pas ndalimit në Mal të Zi, tashmë i është shtuar edhe çështja e pasaportës dhe patentës false, me të cilën Arben Frroku u kap në Holandë. Nga hetimi i rastit, sipas të dhënave që ka siguruar Interpoli, del qartë se Arben Frroku nuk i kishte shpikur të dhënat e vendosura në pasaportën e tij.

Më konkretisht, emri, mbiemri, datëlindja e vendlindja përkojnë plotë- sisht me një person nga Korça. Sipas hetuesve, nëse verifikohet pasaporta e Arben Frrokut krijohet bindja se ai i ka vjedhur identitetin shtetasit Renato Cepa nga Korça. Fjala është për një 49-vjeçar banues në lagjen nr.3 të Korçës, në rrugën “N.D”.

Personi në fjalë, siç ka thënë dje Policia, është baba i tre fëmijëve dhe ka një histori me Greqinë, pasi ka qenë emigrant atje për disa kohë. Ky person mësohet se po kërkohet nga ana e policisë për t’u marrë në pyetje.

Burimet e hetimit kanë thënë se pyetja e këtij shtetasi konsiderohet një formalitet, me qëllimin për tëverifikuar nëse ka pasur të bëjë me biznesmenin Arben Frroku apo jo. Fenomeni i përdorimit të gjeneraliteteve e të dhënave të tjera personale të shtetasve shqiptarë në pasaporta apo patenta false, është diçka e ndodhur edhe më parë dhe në çdo rast personat që u janë vjedhur të dhënat, nuk kanë qenë në dijeni.

ARRESTIMI NË HOLANDË

Arben Frroku është arrestuar më 6 mars 2016 për një kontrolli rutinë të autoriteteve holandeze. Ai është kapur me një pasaportë dhe një patentë të falsifikuar, ku ishte vendosur fotoja e Arben Frrokut me identitetin Renato Tsepa (Cepa), vendlindja Shqipëri. Personi sipas pasaportës false ishte i datëlindjes 15.11.1967.

Patenta që mbante Frroku është lëshuar më 14.06.2011 dhe kishte afat skadimi deri në qershor të vitit 2031. Pas ndalimit të Frrokut në Schipol, pranë aeroportit të Amsterdamit, ai është dërguar në izolim për verifikim dokumentacioni.

Bazuar në pasaportën dhe patentën greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më 15 nëntor 1967, policia holandeze ka kryer verifikime, por nuk ka zbuluar asgjë. Ka qenë Interpol Tirana që i ka shkruar palës holandeze pas deklaratës që bëri ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me arrestimin e Arben Frrokut në Holandë.

Pala vendëse ka kërkuar gjurmët e gishtave të personit në kërkim dhe pas kësaj, sinjali i kuq i shenjave të analizuara ka konfirmuar se Renato Tsepa, në fakt, ishte Arben Frroku, i kërkuar në Shqipëri për vrasjen e ish-komisarit të Policisë, Dritan Lamaj.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura