Policia na futi në rresht… dhe na ndërgjegjësoi!

Mar 31, 2020 | 20:47
SHPËRNDAJE

zaho golemi

 

Prof. Asoc. Dr. ZAHO GOLEMI/ Coronavirusi “Covid-19” është një “roman” që shkruhet përditë këtë pranverë, një “roman” që nuk e shkruajnë shkrimtarët, por realiteti i përditshmërisë. Një “mësim historie”, për këtë brez dhe brezat që do të vijnë, për strukturat e mjekësisë, për uniformat blu, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera të shtetit. Shumëkush nxiton të nxjerrë nga “sirtarët e kujtesës”, të shkuarat e ngjashme të botës historike, edhe pse duket rast unik dhe i papërsëritshëm.

“Qëndroni në shtëpi” është bërë refreni i ditës sepse në fakt lufta e çoi njerëzimin me “arrest shtëpie”. Armiku “Covid”, që vjen nga se pret nuk gjuan me plumba, por me “pëshimë”. Arsenali konvencional me tanke, avionë, raketa, nëndetëse, topa, kallashë në këtë “luftë të re” janë zëvendësuar me armë farmacie, që ende nuk janë zbuluar plotësisht.

Që prej 11 marsit jeta ka ndryshuar dhe është tjetërsuar, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Dialog i pak ditëve më parë: “Ngelëm në “ndalim kazerme”…Policia na futi në rresht, si në kohën e parë”– ankohej një rrebel i vonuar, një mesditë për policinë. Fqinji tjetër “brez i vjetër”, i shkolluar por dhe me “peshën e viteve” ja kthen: “Na ndërgjegjësoi – thuaj. Nuk është faji i policisë. Është faji tonë. Kemi harruar kulturën e sjelljes dhe të qëndruarit radhë! Edukatë hesapi! Gjë e madhe kultura. Kemi parë edhe ndonjë nga tanët përpara policisë kur shkoni në dyert e Europës dhe përtej oqeanit. -Ata janë ndryshe! Janë ndryshe sepse “ju bëjnë …zbor”. “Me nder kulturën” e sjelljes, as shkolla nuk a’u mëson sot…-Shkolla “online”…Por ora shënoi 13.00 dhe sirena “ndalim qarkullimit” ua “zë fjalën në fyt”. Rrugët janë të ndara. Disiplinimi në kohë lufte vendoset me çdo kusht me hir/pahir në të mirë të gjithë komunitetit.

Kulturën e disiplinës dhe radhës, edukatën e sjelljes j’ua solli në vëmëndje policia. Po shkollat, shoqëria, universitetet, familja, armata e mësuesve, psikologëve e pedagogëve pse janë?. Ndonjërit i duket se policia po “kapërcen kompetencat”!. Obligimi ndaj jetës qytetare ka qenë i përhershëm, përgjithmonë por sot është ridimensionuar. Gjitha masat kanë një qëllim: “Mbrojtjen e jetës qytetare”! Një obligim misionar madhor i kuptuar, i mirëkuptuar, por edhe i keqkuptuar, edhe por në masë dërrmuese i mirëkuptuar dhe miratuar. Përtej çështjeve të politikës, kemi të bëjmë me një agresin të stuhishëm mediatik të pleksur të mjekësisë, ndonjëherë dhe të sheqerosur të mediatizimit. Përpara të gjithë këtyre mendimeve policia është përgjegjëse kudo: në rrugë, në dyert e shërbimeve, në dyert e spitaleve, në farmaci, në furrat e bukës, në çdo vend ku ka shërbime, kudo ku jeta kërkon siguri është sot policia.

Shikoni në televizione. Nuk ngeli njeri pa dalë para ekraneve, ndonjë që jep edhe “mendje” dhe “ekspertizë”, bile edhe ekspertizë policie. Përpara ekraneve shqiptarët janë të detyruar “të hanë” ekspertizë e këshilla nga protagonistë ekranesh, edhe kur nuk kanë asgjë për të thënë pamvarësisht se “zëra shqiptarë” mund të vijnë edhe nga skajet më të largëta të planetit. Përtypje dhe ripërtypje sloganesh si në kohë lufte, kolere, virusi. Ndonjëherë edhe analiza shterpë. Fakt është se ka struktura që i detyron ligji dhe janë përgjegjës të vërtetë, por mbi të gjitha përgjegjës për të vërtetën për këtë situatë kritike për njerëzimin.

Tek-tuk ka edhe ndonjë zë të irrituar, zëmërak e rebel, për “masat kufizuese e shtrënguese”, nga ora 13.00 të datës 28 mars, ku pensionistët dalin “në pension” për periudhën virusale. Ata/ato kanë “ndalim kazerme”, pra ndalim të daljes nga shtëpia me efektin madhor për t’i mbrojtur ata, për ta jetuar jetën sa më gjatë, për këtë brez të sakrificave të mëdha, për këtë mençuri që i duhet popullit, familjeve, rinisë, moshës së burrërisë, veçanërisht për nipat e mbesat që i shikojnë në dritë të syrit dhe që vrapojnë më shumë drejt tyre se drejt prindërve të tyre. Fakt është se mes kësaj moshe ka edhe ish-punonjës të policisë së shtetit që kanë shërbyer plot dinjitet e krenari shtetit, janë ata që meritojnë të gjithë vëmëndjen sepse ata dinë dhe duan të ndriçojnë për të parë përtej errësirës virusale.

Përsëri për të gjithë brezat, për të gjithë moshat, për të shkolluar dhe më pak të shkolluar të detyruar për t’u folur, për t’u përplasur, pse jo edhe për t’i shtrënguar në masa kufizuese është vetëm një emër: Policia, ndërkohë që strukturat e pushtetit vendor bashkiak e administratorët, struktura të tjera të shtetit me misionin e furnizimit, për jetësë normale.

Bota është ndeshur herët me pandemitë dhe sfidat e jetës përballë viruseve. Sistemet policore kanë pasur historikisht emërtime të shumta: Polici, xhandarmëri, milici, karabineri.., pavarësisht emërtimeve duke i mëshuar një synimi e misioni të vetëm “jetën qytetare”. Policitë e të gjitha formateve janë ndeshur herët nëpër shekuj me pandemitë dhe fatkeqësitë e njerëzimit, pa llogaritur luftrat që kanë qenë “jeta”, “dashuria” dhe “lavdia” e sistemeve, pushteteve, liderëve e politikanëve të ndryshme të planetit tonë në shekuj. Pandemitë kanë ekzistuar para e pas Krishtit, që në periudha të veçanta kanë shkaktuar “gjëma” e dhimbje të mëdha për njerëzimin.

Nga “Encyklopedia Britannika”, gjejmë se në mijëvjeçarët pas Krishtit kanë ekzistuar me dhjetra pandemi por më të rëndat si: “Panidemia Antonine e viteve 165-180, që ishte ndër faktorët kryesorë që ndikuan në prishjen e ekuilibrit në Perandorinë Romake, që mund të ketë qenë një lloj i virusit të lisë, që pati rreth 5 milionë të vdekur; Murtaja e Justinianit, që i përket viteve 541-542, mund të ketë mbërritur në Europë dhe Mesdhe nga Kina dhe India, që goditi Peradorinë Bizantine, dobësoi forcën mbrojtëse të saj në Konstantinopojë me rreth 30-50 milion të vdekur në gjithë botën; Murtaja e Zezë, e viteve 1347-1351, pandemia më e rëndë dhe shkatërrimtare në historinë e dokumentuar të njerëzimit, veçanërisht në Europë, përllogaritur në gjithë botën e njohur, Europë, Azi, Afrikë në 200 milionë të vdekur; Epidemia e lisë në Amerikë e vitit 1520 me pasoja shkatërrimtare për popullsinë e Amerikës së sapozbuluar nga europianët. Konsiderohet edhe “vdekja e zezë” e popullsisë indigjene amerikane me rreth 56 milionë viktima; Kolera midis viteve 1817-1961 që filloi në Indi, në Afrikë, në Europë e Mesdhe e Rusi, me shtatë valë pandemike të dokumentuara nga fillim shekullit XIX deri më 1961, me dhjetra milionë viktima në të gjithë globin.

Pandemia e tretë e Murtajës e 1855-sës, që nisi në Kinë dhe u përhap në rrugë detare në krejt botën, me rreth 12 milionë viktima; Gripi rus në vitet 1889-1890, që filloi në Rusi e më tej në Europë, Azi, Afrikë e Amerikë me 1.5 milionë viktima; Gripi spanjoll në vitet 1918-1920, i shkaktuar nga një lloj i virusit H1N1 dhe që ka shkaktuar rreth 50 milionë viktima ose më shumë se sa viktimat e luftimeve direkte në LIB; Gripi aziatik i viteve 1957-1958, që pas LIIB, quhet si pandemia gripale më e rëndë nga veriu i Kinës në Azi, Oqeani, Afrikë, Europë e Amerikë, me rreth një deri më 4 milionë viktima; HIV/SIDA/AIDS, nga viti 1981-e deri më sot, që prej diagnostifikimit është sfidë kërcënuese për jetët njerëzore, ku sipas OBSH vëtëm për 2018, humbën jetën 770 mijë vetë pasojë e këtij virusi, ndërkohë që përllogariten në rreth 32 milionë viktima. Ndërkohë në kohët moderne vetizolim të tillë si për “Covid-19”, planeti tonë nuk ka njohur kurrë në të shkuarën e tij. Policitë e të gjithë vendeve të globit janë në alarm serioz, janë ërballë sfidës në roje të jetës, ku në plan të parë janë gjithmonë uniformat blu.
Deri tani policia ka folur, ka këshilluar dhe ka vepruar, energjikisht, edhe kur bie ndesh me ndonjë “rebel të vonuar”, “të shkolluar”, apo “të ditur”! Shkenca ka folur deri tani në mënyrë paksa të mekur përballë këtij virusi vrastar të heshtur, që nuk mund të luftohet i vetëm.

Prandaj deri sa të ketë zhvillime të qëndrueshme parandaluese në këtë fushë shpresa është tek masat parandaluese të Policisë së Shtetit. Shqipëria nuk e ka luksin sikurse SHBA, që krijoi e para në botë “testin lëvizës” që tregon nëse je i infektuar në kohën rekord 5 minuta. Nuk ka dhe nuk mund të presë nga strukturat e saj shkencore, sikurse bota dhe shtete të zhvilluara kanë si: Universiteti i Oxfordit dhe dhjetra universitete e qendra në botë që po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit. Ne jemi një “anije” e stacionuar me spirancë pritëse. Të vetmen “armë” efikase dhe metodë bashkëkohore që kemi: “Qëndro në shtëpi”, elimino socializimin, vetëizolohu deri sa të shkëputet dhe ndërpritet përfundimisht zinxhiri infektues, kjo stuhi vrastare ndërkombëtare, ky “kamzhik” i padukshëm që kap më së shumti moshat madhore. Mendja “pjellore”, por edhe djallëzore e këtyre ditëve ka shkuar deri aty sa të përdorë edhe uniforma e kamuflazhe për “të fituar lirinë”, një gjetje absurde e kriminale, apo “kanë marrë leje te Zoti”, “s’po më bën gjë Zoti dhe jo më robi”… Përballë këtij fenomeni gjendet Policia e Shtetit, më të drejtën misionare detyruese për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës qytetare.
Ka qyetarë që “ngatërrojnë derën” dhe pyesin policin në vend të mjekut, për mënyrën se si të ruhen nga koronavirusi, kur përgjigjen shpesh e kanë përgjigjen plotësisht brenda vetes: “Distancë fizike”/“distancimi social”, izolim dhe karantinim si një strategji themelore për kontrollimin e çdo sëmundjeje infektive, veçanërisht infeksioni i frymëmarrjes.
Masat shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në zbatim të urdhrit që të gjithë pensionistët në zonat urbane e rurale, në qendra të njësive administrative, të mos dalin nga banesat në asnjë orar të lejuar është masë madhore por e domosdoshme. Apelimi i Policisë së Shtetit për të gjithë qytetarët është mëse jetik, përfshi edhe përdorimin e maskave dhe dorezave për qytetarët jo si “detyrë patriotike”, por si detyrim njerëzor.

Respektimi i distances sociale në radhë në hyrje të çdo subjekti mbështetës si dhe masa dizinfeketuese për duart nuk është detyrë e Policisë së Shtetit, por obligim madhor qytetar. Për këdo struktura e Policisë së Shtetit me ushtrim kontrollesh të pandërprera në të gjitha zonat urbane e rurale dhe ndëshkimi është zbatueshmëri dhe detyrim ligjor, që çdokush duhet ta mirëkuptojë.

Policia është bërë institucioni më i kërkuar i shtetit pas bluzave të bardha të mjekësisë në këtë situatë pandemie. Uniformat blu janë bërë zot i vetëm i hapësirës shqiptare, siç jua kërkon ligji dhe aktet detyruese normative. Kështu nga 30 marsi kanë hyrë në fuqi masat shtrënguese, për të ndaluar lëvizjen për ta parandaluar viruesin dhe që rezultatet e tyre duken pas dy javësh. Masat penguese ndaj mundësisë së transmetimit të “COVID-19” janë për t’ju ardhur në mbështetje mjekëve në Shqipëri për përballimin e pandemisë. Tashmë kushdo ka bindjen se përballë çdo rruge e rrugice, çdo hyrje institucionale dhe jo vetëm është disiplina policore. Nuk mund të mendohet se policia mund të mbulojë çdo pjesëz të hapësirës të vendit. Përballë çdo thyerje të vullnetshme, pse jo dhe të rrebeluar është masa shtrënguese, që nuk mund t’i shpëtosh dot, sepse “nuk të vret”, por “të mbron”, “të ruan”, “të ndërgjegjëson”, si dhe të zgjat jetën tënde dhe të afërmve të tu! Ky është formati i policisë që duam dhe kërkojmë në jetën e drejtpërdrejtë të çdo shqiptari sot.

Ndërkohë që autorizimin për të lëvizur me makinë, Policia e Shtetit e ka përcaktuar qartë me formatin e aplikacionit “për të lëvizur me makinë në situata shtetrrethimi për urgjenca shëndetësore, pune, apo biznes, të gjitha me detaje në “autorizime.asp.gov.al.”, sikurse për këmbësorët është aplikacioni për leje, ku çdo qytetar mund të futet te kategoria shërbimi i familjes te “e-Albania”dhe të klikojë te shërbimi “leje për dalje”, për të dalë, nga ora 5 deri në orën 13, që lejohet vetëm një anëtar i çdo familjeje. Policia nga data 30 mars duke iu referuar urdhrit të ri kufizues që vetëm një pjesëtar nga familja duhet të dalë me leje të posaçme për pazar/shërbime të tjera dhe “leja për dalje” është vetëm për çështjet jetike.

Ditët që kalojmë nën karantinim, përngjajnë me karantinat e dikurshme, me zboret, me fazat “0”, përballë armikut virusal të padukshëm të njerëzimit. Policia mbikqyr dhe banesat e shtetasve të vetëkarantinuar, si mjet kufizues i përhapjes së virusit. Koha virusale nuk ka tolerancë sepse në terren, nuk ka tjetër veç punonjësve të Policisë me uniformë dhe agjentë civilë, me një mbështetje të disa strukturave shtetërore, për të bërë të mundur evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të masave kufizuese.
Këshilla e policisë është këshilla e shtetit, dhe shtrëngimi policor mirëgjykohet dhe mirëpritet nga shumica dërmuese e popullsisë përballë sfidës së shekullit, që prek gjithë njerëzimin në planetin tonë. Çdo lloj moshe sot e ka kuptuar se Policia është mbështetja e jetës së tyre, mbështetje e fuqishme në kohë sakrifice, ndërkohë që familjarë të policëve dhe vetë policët janë po aq të rrezikuara sa dhe vet publiku. Polici është vetvetja si çdo qytetar, është pasqyra e shtetari misionar në detyrë në kushtet sfiduese të pandemisë, përballë një “armiku” virusal pa ngjyrë pa formë, pa dukje, që nuk dihet nga e pret i kudogjendur, i kudoshtrirë në përmasa planetare si një rast i papërsëritshëm i njerëzimit të izoluar secili në shtëpi të vet.

Policia, gardiane e rregullit dhe sigurisë së publikut u përshtat e para pas bluzave të bardha me tiparet e “mysafirit” të paftuar të globit virusit “Covid-19”, sepse jo vetëm “i mësoi halli”, por mbi të gjitha obligimi për detyrë. Kështu s’ka punonjës policie dhe jo vetëm që nuk mësuan “hiletë” agresive të këtij mësymësi të padukshëm, koronaviruseve (CoV) si një “familje virusesh” që shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes nga më të lehtat në më të rëndat të përhapur në shumë lloje kafshësh dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë e përhapen dhe tek njerëzit. Koronaviruset humane u zbuluan për herë të parë 60 vite më parë dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 lloje: katër viruse të zakonshëm si: 229E-“alpha coronavirus”, NL63-“alpha coronavirus”, OC43-“beta coronavirus” dhe HKU1-“beta coronavirus”. “Covid- 19” i zbuluar më 31.12.2019 në Wuhan, provinca Hubei, Kinë në një treg të produkteve të detit dhe të kafshëve të gjalla që prej 11.2.2020, kjo sëmundje u quajt “Covid-19”, që do të thotë: “Co”-Koronavirus; VI-lidhet me virusin; D-lidhet me sëmundjen –“Disease”/sëmundje; ’19-viti i zbulimit, që shkakton simptoma respiratore të organeve të frymëmarrjes.

Disiplina komunitare nuk është sot një sakrificë, as karantinimi nuk është një sfidë, por detyrim për jetën, detyrim përballë kërcënimit të sigurisë njerëzore. Në këtë front si gjithmonë e para është policia, barriera e sigurt ndaj koronavirusit si dhe çdo lloj kërcënimi të fenomeneve ekstreme të natyrës. Policia është mësuar përmes sfidash, është e mirëtrainuar në sistemin arsimor policor, e mirëarmatosur në dije në sistemin e prakticitetit, ndërkohë që për raste të tilla pandemish do kërkohet rishikimi dhe ridimensionimi i sistemit arsimor të policimit dhe jo vetëm, në mënyrë energjike dhe me vëmëndje për të nxjerrë realisht një korpus policor të mirëpërgatitur të denjë, krenar për uniformën dhe misionar të shtetit të së drejtës, pa e “kthyer kokën” në eksperimentalizmin shumëvjeçar, ndërkohë që përvoja e vendeve partnere e mike në fushën e policimit është prezente. Me të drejtë shpesh e quajnë Policinë institucionin dhe instrumentin efikas të sigurisë publike rreshtuar krahas heronjve të ditës, edhe pse Policia e heshtur dhe e pazëshme, është një heroinë e të gjitha ditëve si shpresa madhore në qëllim e fisnikëruar: “Për të shpëtuar jetë”!

Në këtë situatë nuk është koha për “teorizime” e formate “…qeverisje mes kundërshtive”, siç shkruante Volteri, por për bindjen për shpëtim, për çdo shtresë të kombit, të formatit politik, besimtar, krahinor, çdo shtresë që i bashkon gjuha, raca, bashkësia territoriale, formimi kulturor etj. Në balancë janë pesha e jetës dhe pesha e lirisë me “armikun” në prag. Kultura e bindjes ndaj policisë është shpëtimi nga tronditja, turbullimi, pasiguria e katastrofa, që bota përjeton sot, me qëllim që jeta mos të rrokulliset në hone të errëta e të panjohura dhe siguria të jetë e tillë nesër.

Për policinë, shërbimin policor, për “rojtarët e jetës”, “sigurinë publike” dhe “sigurinë kombëtare” falënderimet janë të rralla dhe kujtesa edhe më e rrallë, jo gjithmonë në përputhje me atë çfarë ofron në përditshmërinë e misionit të saj dhe çfarë komuniteti kërkon prej tyre. Aktualisht uniformat blu i shikojmë me këmbë në tokë, përtej optimizmave, me kontrolle të kufizimeve në të gjithë vendin, pa hequr vëmëndjen nga misioni i përhershëm i luftës ndaj elementëve kriminalë, shpesh njësh me strukturat e tjera të sigurisë si dhe çdo strukturë tjetër që punon me dhe pa orar, dinjitoze dhe krenare për shërbimin që ofron me moton: “do t’ja dalim”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura